Entet publike mbajnë faturat e thesarit shkel e shko

02/07/2019 4:09 PM 0 komente

Institucionet publike shqiptare shfaqin dobësi të theksuara në korrektësinë financiare, sidomos me Thesarin e Shtetit, por në morinë e enteve publike spikasin disa që janë më mirë dhe të tjera që janë më dobët.

Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, renditi institucionet sipas një sistemi pikësimi, nga më i miri tek më i dobëti, për marrëdhënien korrekte me thesarin, të tilla si dërgimi i faturave në kohë, moskryerja e shpenzimeve të paplanifikuara, raportimet mujore në Thesar etj.

Treguesi i parë i analizuar nga struktura përgjegjëse për thesarin është “Të gjitha faturat janë dërguar në kohë për pagesë pranë degës përkatëse të thesarit”, i cili përcakton numrin e faturave të dërguara në Thesar për pagesë, pas afatit prej 30 ditësh kundrejt numrit total të faturave të dërguara për pagesë. Për vitin 2018, ky tregues është vlerësuar mesatarisht në nivelin 1.62 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 40.5%), duke reflektuar një situatë relativisht problematike në këtë fushë për të gjitha grupet e institucioneve.

Nga Ministritë, pikët më të larta i mori Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme për korrektësinë që dërgoi faturat financiare, të cilat u vlerësuan secila me nga 53 pikë, nga 68 pikë të mundshme. Ndërsa Ministria e Jashtme dhe ajo e Bujqësisë morën vlerësimet më të ulëta për korrektësinë e përdorimit të fondeve publike, të cilat u vlerësuan përkatësisht me nga 35 dhe 43 pikë secila. Nga renditja e njësive të tjera shpenzuese me buxhet të madh, spitali “Nënë Tereza” mori vlerësimin më të lartë për 2018, në lidhje me korrektësinë e faturave me 52 pikë nga 64 të mundshme, e ndjekur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ndërsa pikët më të dobëta i morën Agjencia e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Garda e Republikës, me 22 dhe 34 pikë secila.

Nga bashkitë qendrore, pikët më të larta i mori Bashkia e Shkodrës, e cila mori pikët më të larta për veprimet me thesarin dhe tenderët. Ajo u vlerësua nga Ministria e Financave me 47 pikë nga 64 të mundshme. Në vendin e dytë u rendit Bashkia e Shkodrës me 45 pikë, ndërsa më dobët u rendit Bashkia e Vlorës, me vetëm 34 pikë nga 64 të mundshme. Bashkia e Gjirokastrës, Dibrës, Beratit dhe Durrësit u renditën dobët gjithashtu.
Nga bashkitë e vogla, më mirë u rendit Bashkia e Këlcyrës me 47 pikë, ndërsa më dobët ajo e Rrogozhinës, me vetëm 12 pikë.

Një tregues tjetër i analizuar është “Të gjitha kontratat janë dërguar në kohë pranë degës përkatëse të Thesarit”, i cili përcakton numrin e kontratave të dërguara pranë degëve të Thesarit pas tri ditëve nga data e nënshkrimit të tyre kundrejt numrit total të kontratave të dërguara në thesar. Për vitin 2018, ky tregues është vlerësuar mesatarisht në nivelin 0.62 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 15.5%), duke reflektuar për një situatë problematike në njësitë e marra në analizë. Të gjitha grupet e institucioneve paraqesin mangësi në këtë fushë, kryesisht ministritë e linjës, të cilat janë vlerësuar mesatarisht me 0.1 pikë.

Treguesi “Numri i urdhër-prokurimeve të paautorizuara” paraqet numrin e urdhër-prokurimeve të paautorizuara kundrejt shumës totale të urdhër-prokurimeve të dërguara për pagesë në Thesar. Për vitin 2018, ky tregues paraqet një performancë shumë të kënaqshme për të gjitha grupet e institucioneve, veçanërisht për institucionet e pavarura, të cilat janë vlerësuar maksimalisht me 4 pikë.

Një tjetër tregues i marrë në analizë nga struktura përgjegjëse për thesarin është “Kufizimi i avancimit të planit mujor të arkës”, i cili përcakton vlerën e avancimeve të kryera gjatë vitit nga njësitë shpenzuese kundrejt totalit të planit vjetor të arkës. Për vitin 2018, ky tregues është vlerësuar mesatarisht në nivelin 3.7 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 92.5%), duke reflektuar për një situatë shumë pozitive për këtë fushë, për të gjitha institucionet e marra në analizë, veçanërisht për njësitë e vetëqeverisjes vendore, që janë vlerësuar maksimalisht.

Treguesi i fundit i marrë në analizë nga struktura përgjegjëse për thesarin është “Paraqitja, nënshkrimi dhe respektimi i afatit të dorëzimit të pasqyrave financiare sipas kuadrit ligjor në fuqi”, i cili mat respektimin e afatit, nënshkrimit, përgatitjen dhe paraqitjen e pasqyrave financiare vjetore në njësitë e qeverisjes së përgjithshme. Për vitin 2018, ky tregues është vlerësuar në nivelin 3.8 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 95%), duke reflektuar një situatë shumë pozitive në këtë fushë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of