Ndryshimet e konsiderueshme në rezultate, që shkojnë përtej marzhit të pranuar të gabimit në sondazhe prej afërsisht 3%, ngrenë pikëpyetje lidhur me besueshmërinë e tyre.
Ersuin Shehu
Duke filluar nga viti 2005, edhe në Shqipëri nisën të zhvilloheshin dhe publikoheshin sondazhet e pavarura për parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Për shkak të mungesës së një tradite të gjatë me kryerjen dhe prezantimin e sondazheve parazgjedhore dhe për shkak të një tensioni konstant që ekziston në mjedisin politik, këto sondazhe janë rrethuar përgjithësisht me debate dhe paragjykime.
Po të shohim rezultatet e sondazheve, ajo që bie në sy është se mes rezultateve të raportuara ka diferenca të mëdha. Ndryshimet e konsiderueshme në rezultate, që shkojnë përtej marzhit të pranuar të gabimit në sondazhe prej afërsisht 3%, ngrenë pikëpyetje lidhur me besueshmërinë e tyre.
Sondazhet përballë
Deri tani, janë të paktën tre media në vend që kanë nisur një seri sondazhesh deri në zgjedhjet e 25 prillit. Rezultatet e këtyre sondazheve janë prezantuar në një kohë të afërt me njëra-tjetrën, mes gjysmës së dytë të muajit janar dhe fillimit të shkurtit. Duke pasur parasysh këtë fakt, duket se diferencat në rezultatet e raportuara janë relativisht të mëdha.
Sondazhi i fundit i “Euronews Albania”, i kryer nga kompania e kërkimeve MRB, ka nxjerrë fituese Partinë Socialiste me 41.8%, e ndjekur nga Partia Demokratike me 28.2% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 10.3%. Sipas sondazhit, nëse të gjitha partitë opozitare do të bëheshin kundër PS, ato do të merrnin 42.7% të votave, ndërsa Partia Socialiste do të fitonte 44% të votave. Sipas sondazhit, rreth 16% të intervistuarve janë të pavendosur për votën.
Sondazhi i “Flame Tree Advisors”, i prezantuar nga “Syri TV”, nxjerr sërish forcë të parë Partinë Socialiste, me 38.2%, ndërsa Partia Demokratike rezulton me mbështetje më të lartë krahasuar me sondazhin e MRB, me 33.6%. Por, sipas këtij sondazhi, forcat opozitare së bashku do të fitonin rreth 48.6% të votave.
Sondazhi i parë i “Ora News” publikoi rezultate vetëm për Qarkun e Tiranës dhe e nxirrte Partinë Socialiste në intervalin 46-50%, Partinë Demokratike në intervalin 36-40%.
Sondazhet tregojnë edhe një përqindje të lartë të të pavendosurve, por edhe këtu diferencat janë të konsiderueshme. Përqindja e të pavendosurve në nivel kombëtar varion nga 16% në të dhënat e sondazhit të “Euronews Albania”, në 30% në sondazhin e “Ora News”. Përqindja e lartë e të pavendosurve në teori lë hapësira për ndryshime domethënëse të raporteve, në varësi edhe të zhvillimeve që do t’u paraprijnë zgjedhjeve.
Ekspertët: Sondazhet që kryhen në një kohë duhet të dalin me rezultate të përafërta
Të pyetur nga revista “Monitor”, ekspertët mendojnë se sondazhet që kryhen afërsisht në të njëjtën kohë nuk duhet të kenë diferenca të mëdha në rezultate, për sa kohë që metodologjia e ndjekur është korrekte.
“Kjo nuk duhet të ndodhë, për sa kohë që metodologjia e përdorur në anketim është korrekte dhe rastësore. Nëse ndodh, ka pasaktësi në mbledhjen e të dhënave. Puna mund të çalojë në përzgjedhjen e kampionit, në mënyrën sesi bëhen pyetjet, etj. Pra, unë do të thoja: a është ndjekur një metodologji e saktë? A reflekton përfaqësueshmëri si kampion? Ajo që ne si ekspertë mund të bëjmë në këtë rast është të gërmojmë në metodologjinë e sondazheve, për të kuptuar pse mund të ndodhin këto ndryshime.
Të mos harrojmë se edhe koha kur zhvillohen anketat përcakton ndikimin në rezultate. Me fjalë të tjera, nuk mund të pritet i njëjti rezultat i anketës edhe pse zbatohet e njëjta anketë, por në momente të ndryshme kohore” – shprehet Edmond Çera, drejtor i Departamentit të Hulumtimeve në kompaninë IDRA. https://www.monitor.al/pse-kemi-surpriza-kur-dalin-rezultatet-reale-te-zgjedhjeve/
Statisticieni Eduard Zaloshnja mendon se ndryshimi i madh në rezultatet mes sondazheve të ndryshme në Shqipëri mund të ndodhë për shkak të mosnjohjes së aktualitetit elektoral shqiptar nga kompanitë që kryejnë sondazhet, duke pasur parasysh që shpesh këto sondazhe kryhen nga kompani të huaja. Megjithatë, ai nuk përjashton që rezultatet të jenë të deformuara nga ndërhyrjet e pronarëve të mediave që i porositin këto sondazhe. https://www.monitor.al/pse-ka-diferenca-mes-sondazheve-te-ndyshme-rastet-e-deshtimeve-spektakolare/
Kur sondazhet gabojnë
Përvoja ka treguar që sondazhet mund të gabojnë, madje edhe ato me diferencë relativisht të thellë. Eksperti Eduard Zaloshnja veçon rastet e sondazhit të Institutit të Kosovës, “Gani Bobi”, për zgjedhjet lokale në Tiranë, ose atë të GfK për zgjedhjet e përgjithshme 2017.
Por, sondazhet nuk kanë dështuar vetëm në Shqipëri. Në nivel botëror, dështimi më i fundit i bujshëm për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve ndodhi në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, ku pothuajse të gjithë sondazhet patën parashikuar fituese kandidaten Hillary Clinton, me një marzh që arrinte deri në 7 pikë përqindje. Në parashikimet e tyre për shanset e secilit kandidat, ekspertët e sondazheve i dhanë Hillary Clinton shanse për fitore që fillonin nga 70%, deri në 99% në raste të veçanta. Por, zgjedhjet nxorën fitues kandidatin republikan, Donald Trump.
Analizat që ekspertët kryen pas zgjedhjeve nxorën në dukje disa faktorë që çuan në dështimin e sondazheve. Më i rëndësishmi është ai që në ditët e fundit, shumica dërrmuese e të pavendosurve zgjodhën të votonin Trump. Në teori, mund të ndodhë që shumica e të pavendosurve të anojë në një krah të caktuar dhe është e vështirë që sondazhet ta parashikojnë me saktësi një zhvillim të tillë. Ekspertët mendojnë se kjo mund të lidhet kryesisht me zhvillimin e fushatës në ditët para zgjedhjeve dhe me ngjarje apo fenomene të veçanta të paparashikuara që mund të favorizojnë njërën palë.
Një hipotezë tjetër që disa studiues ngritën ishte se shumë të anketuar ndoshta gjendeshin në siklet për të deklaruar votën në favor të një kandidati jopopullor, siç ishte Trump.
Një element tjetër i rëndësishëm është fakti që në kampionët e sondazheve pati një peshë të lartë të individëve të diplomuar, shumë më të lartë se mesatarja e tyre kombëtare. Përgjithësisht, individët e arsimuar kishin një mbështetje të dukshme në favor të kandidates Clinton.
Eksperti Edmond Çera evidenton se kjo ndodh për shkak se në SHBA, përqindja e individëve që refuzojnë t’u përgjigjen sondazheve është relativisht e lartë. Kjo mund të ketë sjellë një përqendrim të kampionit të të intervistuarve drejt individëve më të arsimuar, që zakonisht janë më të gatshëm për t’u intervistuar. Fenomeni mund të ketë deformuar shpërndarjen rastësore të të intervistuarve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.