Ka kaluar sot në Kuvend propozimi i mazhorancës për të vendosur në krye të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ish-deputetin e Partisë Socialiste, Ervin Koçi. Pas votimit me shumicë të thjeshtë në Kuvend, pritet dhe dekretimi nga Presidenti i Republikës.
Koçi do të zëvendësojë në këtë detyrë Enkelejda Shehin, së cilës iu ndërpre mandati nga Kuvendi pas kërkesës që bëri Bordi Drejtues i AMF-së për një sërë shkeljesh të konstatuara, mes të cilave edhe si pasojë e mosmarrjes në konsideratë të rekomandimeve të artikuluara si detyrim nga institucioni direkt përgjegjës për monitorimin e tij.
Pas disa tentativave për ta bllokuar si proces, për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e deputetëve të LSI-së, Kuvendi në seancë plenare me shumicë votash arriti që të shkarkonte drejtoreshën e AMF-së.
Ish-deputeti socialist, Ervin Koçi, i cili pritet të marrë drejtimin e AMF-së ka kryer studimet në Fakultetin Ekonomik, dega Administrim – Biznes. Gjithashtu ka kryer studimet e larta në Fakultetin Juridik, në Tiranë.
Në vitet 2002-2004 ka kryer studimet master në Fakultetin Ekonomik, dega Administrim Publik.
Në vitet 2000-2009 ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Fierit.
Ai u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në vitin 2013.
Në krye të AMF-së, Koçi pritet që të përballet me një sërë sfidash që kryesisht do të kenë të bëjnë me rregullimin e tregut të sigurimeve, i cili ka ngecur për shkak të mosmiratimit të projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në transport”. Gjë e cila pengon edhe zbatimin e sistemit Bonus – Malus (shofer i mirë/shofer i keq) që do ta disiplinonte tregun e vënë jo pak herë nën hetim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.