“Ethet” e investimeve mund ta sëmurin ekonominë më shumë sesa pandemia

31/07/2020 10:10 PM 0 komente

Qeveria po i përqendron fondet në projektet e mëdha publike, kryesisht infrastrukturë rrugore, si një mjet për të nxitur ekonominë në këtë periudhë krize. Por, ekspertët paralajmërojnë se financat nuk i kanë kapacitetet për t’i mbuluar ato me fondet e nevojshme.
“Ethet” e tanishme të investimeve, në një kohë që të ardhurat buxhetore priten në rënie të ndjeshme, rrezikojnë detyrime të mëdha në buxhet. Kjo sjellje mund ta sëmurë më keq ekonominë në afatin e mesëm, sesa bëri pandemia. Ekspertët pohojnë se financat nuk i kanë më nën kontroll shpenzimet publike, gjë që pritet të shoqërohet me rritje të fortë të detyrimeve në të ardhmen

 

Nga viti 1993 deri në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nga fondet buxhetore janë investuar për ndërtimin e veprave publike, si rrugë, shkolla, ujësjellës dhe objekte të tjera rreth 1,2 trilionë lekë, ose 11,2 miliardë euro. Rreth 86% e kësaj shume, ose rreth 9,7 miliardë euro, ishte borxh që u mor nëpërmjet deficitit buxhetor, pjesa tjetër u mor nga zërat e taksave dhe tatimeve.

Por, këtë vit, rregulli u prish nga rishikimi i buxhetit, për shkak të pandemisë. Deficiti buxhetor arriti në 133 miliardë lekë, ose më shumë se 1 miliard euro, ndërsa investimet publike 87,8 miliardë lekë. Borxhi i ri i kaloi shpenzimet për investime në vitin 2020, me rreth 34%, ndërsa ekspertët bëjnë thirrje se mirëmenaxhimi i fondeve buxhetore është çelësi i suksesit për të përballuar krizën e dyfishtë që po kalon vendi prej tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë COVID-19.

Azmi Stringa, ish-drejtori i Departamentit i Auditimit të Buxhetit të Shtetit, ka hartuar raportet e auditimit të buxhetit faktik 2017-2018, ku paralajmërohej keqmenaxhimi i fondeve buxhetore dhe rritja e detyrimeve të prapambetura. Ai tha për “Monitor” se investimet në infrastrukturë nuk janë domosdoshmërisht të këqija në teori. Por, paralajmëroi ai, në kushtet ku ndodhemi, me ecurinë e dobët të Qeverisë në menaxhimin e tyre, dhe pa një analizë dhe rishikim të ecurisë së investimeve në proces apo zbatimin e programit të rindërtimit me eficencë, këto projekte janë ambicioze përtej kapaciteteve tona.

Sipas tij, përqendrimi i fondeve publike për investime në infrastrukturë, pa transparencë dhe monitorim të ecurisë së tyre, si dhe ndërmarrja e projekteve të reja, pa forcuar sistemet e kontrollit mbi investimet publike, rrit risqet fiskale dhe ndikimin negativ në financat publike. Për më tepër, riorientimi i fondeve publike për investime në ndërtimin e rrugëve, disa prej të cilave pa fizibilitet si Rruga e Arbrit, ajo Qukës – Qafë-Thanë, dhe koncesionet PPP, përveçse do të ngarkojnë më tej borxhin publik, rrezikojnë të kthehen në gropa të zeza për taksat e shqiptarëve dhe nuk sjellin zgjidhjen e problematikave ekonomike, të krijuara së fundmi nga pandemia.

Panajot Soko, i cili më parë ka punuar në Drejtorinë e Programit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, thotë se, ekonomia po përballet me emergjenca. Njerëzit kanë humbur punën në masë dhe bizneset, për shkak të pakësimit të xhiros ditore, po mbyten në detin e detyrimeve fikse mujore. Duke mos përballuar këto detyrime, rrjedhimisht janë në mbijetesë dhe po fshijnë vendet e punës.

Ekonomia ka nevojë për “ilaçe” që adresojnë këto lloj simptomash. “Investimet publike nuk zgjidhin gjë, kur vjen puna tek këto simptoma. Shtesa në vendet e punës nga angazhimi në ndërtimin e një rruge p.sh., do të jetë minimale, për të mos thënë e pakonsiderueshme”, thotë z. Soko.

 

Stoku i investimeve buxhetore zgjerohet me 6,6% në prag zgjedhjesh

Në rishikimin për herë të tretë të buxhetit 2020 u parashikua që të ardhurat të jenë 4% më të ulëta se fakti i një viti më parë. Ky parashikim mbetet gjithsesi optimist, pasi për 5-mujorin, tkurrja e të ardhurave është -15%. Në kahun tjetër, shpenzimet priten 18% më të larta se fakti i një viti më parë, duke e çuar deficitin në 132 miliardë euro, ose mbi 1.1 miliardë euro, nga 250 mln euro që ishte vitin e mëparshëm.

 

BURIMI: MINISTRIA E FINANCAVE

 

Qeveria ka rritur edhe shpenzimet kapitale, duke i çuar ato në 87,8 miliardë lekë, nga 81.6 miliardë lekë të programuara fillimisht në buxhetin 2020. Zakonisht, në periudha krizash të paparashikuara në të ardhura, qeveritë shkurtojnë shpenzimet dhe sidomos investimet, duke i bllokuar qoftë edhe përkohësisht proceset e prokurimit. Por këtë vit, ndonëse kriza e të ardhurave ishte më e thellë, qeveria rriti me 50 milionë euro, ose 7.5% fondin për investimet kapitale. Fondet shtesë do të shkojnë në zërin “transporti rrugor” për ndërtimin e akseve të reja.
Stoku i investimeve buxhetore ishte 1,3 trilionë lekë në vitin 2019, por këtë vit u zgjerua edhe me rreth 87 miliardë lekë, ose me 6.6%.

Por në sfond të llogarive të hapura buxhetore, rreziqet e kontratave koncesionare (PPP) janë të mëdha, pasi ato po rezultojnë më të larta se planifikimi fillestar. Sipas të dhënave të fundit nga Thesari, shpenzimet e Rrugës së Arbrit janë kontabilizuar me 74 miliardë lekë, nga 32 miliardë lekë të parashikuara në kontratë. Për shkak të një defekti në një nga tunelet, kosto e rrugës është rritur më shumë se dyfish, pa u konsultuar.

Të 50 kilometrat e rrugës janë kontabilizuar në buxhet me 600 milionë euro. Kjo rrugë është me dy korsi dhe të gjitha studimet e mëparshme e kanë nxjerrë pa leverdi ekonomike, për shkak të fluksit të ulët të trafikut. Kosto e rrugës që do të paguhet nga buxheti është rritur me 132% nga parashikimi në kontratë.

Z. Stringa, i cili ka audituar buxhetin e shtetit për llogari të Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitet 2017-’18, tha se, problemi në Shqipëri qëndron se projektet në infrastrukturë kanë kosto të fryra, abuzime në zbatim, dhe janë jo ekonomikisht fizibël, duke mos u përkthyer në rritje ekonomike.

Stringa shprehet se, në kushtet kur të ardhurat nuk do të realizohen, një tjetër rrezik është që fondet hapen që të prokurohen këtë vit (Ligji parashikon që duhet të kesh 20% këtë vit që të vazhdosh prokurimet), të jepen kontrata dhe më pas faturat qëndrojnë në sirtar, duke shtyrë në kohë pagesat dhe duke krijuar detyrime të prapambetura, siç ka ndodhur vitet e kaluara.

“Pa transparencë dhe monitorim të imët të çdo investimi publik, mbajtja hapur e fondeve për projekte investimesh apo çelja e fondeve për projekte të reja, rrit rrezikun e realizimit formal të tyre për të bërë të mundur thithjen e pagesave padrejtësisht nga buxheti i shtetit, në kushtet e sistemeve të dobëta dhe të ndikueshme të kontrollit mbi zbatimin e buxhetit që karakterizon shtetin shqiptar”, pohon ai.

 

A është rikthimi te rrugët korsia e duhur

Pas një “braktisje” gati pesëvjeçare të investimeve në infrastrukturën rrugore, për shkak edhe të konkurrencës brenda koalicionit qeveritar në mandatin e kaluar, tani qeveria ‘Rama 2’ kërkon të lërë gjurmë, duke përfunduar disa akse të rëndësishme nacionale.

Rruga e Arbrit, Unaza e Madhe e Tiranës, Boshti i qendrës Milot – Fier do të ndërtohen deri në fund të vitit 2025. Edhe pse mundësitë për të financuar projektet e mëdha të rrugëve kushtëzojnë ambiciet, duket se qeveria do të përfshijë në përdorim dy instrumente të reja të papërdorura deri më tani nga qeveritë e mëparshme, të cilat gjithsesi krijojnë një faturë borxhi kolosale të pakontabilizuar në avancë.

Burimet zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës pohuan se mundësitë për financim nga buxheti i shtetit për ndërtimin e rrugëve janë shumë të pakta. Për vitin 2019 u angazhua një shumë prej vetëm 24 miliardë lekësh nga fondet e brendshme, e cila nuk e plotëson 20% të financimeve që kërkon sektori për projektet e nisura.

Por siç është paralajmëruar, burimi më i madh i financimit të projekteve do të jetë paketa 1 miliard euro, që po funksionon fillimisht për Rrugën e Arbrit, teksa për shkak të pandemisë u bllokuan përkohësisht koncesionet për akset Milot – Balldren, Orikum – Dukat. Nga ana tjetër, do të eksperimentohet edhe ndërtimi i rrugës Milot – Fier me taksa të drejtpërdrejta.

 

BURIMI: MINISTRIA E FINANCAVE

 

Frontet e hapura të investimeve buxhetore kërkojnë edhe 930 mln euro financime

Qeveria e Shqipërisë po vijon financimin e 680 projekteve që janë kryesisht investime publike në infrastrukturë, të cilat kërkojnë mbështetje financiare shumëvjeçare. Këto projekte kanë një kosto totale prej 507 miliardë lekësh, rreth 4 miliardë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave që u referohen azhurnimeve të fundit, qershor 2020. Nga kjo shumë deri më tani janë financuar 309 miliardë lekë (3.1 miliardë euro) dhe mbeten për t’u financuar edhe 117 miliardë lekë të tjera, apo rreth 930 milionë euro.

Nga projektet në zbatim, detyrimin më të madh financat e publike e kanë ndaj Rrugës së Arbrit. Sipas Ministrisë së Financave, deri tani, për këtë projekt janë paguar 5 miliardë lekë dhe mbeten për t’u paguar edhe 67.4 miliardë lekë. Pagesat që duhen kryer ndaj Rrugës së Arbrit zënë gati gjysmën e angazhimeve në fuqi për investimet publike.

Projekti i dytë për të cilin qeveria ka marrë angazhim shumëvjeçar janë kontratat e koncesionit të Rrugës së Kombit, e cila do të financohet me mbi 10 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Deri më tani janë disbursuar 609 milionë lekë. Këto pagesa janë kryesisht për financimin e trafikut të munguar.

Sipas të dhënave të Thesarit, projekti i tretë me angazhimin më të kushtueshëm është ndërtimi i Rrugës Kardhiq – Delvinë, me një financim total 10 miliardë lekë, ku mbeten të papaguara ende 4,2 miliardë lekë.
Siç shihet nga tabela e detajuar e Ministrisë së Financave, angazhimet më të mëdha të pagesave për investimet në vijim janë ndaj kontratave koncesionare.

Monitorimi periodik i shpenzimeve për angazhimet shumëvjeçare të investimeve publike u ndërmor nga qeveria pas vitit 2013, me qëllimin për të parandaluar krijimin e detyrimeve të prapambetura. Kur erdhi në pushtet, Qeveria Rama gjeti gati 500 milionë euro detyrime të prapambetura. Këto detyrime ishin krijuar nga qeveria e mëparshme, e cila kishte hapur fronte punimesh në rrugë më shumë se mundësitë financiare në buxhetin e shtetit.

Por sipas të dhënave të fundit, detyrimet për financimin e kontratave buxhetore në fuqi po u afrohen 1 miliard eurove, shumë kjo që kërkon financime nga buxheti përtej një mandati qeverisës. Pandemia duhet të rriste përgjegjshmërinë, për shkak se të ardhurat buxhetore pritet të shënojnë rënie me 15% nga planifikimi fillestar, ndërsa borxhi nga deficiti buxhetor i ka kaluar 1 miliard eurot, sipas rishikimit të fundit të buxhetit 2020. Por ndryshimet e fundit sinjalizojnë rreziqe, pasi investimet publike janë rritur pikiatë dhe borxhi publik rrezikon të kalojë 80% e PBB-së.

 

Po nëse plani i të ardhurave nuk realizohet?

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për 6-mujorin, të ardhurat buxhetore kanë rënë me 14%, ose rreth 250 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Tatimet presin që të vijojë e njëjta tendencë deri në fund të vitit. Por, buxheti i rishikuar parashikon një skenar optimist, me tkurrje vetëm 4% të të ardhurave në buxhet. Nëse të ardhurat bien me 14% dhe shpenzimet realizohen sipas planit, deficiti mund të arrijë në 1.5 mld euro.

Stringa thotë se parashikimi i të ardhurave në Aktin Normativ 3, është shumë optimist. Ai pohon se, pavarësisht se të ardhurat tatimore janë riparë në ulje me 57 miliardë lekë në krahasim me planin fillestar të vitit 2020, ato zënë po 25.8% të PBA-së sa dhe vitet e mëparshme.

“Duhet të kemi parasysh se viti 2019 qe një vit i vështirë për buxhetin e shtetit. Në fund të vitit 2019, u ndërmorën një sërë masash për të mbajtur treguesit nën kontroll, disa prej tyre me implikime të shtyra në 2020 (nuk qe menduar se do të ndodhnin dy goditje njëra pas tjetrës). Realizimi i të ardhurave në vitin 2020 mbetet për t’u parë edhe si rezultat i zhvendosjes në periudha të arkëtimeve apo pagesave. Ligji organik i buxhetit parashikon që të ardhurat njihen kur arkëtohen, ndërsa shpenzimet kur ndodhin, pavarësisht pagesës së tyre.

Në vitin 2019 u bënë dhe arkëtimet për tatimin për dividendin nga ata që përfituan prej “amnistisë de fakto” të ndryshimit të normës së tatimit retrospektiv, çka është teorikisht një ngjarje që nuk përsëritet dhe ndikoi pozitivisht në realizimin e këtij viti. Po kështu, mbase qeveria ka pritshmëri për arkëtime nga ligji i ri i amnistisë fiskale që ka paraqitur, të cilat mund të ndikojnë pozitivisht në realizimin e planit. Fatura e financave publike dhe ndikimi sipas viteve është ende me paqartësi të mëdha në gjykimin tim, dhe nuk është përfshirë në planifikim”.

Nga ana tjetër, Stringa pohon se katër elemente mund të ndikojnë negativisht në realizimin e të ardhurave për vitin 2020:

1. Rritja negative ekonomike mund të rezultojë më shumë se -5% për vitin, si rrjedhojë edhe e pasigurive të mbetura në pjesën e mbetur të vitit.

2. Ndikimi jo i njëtrajtshëm i krizës në sektorët ekonomikë dhe pesha që ata zënë në mbledhjen e të ardhurave tatimore.

3. Planifikimi në vlera neto i TVSH-së, pa zbritur rimbursimin e TVSH, çka mund të sjellë rritje të detyrimeve në rimbursim, ose nën realizim të planit të të ardhurave nëse shlyen këto detyrime në varësi të ecurisë së arkëtimeve.

4. Gjendjes së detyrimeve të DPT për tatimfitimin ndaj bizneseve, në fund të vitit 2019, si dhe rezultateve negative të biznesit këtë vit, çka do të ndikojnë negativisht në të ardhurat e arkëtuara nga ky burim.
Por, çfarë ndodh nëse të ardhurat nuk realizohen.

“Përgjithësisht mosrealizimi i planit të të ardhurave ka sjellë presion në krijimin e detyrimeve të prapambetura, që do të ishin të dëmshme për biznesin në këtë vit të vështirë, edhe në kushtet kur nuk ka një kontroll të mirë të shpenzimeve. Në këto kushte, normalisht duhet monitoruar procesi i realizimit të shpenzimeve, duke filluar nga rishikimi i buxhetit.

Është e vështirë edhe për Ministrinë e Financave të mbash nën kontroll shpenzimet nëse janë bërë çeljet, prokurimet, apo nuk raportohen, sidomos kur kontrollet buxhetore janë jo efektive. Në këto kushte, nëse të ardhurat nuk realizohen, Qeveria ose do rrisë dhe financojë deficitin në tregje, çka do të thotë borxh edhe më i lartë, ose do të shkurtojë shpenzimet. Problemi qëndron se shpenzimet, nëse lejohen të kryhen, është vështirë t’i shkurtosh, përveçse formalisht, duke mos e regjistruar dhe paguar.

Kjo praktikë ka ndodhur gjatë viteve për të ruajtur treguesin e deficitit, por ka sjellë krijime detyrimesh të prapambetura. Në këndvështrimin tim, Qeveria ka buxhetuar më shumë shpenzime se mund dhe duhet të realizojë. Teknikisht, kjo i krijon mundësi ta monitorojë ecurinë e tyre dhe lejon hapësira për shkurtim shpenzimesh nëse nuk realizohen të ardhurat (teknika: shohim si ecin dhe pastaj ndërhyjmë, post fakt me akte normative në fund të vitit), por nga ana tjetër ka rrezik të madh që situata t’i dalë jashtë kontrollit duke shtuar detyrime të prapambetura apo duke raportuar realizime fiktive te disa zëra buxhetorë.

Për këtë arsye është e rëndësishme të japim përparësi, të monitorojmë dhe të jemi transparentë për investimet kapitale, sepse në shpenzimet korrente kemi shumë pak hapësira korrigjuese. Duke të kemi parasysh që presioni dhe konkurrenca nga aktorë privatë për të marrë fondet publike pa u prerë, në kushte krize bëhen edhe më të larta. Edhe krijimi i radhëve për pagesa nuk është dukuri pozitive.

Po kështu, nëse Institucionet ndërmarrim angazhime të reja, në kushte të mosrealizimit të buxhetit, risqet fiskale rriten, pavarësisht mbajtjes apo jo formalisht të treguesve fiskalë brenda parametrave nga qeveria. Ky është një risk real, që mund t’i interesojë politikës afatshkurtër por kurrsesi shtetit, dhe fatkeqësisht historiku i institucioneve publike, lë për të dëshiruar, në pavarësinë nga politika apo grupe interesi të lidhura më të”, thotë Stringa.

 

BURIMI: MINISTRIA E FINANCAVE

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of