“PESHKATARI”, vaj në kanavacë, 120 x 90 cm, 3000 EURO
Një nga veçoritë e artit vizual shqiptar ka qenë përherë personaliteti dhe individualiteti i krijuesve.
Nëpërmjet udhëtimit të tyre në rrugën e mprehjes së aftësive në kontrollin virtuoz të teknikave të mediumeve të ndryshme, ata kanë arritur t’u largohen uniformitetit, që mund ta vëmë re në disa rajone në botë, ku artistët pasi gjejnë një formulë suksesi komercial, futen në zinxhirin e riprodhimeve të njëri-tjetrit.
Gjatë tri dekadave të fundit, shumë prej këtyre krijuesve, pavarësisht moshës së re, nuk na kanë zhgënjyer në farkëtimin e individualitetit të tyre.
Me kokëfortësi ata kanë gjetur një identitet artistik unikal dhe të identifikueshëm, jo vetëm në përdorimin mjeshtëror të teknikave të mediumeve që hulumtojnë, por në krijimin e universit në të cilin veprat e tyre udhëtojnë, duke ndërtuar një narrativë krejt origjinale.
Një ndër zërat më të rinj, i cili ka tërhequr më shumë vëmendjen e vetë artistëve se sa publikut, është piktori Erion Bardhi.
Them jo dhe aq shumë të publikut, pasi ai ka mbajtur një profil tejet modest si krijues, duke u investuar në intimitetin e marrëdhënies me veprën.
Por, nga ana tjetër, nuk ka mundur të anashkalohet nga vëmendja e krijuesve, të cilët te veprat e tij kanë arritur të identifikojnë një figurë tejet origjinale, ku marrëdhënia e subjektit me artistin janë një e tëra, duke i folur atij drejtpërdrejt.
Me një vizatim të zhdërvjelltë, ku personazhet janë në kërkim të vetvetes ose të të ngjashmëve të tyre, në njëfarë mënyre takohemi me veten.
Erioni na i përshkruan personazhet e tij si individë nga jeta e përditshme, pa shumë mondanitete, pa maskën e hipokrizisë së një shoqërie të rrënuar nga korrupsioni moral, por të një grupi individësh në krizën e korrupsionit shpirtëror.
Në veprën e tij nuk shohim të pranishëm teknologjinë, glamouri i ka dhënë hapësirën thjeshtësisë, trishtimi i brendshëm i personazheve që janë në pritje të Godosë kthehet në mjet adhurimi për shikuesin, i cili brenda tyre gjen pjesëza të dhimbjes personale, të cilat me hipokrizi mundohet t’i mohojë.
Erion Bardhi, nëpërmjet një pikturimi të thjeshtë me nota dekorative është i pamëshirshëm në përshkrimin e udhëtimit Odisenian të individit, i cili duket i vetmuar.
Madje dhe kur ai arrin të krijojë një marrëdhënie mes personazheve, monedha e këmbimit në bashkëbisedimin e tyre është vetë shpirti, ku një notë hemofiliakëzimi kthehet në fillin lidhës mes tyre. Herë shohim marrëdhënien e nuklit familjar, herë peshkatarin e vetmuar, i cili krijon një bashkëbisedim me shoqëruesit e tij detarë, duke krijuar realitete magjike Brugeliane.
Erion Bardhi qëllimisht i rrit dimensionet e gjymtyrëve të personazheve. Nëse klasikët i zvogëlonin përmasat e kokave në raport me trupin, për t’u dhënë atyre sa më shumë elegancë, Erion Bardhi i rrit ato, si për t’i bërë personazhet sa më imponues në komunikimin e tyre.
Duart e tyre janë të stërmëdha, si për të na thënë se këto personazhe nuk kanë asgjë për të fshehur, madje ata tentojnë të na prekin së brendshmi me rrudhat që u janë krijuar nga koha dhe puna e rëndë.
Pavarësisht se në disa nga krijimet duket se kërkimi ka mbaruar dhe se Odiseja më në fund ka gjetur Itakën e tij, ne kuptojmë se ky nuk është një fund i lumtur, por një dorëzim i pakushtëzuar ndaj fatalitetit dhe se atij tashmë i ka mbetur vetëm një alternativë.
E bashkëjetesës me këtë fakt të pashmangshëm. Dhe ajo që e bën më ironike këtë zbulim është fakti se veprat e tij nuk mbahen nën spektrin e ngjyrave të errëta, por në një frymë atmosferike me dritë, dhe me pak kontraste.
Pika më e fortë e këtij artisti është stilizimi i figurës njerëzore, krijimi i personazheve sipas imagjinatës së tij, duke mos u druajtur për të na dhënë një univers të tijin, ku pamëshirshmëria e të pavërtetave, padrejtësive, fatkeqësive, monotonisë, fatalitetit në momente të caktuara na bën të vlerësojmë pikërisht atë personazh që i mbart mbi vete këto pesha, pa u ankuar, por si vështirësi që ai herët a vonë do të arrijë t’i kapërcejë.
Dhe ky element është çelësi i veprave të Erion Bardhit, i cili me ekspozitën e tij në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, me modestinë që ka si bashkudhëtarë, e bën që vizitori pas një reflektimi të gjatë, të largohet me një notë lehtësimi dhe kënaqësie.
Të rrallë janë artistët, të cilët me kaq vërtetësi dhe sinqeritet të na bëjnë skanerin e tyre shpirtëror, si Erion Bardhi.
Revista Monitor ofron për lexuesit e saj disa nga krijimet e këtij artisti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.