Enti Rregullator i Energjisë (ERE) finalizoi së fundmi modelin tip të licencës sa i takon veprimtarisë së operimit të hapësirave të depozitimit të gazit natyror.
Në një vendim të pak ditëve më parë, ERE njoftoi se ka filluar procedurat për miratimin dhe se aktualisht drafti i plotë po merr edhe përshtypjet nga palët e interesit.
Në draft sanksionohet se kjo licencë nuk mund t’i transferohet, as tërësisht e as pjesërisht, asnjë personi tjetër pa miratimin paraprak me shkrim të ERE-s. Kur miraton një transferim, ERE mund ta modifikojë periudhën e licencës ose kushtet e tjera të licencës pasi të ketë arsyetuar vendimmarrjen.
I licencuari, sipas draftit, nuk do të bashkëpunojë në asnjë mënyrë me të licencuar të tjerë lidhur me veprimtarinë e licencuar në dëm të pjesëmarrësve të tregut. Po kështu, nuk do të angazhohet në kryerjen e veprimeve ose në ndonjë aktivitet tjetër që përbën sjellje antikonkurruese, sipas legjislacionit në fuqi, apo të angazhohet në veprimtari të tjera, që pengojnë ose mund të pengojnë kryerjen si duhet të veprimtarisë së licencuar.
Sipas ERE-s, gjithë marrëveshjet për ofrimin e shërbimit të depozitimit të gazit natyror duhet të përputhen me legjislacionin në fuqi, për aq sa kërkohet nga këto të fundit. Ndërkohë që të gjitha marrëveshjet do të jenë objekt monitorimi nga ERE për të siguruar përputhjen e tyre me Kodet e Rrjetit dhe legjislacionin ne fuqi.
Sa u takon detyrimeve, ERE ka parashikuar një listë të gjatë për ata që janë të licencuar duke nisur nga regjistrimi si pjesëmarrës i tregut shqiptar të gazit natyror pranë Operatorit të Tregut të Gazit Natyror, sipas procedurave të regjistrimit dhe do të zbatojë legjislacionin në fuqi dhe vendimet e ERE-s tek ndërmarrja e të gjitha masave të nevojshme për përmirësimin e eficiencës operative dhe ekonomike të veprimtarisë së licencuar, me qëllim që të sigurojë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të ofruara prej tij në përfitim të klientëve dhe të sektorit të gazit natyror e deri tek kompensimi i dëmeve.
Në draftin e ERE-s parashikohen edhe rastet kur të licencuarit i hiqet licenca apo si veprohet në situata emergjente.
Tregu i gazit, edhe pse sa i takon kuadrit rregullator dhe atij ligjor, ka avancuar në praktikë me investime ende mbetet larg, të paktën sipas konstatimit të fundit të bërë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Shqipëria priste të kishte përfitime të mëdha nga gazsjellësi TAP, i cili për disa vite kontribuoi dukshëm si investim huaj direkt gjatë zbatimit por përfitimet me funksionimin e i tij mund të mos jenë aq të mëdha, pasi vendi ynë nuk ka investuar në infrastrukturë. Në nëntor, TAP njoftoi nisjen e operimeve tregtare. /N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.