Hafize Gaye Erkan, gruaja e parë që drejton institucionin, mund të rrisë normat e interesit për të luftuar inflacionin.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka emëruar një ish-bankiere amerikane si drejtuese të bankës qendrore të Turqisë, si përpjekjen e fundit të një ndryshimi nga politikat e ndërmarra prej tij, që kanë ndezur krizë të kostos së jetesës, dhe e kanë çuar lirën në nivele rekord të ulëta.
Hafize Gaye Erkan, e cila ka mbajtur role të larta në Goldman Sachs, si dhe First Republic në SHBA, do të jetë gruaja e parë, që do të drejtojë bankën qendrore të Turqisë. Ajo do të marrë frenat nga Şahap Kavcıoğlu, i cili kishte ulur ndjeshëm normat e interesit me urdhër të Erdoganit, dhe tani do të bëhet kreu i Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare.
Vendimi i presidentit për të emëruar Erkan, erdhi vetëm disa ditë pasi ai zgjodhi Mehmet Shimşek, ish-zëvendëskryeministër i njohur nga investitorët globalë, si ministër i financave. Ai gjithashtu emëroi Cevdet Yilmaz, i cili shihet si mbështetës i politikave ekonomike perëndimore, si nënkryetar.
Emërimet kanë ngjallur optimizëm tek investitorët se Erdogani, i cili u rizgjodh më 28 maj, do të përqendrohet në një politikë më konvencionale, pasi ekonomia e Turqisë po përjeton vështirësi të mëdha.
Erdogan, kundërshtar i përjetshëm i kostove të larta të huamarrjes, e ka shtyrë bankën qendrore të ulë normën kryesore të interesit, nga 19% dy vjet më parë, në 8.5%, një lëvizje që është fajësuar për ndezjen e krizës inflacioniste dhe rënien e lirës kundrejt dollarit. Presidenti ka emëruar pesë guvernatorë të bankës qendrore, që nga viti 2019.
Investitorët dhe ekonomistët kanë thënë se Turqia, duhet të rrisë ndjeshëm normat për të ngadalësuar rritjen e çmimeve dhe për të tërhequr investitorët e huaj, që kanë braktisur vendin vitet e fundit.
Çmimi i obligacioneve të Turqisë në dollarë janë rritur, që kur u bë e qartë se Shimşek do të emërohej ministër i financave, ndërkohë që kostoja për t’u mbrojtur nga një falimentim i borxhit turk është lehtësuar.
Erkan, eksperte e menaxhimit të riskut, ka doktoraturë në inxhinieri financiare dhe kërkime operacionale nga Universiteti Princeton, si dhe drejtoi analitikën e grupeve të institucioneve financiare në Goldman Sachs, përpara se të kalonte gati tetë vjet si drejtuese e lartë në First Republic.
44-vjeçarja turko-amerikane pati një fund të vështirë të mandatit të saj në First Republic, ku u emërua bashkë-drejtuese ekzekutive në korrik 2021, përpara se të largohej nga institucioni në fund të vitit.
Erkan do të përballet me një ekonomi në rrezik të thelluar. Shumë ekonomistë kanë paralajmëruar, se krahu i luftës i Turqisë është varfëruar në mënyrë të rrezikshme, pasi banka qendrore dogji rreth 25 miliardë dollarë rezerva valutore këtë vit për të financuar deficitin e llogarisë së rrjedhshme si dhe në përpjekjet për të mbështetur lirën.
Monedha ka rënë më shumë se 10 % këtë javë kundrejt dollarit, duke përfshirë një rënie 0.6 % të premten. Analistët e panë këtë si hap fillestar larg masave të vendosura vitet e fundit, për të mbrojtur monedhën.
Erik Meyersson, shefi strateg i tregjeve në zhvillim në bankën suedeze SEB, paralajmëroi se mbajtja e ish-bankierit qendror Kavcıoğlu në një rol të ri, nënkuptonte se politikat ekonomike të Erdoganit “mund të rikthehen në çdo kohë”. / The Financial Times