Flet Armand Sharra, Administrator i “Infosoft Systems”
Rritja e kërkesës për teknologji të re nga bizneset doli në pah, sidomos në muajt e parë të pandemisë, por kjo vazhdon të jetë e lartë edhe sot.
Armand Shara, administrator i “Infosoft Systems”, pohon se kjo vjen si efekt i tre faktorëve: së pari pandemia, së dyti fiskalizimi dhe së treti, maturimi i biznesit. Por pesha e secilit prej tyre në kërkesë mbetet e paqartë.
COVID-19 detyroi si individët edhe bizneset të përshtaten me punën nga shtëpia apo gjetjen e formave të tjera për të vazhduar aktivitetin, duke eliminuar disa ngërçe. A ka nxitur kjo situatë investime në sistemet IT? Si paraqitet situata tani?
Në përgjithësi, pas verës, bizneset kanë pasur mjaft kërkesa në teknologji. Nuk jam në gjendje ta ndaj nëse kjo vjen si efekt i fiskalizimit, për shkak të maturimit të biznesit apo panikut të mbylljes së mundshme nga COVID-19. Ne kemi presion që për shkak të rritjes së numrave dhe mundësisë së një mbylljeje të dytë, kontratat e reja t’i përfundojmë sa më shpejt. Në total, mendoj se është një miks i shkaqeve që rendita..
Po nëse i marrim si sektorë, ku vini re një lloj tendence për t’u qasur më shumë drejt investimeve ?
Reagim ka nga marka të ndryshme TECH Call, nga ndërtimi. Në tërësi, biznesi ka një qasje pozitive sa i takon Enterprice Resource Planing (Planifikimi i Burimeve të Sipërmarrjes – (ERP), Consumer Relationship Management (Menaxhimi i Marrëdhënies me Konsumatorin) që janë shërbimet pas shitjes apo Power Bussines Intelligente (që kërkohet nga nivelet drejtuese).
Mendoj se udhëheqësi kryesor është Bussines Intelligence dhe përgjithësisht është ai që ofron një pamje të përqendruar të biznesit. Ky nivel investimi (BI) është shenja që kompania është maturuar. Për sisteme për menaxhimin e marrëdhënieve me konsumatorin ka pasur kërkesa të vazhdueshme, kryesisht për menaxhim shitjesh dhe shërbimesh. Nuk ka ndonjë tendencë sa i takon marketingut.
Po nga sektorë të tjerë, për shembull bankat, a ka pasur kërkesë?
Kërkesa vjen kryesisht nga biznesi privat shqiptar, që operon këtu, kurse nga bankat përfshihemi kryesisht në shërbim të sistemit të fiskalizimit apo menaxhimit të aseteve. Fiskalizimi ka më shumë vëmendje këto kohë, pasi procesi i nisur nga Ministria e Financave, kërkon që çdo biznes, në momentin kur faturon për produktet apo shërbimet që shet, faturën duhet ta konfirmojë te Tatimet.
Nga 1 janari 2021, çdo biznes që operon në sektorin publik faturën duhet ta kalojë vetëm përmes këtij sistemi. Kjo ndikon te 13 mijë biznese, që faturojnë në sistemin publik dhe këta të fundit, do ndërrojnë sistemin e faturimit sipas kërkesave ligjore, ose do ta transformojnë atë që kanë në përputhje me kërkesat. Ka një rritje të kërkesave në sektor lidhur me këtë.
Kjo kërkesë do të mbetet edhe në vazhdim besoj, pasi më 1 korrik të 2021, çdo faturim që bëhet biznes me biznes, do të bëhet nëpërmjet sistemit që vjen në kuadër të fiskalizimit çka do sjellë të tjera ndryshime. Potencialisht, vetëm ky aspekt kërkon ndryshim rrënjësor në të gjithë sistemet të cilat menaxhojnë bizneset. Dhe, duke qenë para këtij fakti, kërkohet ndryshim rrënjësor në gjithë sistemet që menaxhojnë këta të fundit.
Po sa i takon E-commerce, si duket situata e bizneseve që patën një lloj orientimi drejt saj ose konsolidimi në kohën e pandemisë?
E-commerce ka rritje, por dua të përmend se pjesa kryesore që duhet për këtë lloj biznesi, është sistemi ERP. Nëse një biznes nuk ka sistem të konsoliduar, që menaxhon sistemet e veta, e ka të vështirë të ketë një sistem E-commerce të qëndrueshëm.
Bizneset e kanë kuptuar që investimi drejt E-commerce është i ndryshëm nga ideja e thjesht pranisë në web, ku ti tregon profilin e kompanisë shërbimet apo produktet. Të ndërveprosh me bizneset dhe klientët duhet shumë më shumë sesa një ueb, duhet një ERP e konsoliduar. Për fat të mirë, teknologjitë e reja lehtësojnë implementimin e menjëhershëm të sistemeve.
Një tjetër element që kemi vënë re është interesi i rritur për sistemet të cilat menaxhojnë sistemet e brendshme të kompanisë. Flasim për të dhëna të strukturuara, si për shembull për proceset që kanë të bëjnë me miratimin e një kredie, siguracioni, leje. Të gjitha këto automatizohen dhe firmosja apo vazhdimi para bëhet online, pa qenë nevoja të jetë me letër dhe në zyrë. Ka interes për të automatizuar çdo linjë dokumentesh apo procesi.
Po sa i takon ndërgjegjësimit për pjesën e sistemeve të sigurisë lidhur me sulmet kibernetike në infrastruktura kritike, si paraqitet ai tek biznesi?
Ndërgjegjësimi është rritur dhe investimi është në nivelet si konceptohet risku. Kultura ka ndryshuar dhe e kuptojnë që ka rrezik se duhet trajtuar dhe kuptuar mirë, por vendimmarrja pastaj është tjetër gjë. Nga sektori bankar apo telekomunikacioni ka rritje eksponenciale sa i takon pjesës së sigurisë kibernetike.
Ka një tendencë të profesionistëve të IT për të emigruar njëlloj si disa kategori të tjera, siç janë mjekët apo inxhinierët? Ju a e ndieni këtë tendencë? Po lehtësimi që u bë për tatimfitimin 5% për prodhuesit e softuerë, si është pasqyruar në kompaninë tuaj?
Ne si kompani e kemi trajtuar këtë lehtësim që u dha për kompanitë nga paketa fiskale e vitit 2018 në përfitim të punonjësve, pra kemi investuar më shumë në burime njerëzore, për t’ju përgjigjur nevojave të tregut. Risku i largimit të profesionistëve ekziston në disa sektorë, por mendoj se ne kemi metodika të qëndrueshme, që na garantojnë edhe qëndrueshmëri të stafit.
Incentivat e pagave dhe bonuseve bëjnë që punonjësit të kenë një standard pagese i cili i ofron një nivel jetese të ngjashme me vende të ndryshme europiane. Gjithsesi, nëse dikush largohet për një sistem arsimor më të mirë për fëmijët apo për një shërbim shëndetësor më cilësor, këtë nuk e ndalojmë dot.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.