Enkelejd Zonja është një ndër zërat e rinj, por jo pak të rëndësishëm në zhvillimet e artit bashkëkohor vizual në vendin tonë.
I diplomuar në Akademinë e Arteve, në Atelierin e Pikturës së Kavaletit, si dhe në Akademinë Mbretërore të Stokholmit, Enkelejdi shumë shpejt u vu në qendër të vëmendjes për mënyrën e tij të pikturimit, me nota tejet realiste dhe bazuar në teknikat tradicionale të pikturimit.
Veprat e tij fokusohen në zbërthimin kompozicional dhe zhvillimin e metaforave të shoqërisë shqiptare që vazhdon të përleshet brenda vetes me reminishencat e sistemit të kaluar dhe pamundësinë e tejkalimit të tranzicionit tridhjetëvjeçar, duke zhvilluar një betejë rraskapitëse të një shoqërie që duket se po shkon drejt një sjellje vetëshkatërruese dhe drejt një falimentimi shpirtëror që Enkelejdi e sjell përmes metaforash që udhëtojnë në kohë.
Si çdo artist, edhe Enkelejd Zonja është në udhëtimin e tij kërkues, duke u vënë në zbulimin e shtigjeve të tij vetjake.
Procesi i Zonjës kalon, së pari, në njohjen e mjeshtërve të mëdhenj, duke filluar nga ata të Rilindjes, Barokut dhe mjeshtrit Flander, të cilët ai i sheh si material inspirues për ndërtimin e narrativave krijuese dhe hulumtimit të teknikave piktorike.
Dhe duke bërë një martesë të shëndetshme nëpërmjet këtyre elementeve, Zonja ka arritur të krijojë metaforat bashkëkohore të ndjeshmërive subkoshienciale të një shoqërie, në përpjekje permanente të gjetjes së rrugëdaljes në kaosin shpirtëror, ku duket se individi ka humbur shtegun e një rizgjimi të brendshëm.
Krijimi i teksturave piktorike, unitetit koloristik, operimi me pastozitet dhe velatura të ngrohta, ndërtimi atmosferik na përfshijnë brenda një universi dystopik ku artisti na fton për të bërë një udhëtim brenda saj.
Veprën e tij, Zonja e organizon përmes dritës, ku fillimisht duken notat kompozicionale Karavaxheske, por që në veprat më të fundit ka filluar të predominojë një tingull i dritës orientuese nga Rembrandi, nga i cili artisti, pa drojë, huazon tema si ajo e “Mësimit të Anatomisë”, ku duket se elementet mjeshtërore të pikturimit kanë arritur të gjejnë balancën e duhur të ndërtimit të simbolikave dhe një narrativë ku të gjithë arrijmë të bëhemi pjesë e saj.
Në veprat e Zonjës, të gjithë arrijmë të gjejmë një pjesë tonën, të mirën dhe të keqen, të bukurën dhe të shëmtuarën, të vërtetën dhe të gënjeshtrën, dritën dhe errësirën. Individi, në momente të caktuara është pasiv, por brenda tij ka një atmosferë intriguese pikërisht nga flegmatizmi që duket se ai përfaqëson.
Në të njëjtën kohë, ai arrin të kthejë në personazh dramatik dhe një qenie si kali po t’i referohemi veprës metaforike “Leksioni i anatomisë”, që kthehet në një zbërthim të tragjedisë së qenies njerëzore, ku individi konvertohet në një kavje eksperimentale, duke u bërë një element sa eksperimentues, edhe argëtues.
Çarçafi i bardhë që e mbulon tragjikisht është në të njëjtën kohë një material sa estetik, por edhe mbështjellësi i fundit për të kaluar në botën e përtejme.
Në veprën e tij ka shumë mesazhe të fshehura që i jepen shikuesit t’i dekodojë nëpërmjet interpretimit individual, duke krijuar një marrëdhënie të veçantë mes artistit dhe spektatorit.
Enkelejd Zonja është një ndër artistët e pakët bashkëkohorë shqiptarë, i cili tashmë është pjesë e tregut botëror, me disa vepra të ekspozuara në muzetë e artit bashkëkohor si ai i Nicës në Francë. Ai është pjesëmarrës në dhjetëra ekspozita kolektive dhe personale në shumë vende të botës.
Pa diskutim, që në një të ardhme të shpejtë, emri i tij do të ndeshet në periodikët artistikë ndërkombëtarë. Kërkesat për veprat e tij janë gjithnjë në rritje, pasi dhe vetë krijimtaria e Enkelejd Zonjës është një udhëtim tejet racional dhe i përpiktë në ekzigjencat artistike.
Veprat e tij janë krijime që përkojnë me kërkesat e një koleksionisti të sofistikuar, por që mund të shijohen nga çdokush për elementet e mjeshtërisë piktorike, vizatuese, kompozicionale dhe deri diku, hedonistike.
“Monitor” ofron për lexuesit e saj disa nga veprat e Enkelejd Zonjës.
Genc Përmeti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.