Presidenti Tajip Erdogan duket se po shkon drejt fitores në balotazhin e zgjedhjeve të Turqisë që u zhvilluan të dielën, tregojnë të dhënat paraprake nga agjencia shtetërore Anadolu dhe agjencia e lajmeve opozitare ANKA, që i japin atij një avantazh, me rreth 93% të kutive të votimit të numëruara.
Kreu i Bordit të Lartë Zgjedhor tha në një konferencë për shtyp se Erdogan po kryesonte me 54.47 % ndaj kundërshtarit kryesor Kemal Kilicdaroglu.
Zëdhënësi i Partisë AKP në pushtet të Erdoganit, Omer Çelik, tha se ai vijonte të kishte mbështetje të fortë.
Fitorja do të zgjasë mbretërimin dy dekadash të Erdoganit. Ai po siguron një tjetër mandat për të vazhduar sundimin e tij gjithnjë e më autoritar, i cili ka polarizuar Turqinë dhe ka forcuar pozicionin e saj si një fuqi ushtarake rajonale.
Mbështetësit e Erdoganit u mblodhën në rezidencën e tij në Stamboll në pritje të fitores, duke brohoritur Allahu Akbar, ose Zoti është më i madhi. “Unë pres që sittuata të bëhet më mirë,” tha Nisa, 28 vjeç, një grua me shami në kokë që mban një shirit me emrin e Erdogan.
Fitorja përforcon imazhin e pathyeshmërisë së Erdoganit, pasi ka rishikuar politikën e brendshme, ekonomike, të sigurisë dhe të jashtme në vendin anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë.
Fitorja po vjen pasi Erdogan u përball me disa nga erërat e tij më të vështira politike deri më tani. Ai u bëri thirrje votuesve, duke përdorur retorikë nacionaliste dhe konservatore gjatë një fushate përçarëse që largoi vëmendjen nga problemet e thella ekonomike.
Humbja e Kilicdaroglu, i cili premtoi ta vendosë vendin në një rrugë më demokratike dhe bashkëpunuese, ka të ngjarë të brohoritet në Moskë, por do të shihet negativisht në kryeqytetet perëndimore dhe në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme, pasi Turqia mori një qëndrim më konfrontues dhe të pavarur në çështjet e jashtme.
Erdogan, i cili ka qeverisur Turqinë për dy dekada, po fiton një mandat të ri pesë-vjeçar, pavarësisht krizës së kostos së jetesës dhe një sërë zhvlerësimesh valutore të shkaktuara kryesisht nga politikat e tij joortodokse, të cilat opozita ishte zotuar se nuk do ti zbatonte më./Reuters