Flet Rigers Kaçorri, Kantina Arbëri
Prodhimi i rrushit në vitin 2021 ishte në nivele mjaft të mira dhe këtu nuk flitet vetëm për sasinë, por edhe për cilësinë. Rigers Kaçorri, nga Kantina Arbëri” shprehet se me plot gojë, ky vit mund të cilësohet një vit “i artë” për sektorin.
Lehtësimi gradual i situatës së pandemisë dhe rikthimi drejt normalitetit ka bërë që sektori i verës të ketë një ecuri më pozitive gjatë këtij viti në raport me 2020 kur shpërtheu COVID-19. Ka një rritje të konsumit dhe shitjeve nga njësitë e specializuara, por edhe nga baret e restorantet. Pritshmëritë për vitin 2022 janë pozitive.
Si ishte viti 2021 për sektorin e verës në vend dhe si ka qenë prodhimi i kantinave në përgjithësi dhe specifikisht për ju?
Viti 2021, për sektorin e verës, ka qenë vit sfidues dhe i vështirë për një sërë faktorësh. Pengesë për ne mbetet ora policore, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në mbylljen e restoranteve, të cilët janë ndër klientët tanë potencialë. Nëse këto masa kufizuese do të rëndohen më tej me aplikimin edhe të Greenpass, sigurisht situata jonë do të rëndohet më shumë.
Nëse do të bëja një krahasim me vitin 2020, edhe pse ekuilibri i sistemit nga prodhuesi te konsumatori mbetet sfidues, mendoj se ky vit ka qenë më i mirë si në prodhimtari, edhe në shitje. Ndër muajt më favorizues të sektorit tonë, do të përmendja periudhën maj-shtator, për shkak të sezonit turistik.
Si vit prodhimi ka qenë vit shumë i mbarë, sepse rrallëherë ndodh që bashkohen cilësia e rrushit me sasinë dhe mund ta quaj me bindje si një vit i artë për sektorin tonë.
“Kantina Arbëri” për këtë vit krahasuar me vitet e kaluara e ka shtuar kapacitetin e prodhimit deri në 2-3% më shumë dhe besojmë fort që vera e bardhë e varietetit ‘Sheshi i bardhë’ por edhe vera e kuqe e varietetit ‘Kallmet’ do të jenë surprizat e vitit 2021, për tregun dhe do të jenë me aroma të plota dhe të freskëta.
Cilat kanë qenë disa nga problematikat që keni hasur gjatë këtij viti për shkak të situatës ende të pranishme të pandemisë. Si ndikoi fakti që sezoni turistik ishte shumë më mirë se një vit më parë, por ende mungojnë aktivitetet sociale në raport me më parë?
Një rrjedhojë e vazhdueshme e pandemisë, e cila mbetet problematike në sektorin tonë është mbiprodhimi, ku kemi hasur vështirësi në përpunim, sepse kantinat kanë qenë të tejmbushura me verën e vitit 2020 e si pasojë, shumica e kantinave të verës janë detyruar që lëndën e parë rrush, ta shesin në vend të përpunimit.
Këtë problematikë e kanë hasur edhe fermerët dhe realisht duhet që të fillojmë dhe të planifikojmë pjesën e përpunimit dhe të kemi një hartë të plotë të të gjithë vreshtave në Shqipëri, që të parandalojmë problemet e mundshme në të ardhmen.
Këtë vit kam vënë re që ka një superprodhim vendas dhe kantinat duhet të kenë përparësi fermerin shqiptar, duke diskutuar gjithmonë pjesën e çmimit që për realitetin tonë është pak i lartë, por e justifikon vetëm cilësia e lartë.
Pavarësisht ndikimit pozitiv që solli sezoni turistik, mungesa e aktiviteteve dhe orës policore, siç e theksova më parë, ka sjellë kufizim në numrin e personave që duan të bëjnë degustime, ose të shijojnë verën në kantina, restorante apo resorte.
Si është kërkesa për verën në dyqane, restorante, pra nga ana e bizneseve dhe individëve këtë fundvit?
Këtë fundvit kemi identifikuar se kërkesat, si nga individët, edhe nga bizneset për produkte të verës vendase kanë qenë më të larta dhe kjo na ka motivuar edhe më shumë, pasi puna jonë po përkthehet në rritjen e reputacionit të produktit ‘Made in Albania’.
Kjo ndihet sidomos edhe nga bizneset, restorante të cilat janë bindur se verërat shqiptare janë të një kualiteti krahasues me verërat europiane. Ndihem mirë që shumë vinoteka, bioshop-e, wine shop-e kërkojnë vetëm verë vendase dhe produkte vendase dhe ky është një sinjal motivues për sektorin tonë. Shpresoj shumë që ky fundvit të jetë në ritmet e 2019-s, me një kërkesë që arrinte përafërsisht 10% të shitjeve vjetore.
Si ka ndikuar te ju rritja e çmimit të shisheve dhe çfarë kostosh të tjera janë shtuar?
Në dijeninë time ka filluar të mendohet rritja e çmimit, edhe pse disa kantina tashmë e kanë aplikuar këtë gjë. Rritja e çmimeve është e pashmangshme, është drejtpërdrejt e lidhur me rritjen e çmimit të lëndës së parë, rrushit, me 5-10 lekë për kg, por edhe të rritjes së shisheve të qelqit. Të gjitha kantinat i marrin shishet jashtë dhe vitin tjetër do të ketë probleme për qelqin, që ka një rritje 15-20%, duke shtuar edhe koston e importit, sigurisht rëndohen edhe më shumë financat e prodhuesve shqiptarë.
Rritje të njëpasnjëshme ka shënuar edhe kartoni që përdoret për të mbajtur kutitë e verës apo letra që përdoret për etiketimin.
Është rritur në mënyrë të frikshme transporti. Nëse një paletë për eksport ose import e merrje me 150-200 euro, tani është minimalisht 500 euro pa taksat e përfshira. Një kontejner për eksport, në qoftë se para pandemisë e merrje me 1800-2000 dollarë, sot është mbi 11000-15000 dollarë dhe duhet prenotuar të paktën tre muaj përpara sepse nuk ka gjendje.
Të gjitha kantinat në vendet europiane dhe në Ballkan kanë rritur çmimin e verës, ndaj mendoj që edhe sektori ynë do të fillojë të mendojë diçka të tillë në 2022. Por gjithmonë duke parë tregun dhe kohën sesa do të zgjasë rritja e çmimeve e lëndëve të para.
Kjo do të sjellë tkurrje të shitjeve dhe shpresoj që shteti të gjejë mekanizma ndihmues për të gjithë sektorin, në mënyrë që kostot të jenë në nivele të pranueshme.
Ka një shqetësim që ndryshimet klimatike po ndikojnë dukshëm prodhimin e verës. Për shembull, disa rajone në Francë po humbasin nga këto ndryshime e të tjerë si Britania apo Suedia, po përjetojnë lulëzim për shkak të kushteve të reja. Ju në Shqipëri, a i vëreni këto pasoja?
Kjo është e vërtetë që kushtet klimatike, ose ngrohja globale, po sjellin një sërë problematikash për sektorin e verës dhe vendet europiane kanë filluar studimet dhe ndihmat për sektorin që këto problematika të ndikojnë sa më pak te prodhuesit. Mendoj se ndryshimet janë ndier edhe në Shqipëri dhe kjo vihet re nga viti në vit.
Sivjet ka pasur vonesa në pjekjen e rrushit, të paktën me 10 ditë, duke sjellë një sërë problemesh te fruta/rrushi, i cili nëse nuk arrin pjekjen e duhur, nuk mund të përpunohet në kantinë apo karakteristikat e tij ndryshojnë dhe mund të mos përdoret për asgjë, sepse mban ngjyrën kuqe jo të plotë edhe pasi ka kaluar mesi ose fundi i shtatorit.
Britania e Madhe, shumë shpejt do të jetë vendi ku do të prodhohet vera ku para disa vitesh nuk mendohej, sepse klima në ato zona po ndryshon me shpejtësi. Kina, për shembull, do të jetë prodhues i rëndësishëm për prodhimin e verës, sepse klima në disa zona po bëhet e përshtatshme për prodhimin e rrushit që po ta mendosh para disa vitesh ishin vende të braktisura.
Mendoj se të gjithë prodhuesit duhet të mendojnë që të mbjellin vreshta minimalisht 400 metra mbi nivelin e detit dhe të punohet për siguracionet. Kjo është një kauzë globale dhe besoj duhet që gjithsecili nga ne të bëjë pjesën më të mirë të tij, që të shpëtojmë nga ndryshimet klimatike.
Si kanë qenë eksportet për ju dhe cilat kanë qenë vendet me interes më të lartë?
Eksportet për ne, që pas pandemisë, kanë pësuar rënie, e lidhur kjo me problematikat e sektorit të transportit. Partnerët tanë janë të gatshëm t’i rikthehen ritmit të humbur prej pandemisë, sapo kjo situatë të normalizohet.
Shpresojmë që pas marsit 2022, atmosfera e tregtisë do të pësojë kthesë dhe eksportet do të jenë në trend rritës. Vendet ku ne jemi të pranishëm prej vitesh janë Gjermania, Zvicra, Franca, SHBA, Danimarka, Austria, Serbia dhe pothuajse të gjitha vendet shqipfolëse në Ballkanin Perëndimor si Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi.
Ka shumë interes për verërat shqiptare, duke filluar nga Kina, Australia e largët e deri në Kanada dhe shpresojmë që në një periudhë 3-4-vjeçare, eksportet të rriten në nivelin 40% për kantinën tonë, deri në vitin 2025, edhe pse është një ëndërr për momentin.
Si e parashikoni vitin 2022 për sektorin e verës në përgjithësi?
Besoj që viti 2022 do të jetë premtues për tregun vendas dhe atë të huaj. Përqafimi i verërave shqiptare, gjithnjë e më shumë nga konsumatorët, është një mundësi për t’u zgjeruar në treg. Gjithashtu, synim i përhershëm ngelet penetrimi në tregun e jashtëm, ku gjithmonë është provuar që verërat ‘Made in Albania’ kanë krijuar interes për të huajt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.