Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për rinovimin e dy licencave për kompaninë turke Ayen dhe një për Korporatën Elektronenegjetike Shqiptare sa i takon tregtimit dhe furnizimit me energji.
Në tre vendime të veçanta të pak ditëve më parë Enti jep edhe specifikat duke nënvizuar se ky rinovim vjen pas kërkesës së bërë nga kompanitë respektive brenda afatit 6 mujor para mbarimit të licencës ekzistuese.
Konkretisht AYEN ENERGY TRADING pjesë e Ayen Enerji ka kërkuar rinovimin e licencës së tregtimit dhe sipas vendimit të Entit licenca e re ka një afat 5 vjeçar.
“Bordi i ERE-s, vendosi të fillojë procedurën për rinovimin e licencës së shoqërisë “AYEN ENERGY TRADING” sh.a. në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar, duke filluar nga data 16.03.2024” thuhet në vendim.
E njëjta procedurë është ndjekur edhe për licencën e furnizimit që sipas Entit ka sërish një afat 5 vjeçar dhe nis edhe kjo nga data 16.03.2024.
Bordi gjithashtu vendosi të fillojë procedurën për rinovimin e licencës Nr. 437, Seria F19, të shoqërisë “KORPORATA ELEKTROENERGJITIKE SHQIPTARE” (KESH) sh.a. në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike, për një afat 5-vjeçar, duke filluar nga data 29.02.2024.
Teksa Korporata Elekteonenergjetike Shqiptare është kompania publike e gjenerimit dhe që ka nën menaxhim kaskadën më të madhe në vend, atë të Drinit, Ayen është një ndër tre investitorët më të mëdhenj në hidro-energji. Konkretisht kompania turke zotëron tre hidrocentrale mbi lumin Fan, konkretisht Fangu, Peshqesh dhe Ura e Fanit, me kapacitet të instaluar respektivisht 74.6 MW, 27.34 MW dhe 1.1 MW.
Teksa më herët kompania ka qenë e fokusuar tek investimet në hidro-energji, duket se planet e saj kanë shkuar drejt diversifikimit të portofolit duke marrë përsipër një projekt eolik në zonën e Lezhës për një kapacitet të instaluar prej 54MW përmes kompanisë së saj AYEN RENEWABLE ENERGY SH.A.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.