Entet publike të papërgjegjshme, devijojnë fonde e investime, në kundërshtim me ligjin

18/08/2020 10:00 AM 0 komente

Investimet kapitale, zëri më produktiv i shpenzimeve buxhetore, po keqpërdoren nga institucionet, pasi fondet janë duke shkuar në destinacione të tjera nga ato që janë miratuar në ligjin vjetor të buxhetit të shtetit.

Drejtoria e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar në Ministrinë e Financave, ka vërejtur një anomali të rëndë në përdorimin e fondeve publike për investime sidomos nga bashkitë gjatë vitit 2019.

Pasi kontrolleve, auditorët e qeverisë dolën me konkluzionin se Treguesi “Realizimi i shpenzimeve kapitale” paraqet devijimin nga plani i realizimit i shpenzimeve kapitale në një vit, kundrejt shpenzimeve kapitale totale të planifikuara me ligjin e buxhetit vjetor në Kuvend”.

Për vitin 2019, ky tregues është vlerësuar mesatarisht me 0.65 pikë (16.3%), nga 4 pikë të mundshëm, duke shfaqur një përformancë jo të kënaqshme të njësive publike, duke qenë se paraqet një nivel të konsiderueshëm devijimi nga fondet e planifikuara.

Ky tregues paraqitet në një nivel më të ulët dhe në krahasim me vitin 2018. Nga të gjitha grupet e njësive të qeverisjes së përgjithshme të marra në analizë, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë devijimin më të lartë, në krahasim me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura, njofton auditi i qeverisë.

Për ato njësi, të cilat paraqesin një performancë shumë të ulët të realizimit të këtij treguesi, evidentohet se shkaqet kryesore janë të lidhura kryesisht me problematikat dhe vonesat që ndodhin gjatë kryerjes së procedurave të prokurimit.

Mirëpo entet publike e kanë thyer ligjin e buxhetit, duke mos i çuar fondet publike në definicionin qw ka përcaktuar ligji.

Kjo dukuri ka vijuar edhe për vitin 2020.  Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave për shumë nga projektet e financuara në 4-mujorin e për nuk ishin programuar fonde, ndërsa projektet e programuara për financim kanë konsumuar një pjesë të madhe të fondeve vjetore, ndryshe sa ka ndodhur vitet e tjera kur në 4-mujorin e parë shpenzimet për investime shfaqin dobësi.

Rruga Kardhiq-Delvinë, Bypass i Fierit, ai i Tepelenës, bashkë me koncesionet e Rrugës së Arbrit dhe Rrugës së Kombit ishin projektet më të financuara gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, bashkë me disa projekte të tjera të infrastrukturës, pavarësisht se pandemia Covid-19 kushtëzoi rëndë ecurinë e treguesve buxhetorë, si në të ardhura dhe shpenzime.

Gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, shpenzimet për investime ishin 16 miliardë lekë, me një rritje 2,4% në raport me faktin e periudhës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of