Monedha e përbashkët ishte, që në fillimet e saj, një mjet për dy objektiva, ekonomike dhe politike. Në drejtimin ekonomik, monedha duhet të lehtësonte tregtinë dhe shkëmbimet në tregun e përbashkët, duke eliminuar kostot e shkëmbimeve të vazhdueshme të monedhave lokale.
Nga ana tjetër, zgjerimi dhe forcimi i tregut të përbashkët duhet të krijonte nevojën për institucione dhe rregullatorë gjithmonë e më të fuqishëm të këtij tregu, duke ngritur premisat e një bashkimi gjithnjë e më të fortë politik mes vendeve.
Përtej këtyre dy qëllimeve madhore, monedha pati dhe një efekt tjetër anësor: uljen e normave të interesit mbi borxhin sovran. Ky zhvillim ishte fillimisht i mirëpritur, por më vonë u kthye në burimin e problemeve të krizës së Eurozonës në vitet 2011-‘12.
Si ndodhi e gjitha kjo? Ishin të shumta vendet europiane, kryesisht në pjesën jugore të kontinentit, që përballeshin me norma të larta interesi, për shkak të vështirësive që kishin pasur në të shkuarën me inflacionin. Këto probleme kishin shkaktuar rritje të pasigurisë te investitorët, që kërkonin norma më të larta për të blerë borxhin e këtyre vendeve.
Krijimi i Euros i vuri fund kësaj historie. Monedha u pa që në fillim si një “krijesë” gjermane, dhe fitoi sigurinë dhe besimin që dikur gëzonte monedha e vjetër e Gjermanisë, Marka. Vende si Italia përgjysmuan, brenda pak muajve, pagesat e borxhit të tyre. Kjo hapësirë fiskale duhet të krijonte mundësi për investime dhe reforma strategjike të rëndësishme.
Fatkeqësisht, siç ndodh rëndom, hapësira e krijuar u përdor për të rritur nivelin e borxhit publik e privat. Greqia investoi në infrastrukturën e Lojërave Olimpike dhe në shpenzime sociale; Italia rriti pagesat për shërbimet sociale; në Spanjë, sektori i ndërtimit arriti thuajse ¼ e PBB-së, e kështu me radhë. Kriza financiare e 2008-s dhe efektet e saj shkaktuan krizën e Eurozonës tre vjet më pas. Jo vetëm monedha, por i gjithë projekti politik u vu në dyshim.
Ndërhyrjet e Bankës Qendrore Europiane në vitin 2012 dhe bonot e reja ndëreuropiane pas krizës së COVID-19 duket se i kanë shuar këto frikëra. Fraza e Mario Draghi-t, “whatever it takes” (çfarëdo që të ketë nevojë), për hapat që do të ndërmerrte BQE në mbështetje të Euros, tashmë është në kufijtë e legjendës. Krizat duket se forcuan, më shumë se kurrë, besimin në projektin europian dhe në monedhën e përbashkët.
Rregullat për administrimin e borxhit dhe mbikëqyrjen e vendeve problematike do të vazhdojnë të jenë objekt debatesh publike e politike, por pas më shumë se 20 vitesh jetë, duket se e ardhmja e monedhës është më e sigurt se kurrë.
Leksionet e krizave ama duhet të kishin qenë burim reflektimi për vendet në zhvillim, ashtu si Shqipëria. Fatkeqësisht, e kundërta ka ndodhur.
Efektet e monedhës së përbashkët u ndien edhe përtej kufijve të unionit. Tregjet financiare europiane, më likuide dhe të thella se kurrë më parë, filluan të shihnin mundësi për investime të reja. Ekonomitë në zhvillim ishin objektivi parësor që në mesin e viteve 2000. Falë shumë prej bankave europiane që u hapën në vend, Shqipëria zgjeroi nivelin e kreditimit të ekonomisë, nga nën 10% të PBB-së në thuajse 40%.
Efektet pozitive u ndien edhe pas krizës financiare të vitit 2008. Ulja e normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane u reflektua dhe në Shqipëri, ku norma e Eurobondit të fundit, 3.75%, është disa herë më e ulët se ajo që vendi paguante 10-15 vite më parë.
Por ashtu siç tregoi kriza e Eurozonës, zhvillimet pozitive krijojnë varësi të rrezikshme. Sot, sistemi bankar vazhdon të jetë i “euroizuar” në nivele të mjaft të larta. Më shumë se gjysma e kredive dhe depozitave janë në monedhë të huaj. E njëjta tendencë vihet re dhe në borxhin publik.
Ndryshe nga Greqia apo Italia, borxhi publik dhe privat shqiptar në euro nuk ka as Bankë Qendrore Europiane dhe as Mario Draghi-n që ta shpëtojë. Banka e Shqipërisë emeton Lek, jo Euro, dhe rezervat valutore të vendit do të ishte aventurë të përdoreshin për të mbrojtur të gjithë aktivitetin në monedhë të huaj. Nëse normat e interesit mbi borxhin publik rriten, ashtu siç pritet të ndodhë, Shqipëria mund të përballet me pasojat që fqinjët tanë u përballën 10 vite më parë.
Monedha e përbashkët ka qenë vërtet një histori suksesi në shumë drejtime. Po suksesi shpesh mbjell farën e krizës së radhës, kur nuk tregohet vëmendje dhe kujdes. Të shpresojmë që historia e Euros dhe Shqipërisë nuk do të jetë shembulli i radhës i këtij cikli historik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.