Banka e Shqipërisë pret një ecuri pozitive të ekonomisë për 2014-n, por paralajmëron se rritja e taksave mund të ketë ndikim negativ në rritjen ekonomike.
Konsumi dhe investimet vijojnë të jenë të ulëta
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se presin që në vitin 2014, ritmet e rritjes ekonomike të jenë lehtësisht më të larta. Banka e Shqipërisë pret efekte pozitive nga përmirësimi i situatës ekonomike në Eurozonë, nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe përmirësimi i kreditimit të ekonomisë.
Megjithatë, paketa fiskale shtrënguese, që solli rritjen e disa taksave të lidhura me konsumin, mund të japë efekt negativ në rritjen ekonomike. Veçanërisht, rritja e çmimit të karburanteve mund të ketë efekt zinxhir në ekonomi, përmes rritjes së çmimeve dhe uljes së mëtejshme të kërkesës konsumatore. Kjo do të përkthehej në rritje të kostove dhe rënie të shitjeve për biznesin.
Ekspertët e Departamentit të Politikës Monetare, gjatë prezantimit të Raportit për tremujorin e katërt 2013, pranuan se sektori privat i ekonomisë ka reaguar shumë pak ndaj rënies së interesave në tregjet financiare, përfshi uljen e interesave të kredive. Për shkak të rënies së kërkesës dhe pasigurisë së lartë, kërkesa për hua ka qenë e dobët dhe kjo ka sjellë rënien e portofolit të kredisë për ekonominë gjatë vitit 2013.
Rënia e interesave të kredisë në lekë pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2014, ndërsa pagesa e borxheve nga qeveria do të përmirësojë bilancet e bizneseve dhe të bankave. Nga krahu i ofertës, pritet që sistemi financiar në Eurozonë të ketë përmirësime të rëndësishme të cilësisë së aseteve dhe të kapitalizimit. Kjo pritet të lehtësojë kufizimet edhe mbi filialet shqiptare, duke rritur ofertën për kredi bankare.
Tkurret ekonomia
Ekonomia shqiptare u tkurr në tremujorin e tretë të vitit 2013, pas pesë tremujorësh rritjeje ekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me rreth 2.3% në terma vjetorë, ndërsa regjistroi rritje prej 1.8% në gjashtëmujorin e parë. Dinamika tremujore e prodhimit u largua nga modeli sezonal, duke shënuar rënie tremujore prej rreth 2.0%.
Krahas reduktimit të kërkesës agregate, në rënien ekonomike gjykohet të jetë materializuar pjesërisht edhe pasiguria e agjentëve ekonomikë, si pasojë e rotacionit politik, materializuar pjesërisht edhe nga pasiguria e agjentëve ekonomikë, si pasojë e rotacionit politik. Në linjë me vlerësimet tona, komponentët e kërkesës së brendshme vijuan të dobët. Kërkesa e sektorit privat forcoi prirjen rënëse të vërejtur gjatë vitit 2012, në reflektim të besimit të ulët të biznesit dhe të konsumatorit, të kushteve të shtrënguara të financimit dhe të ngadalësimit të të ardhurave të këtij sektori. Në dallim me tremujorët e mëparshëm, dobësia e kërkesës private nuk u balancua nga komponentët e tjerë të kërkesës agregate. Kontributi i sektorit publik, i llogaritur rreth 2.4 pikë përqindjeje në gjashtëmujorin e parë, zvogëloi me 0.5 pikë përqindje ecurinë vjetore të Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë. Gjithashtu, eksportet reale neto vlerësohen të kenë kontribuar negativisht si pasojë e tkurrjes së importeve të mallrave dhe të rënies së të ardhurave nga turizmi.
Në linjë me zhvillimet në komponentët e kërkesës agregate, vlera e shtuar në ekonomi u tkurr thuajse në të gjithë sektorët, me përjashtim të sektorit të bujqësisë. Sektori prodhues regjistroi rënie në tremujorin e tretë, si pasojë e kontraktimit të prodhimit industrial dhe të prodhimit ndërtues. Nga ana tjetër, sektori i shërbimeve thelloi kontributin negativ në ecurinë ekonomike në tremujorin e tretë.
Përditësimi i analizës dhe i projeksioneve makroekonomike me informacionin më të fundit të disponuar e zhvendos balancën e rreziqeve për rritjen ekonomike në kahun rënës në afat të shkurtër. Ecuria e dobët e ekonomisë do të pasqyrojë më së shumti dobësinë në konsum dhe në investime private. Sjellja e kujdesshme e konsumatorëve dhe kufizimi i shpenzimeve të tyre gjykohet se do të vazhdojë të pengojë rikuperimin e konsumit privat. Ndërkohë, vlerësimi
për dinamikë të dobët të investimeve private reflekton pasigurinë e perceptuar për sa u takon zhvillimeve makroekonomike në të ardhmen dhe një mjedis me kushte të shtrënguara kreditimi e me kapacitete të pashfrytëzuara. Hapësirat e sektorit publik për të nxitur rritjen ekonomike janë të kufizuara. Kërkesa e huaj parashikohet të ruajë kontributin pozitiv në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend, por ky kontribut pritet të jetë më i ulët, si rrjedhojë e bazës relativisht të ulët të eksporteve shqiptare. Në afat të mesëm, kërkesa e sektorit privat pritet të gjallërohet, duke përfituar nga stimuli monetar injektuar në ekonomi gjatë dy viteve të fundit dhe kërkesa e huaj nga rikuperimi i qëndrueshëm i ekonomisë botërore.
Prodhimi i Brendshëm Bruto, pas dinamikës rritëse me 1.9% dhe 1.7% të regjistruar përkatësisht në tremujorët e parë dhe të dytë, tregoi për një performancë negative të aktivitetit ekonomik në tremujorin e tretë të vitit 2013.
Përkeqësimi i aktivitetit në secilën degë të sektorit të shërbimeve u reflektua në kontributin negativ prej 1.3 pikësh përqindjeje të sektorit për ecurinë vjetore të PBB-së. Ndërkohë, në aktivitetin e sektorit prodhues, vetëm bujqësia dha një vlerë të shtuar që zgjeroi PBB-në me 0.5 pikë përqindje. Kjo ishte e pamjaftueshme për të kompensuar tkurrjen e shënuar në aktivitetin industrial dhe atë ndërtues, të cilët e zvogëluan normën vjetore të PBB-së me 1.5 pikë
përqindje.
Ndërtimi, pritet përmirësim këtë vit
Aktiviteti industrial, pas ecurisë së ngadaltë në tremujorin e dytë të vitit, regjistroi rënie në tremujorin e tretë. Vlera e shtuar e industrisë shënoi rënie vjetore me 4.6% gjatë tremujorit të tretë, pas rritjes së ulët prej 1.1% një tremujor më parë. Sektori llogaritet të ketë kontribuar negativisht me 0.5 pikë përqindje në ecurinë vjetore të PBB-së. Ngadalësimi i mëtejshëm i eksporteve industriale dhe dobësia e kërkesës së brendshme ndikuan zhvillimet në industri. Analiza e degëve dëshmon se përshpejtimi i rënies së vlerës së shtuar në industrinë përpunuese drejtoi ecurinë e aktivitetit industrial. Ndërkohë, degët e “industrisë nxjerrëse” dhe “energjisë elektrike, ujit e gazit” gjeneruan një vlerë të shtuar lehtësisht më të lartë krahasuar me një vit më parë. Në tremujorin e katërt, nga të dhënat e vrojtimeve, rezulton një rritje e lehtë e treguesit të besimit dhe e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në bizneset e industrisë. Këto vlerësime sugjerojnë për zhvillime më pozitive të sektorit në fundin e vitit.
Performanca e sektorit të ndërtimit rezultoi negative gjatë tremujorit të tretë. Vlera e shtuar në këtë sektor e ndryshoi trendin rritës të një tremujori më parë, duke rënë me 10.0% në terma vjetorë. Kjo konfirmoi vlerësimet se përmirësimi i shfaqur në tremujorin e dytë kishte natyrë të përkohshme. Sektori llogaritet të ketë kontribuar negativisht me 1 pikë përqindje në ecurinë vjetore të PBB-së. Rënia e prodhimit të aktivitetit ndërtues reflektoi nivelin e ulët të investimeve publike dhe kërkesën e dobët për ndërtesa banimi. Megjithatë, akordimi i një numri më të madh lejesh ndërtimi gjatë tre tremujorëve të parë sugjeron zhvillime më pozitive në realizimin e ndërtesave për qëllime banimi në të ardhmen. Vijimi i prirjes rënëse të treguesit të besimit, kryesisht nga vlerësimi për prodhim më të ulët, sugjeron se aktiviteti ndërtues mbetet në kahun rënës edhe në tremujorin e katërt.
Bien shërbimet dhe hoteleria
Në tremujorin e tretë, sektori i bujqësisë, gjuetisë, pyjeve dhe peshkimit gjeneroi një vlerë të shtuar rreth 2.9% më të lartë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Gjatë vitit, aktiviteti bujqësor është rritur mesatarisht me rreth 2.8%, një normë më e ulët se mesatarja historike e rritjes prej 4.2%.
Vlera e shtuar e sektorit të shërbimeve vijoi të bjerë në tremujorin e tretë, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Ky tregues regjistroi një rënie vjetore me 2.0%, nga tkurrja vjetore me 1.3% në tremujorin e mëparshëm.
Tkurrja e aktivitetit të hoteleve dhe restoranteve drejtoi rënien e vlerës së shtuar të shërbimeve, duke e zvogëluar atë me rreth 0.8 pikë përqindje. Megjithatë, edhe vlera e shtuar nga aktivitetet e tregtisë, transportit, postë-komunikacionit e shërbimeve të tjera rezultoi më e ulët krahasuar me një vit më parë.
Aktiviteti i zhvilluar në shërbimet e tjera regjistroi rënie vjetore të vlerës së shtuar me 0.5%, pas zgjerimit modest të shënuar në dy tremujorët e parë të vitit. Ndërkohë, vlera e shtuar nga shërbimet e tregtisë, transportit, postës dhe komunikacionit frenoi ritmet e rënies vjetore në përkatësisht 1.6%, 4.2% dhe 1.2%. Në tremujorin e katërt, përmirësimi i ndjeshëm i nivelit të besimit të bizneseve sugjeron për një ndërprerje të mundshme të tendencës rënëse të sektorit të shërbimeve.
Konsumi mbetet i ulët
Në linjë me vlerësimet e BSH-së, konsumi dhe investimet private mbetën të dobëta dhe kërkesa e huaj për mallra u ngadalësua. Nga ana tjetër, kërkesa e huaj për shërbimet shqiptare regjistroi rënie, në ndryshim nga rritja sezonale që vërehet në sezonin turistik të tremujorit të tretë. Kështu, me gjithë vijimësinë e tkurrjes së importit të mallrave, rënia e thellë e të ardhurave prej turizmit rezultoi faktori kryesor në zgjerimin e deficitit të eksporteve reale neto dhe në kontributin negativ të kërkesës së huaj në rritjen ekonomike. Kërkesa e brendshme ishte e dobët në reflektim të mungesës së stimulit fiskal dhe të ecurisë rënëse të konsumit dhe investimeve private. Faktorët përcaktues të konsumit dhe të investimeve private, si pasiguria për të ardhmen dhe ngadalësimi i të ardhurave të disponueshme, vlerësohen të diktojnë një kërkesë të brendshme të ulët edhe në të ardhmen e afërt.
Konsumi privat vlerësohet të ketë rënë në tremujorin e tretë të vitit, pas ngadalësimit të vërejtur gjatë vitit 2012. Niveli i ulët i konsumit vijon të gjejë reflektim në ecurinë e indeksit të tregtisë me pakicë, i cili e zvogëloi normën rritëse në 2.9%, krahasuar me rritjen 10.1% në gjashtëmujorin e parë. Dobësia e konsumit përcaktohet nga besimi i ulët i konsumatorëve, ngadalësimi i të ardhurave gjatë viteve të fundit dhe kushtet e shtrënguara të financimit. Rënia
e konsumit në këtë tremujor reflektoi, ndër të tjera, pasigurinë e shtuar lidhur me situatën paszgjedhore. Kjo pasiguri vërehet të ketë ndikuar negativisht konsumin e shërbimeve në veçanti dhe më pak konsumin afatshkurtër. Në tremujorin e tretë është vërejtur një përmirësim i lehtë i burimeve të brendshme të financimit të konsumit. Ato janë mbështetur nga norma të ulëta dhe të qëndrueshme të inflacionit. Kredia bankare për qëllim konsumi ka vijuar të rritet, por me norma ndjeshëm më të ulëta se në gjashtëmujorin e parë. Nga ana tjetër, rënia e remitancave -16.2% në tremujorin e tretë ka ndikuar negativisht në financimin e shpenzimeve konsumatore.
Tendenca e individëve për kursim reflektohet edhe në ecurinë e depozitave dhe investimeve në letra me vlerë. Pavarësisht normave të ulëta të interesit, kursimet e individëve në formën e depozitave dhe investimeve në letra me vlerë u rritën 3.5% në periudhën tetor-nëntor. Të njëjtën prirje e konfirmojnë edhe rritja e balancës së kursimeve bazuar në treguesit e vrojtimit të besimit konsumator. Treguesit afatshkurtër tregojnë për ecuri të dobët të konsumit në tremujorin e katërt. Importi i mallrave për konsum dhe kredia konsumatore regjistruan përsëri rënie vjetore.
Bien çmimet e banesave
Indeksi i çmimit të banesave regjistroi rritje në tremujorin e katërt të vitit 2013. Ky tregues, i deflatuar me inflacionin, u rrit përkatësisht me 8% dhe 2.3% në terma vjetorë dhe tremujorë. Gjatë vitit, çmimet e banesave kanë ndjekur një prirje rënëse, duke reflektuar kërkesën e dobët dhe praninë e inventarëve të pashitur. Rritja reale e tremujorit të katërt vlerësohet të mbartë më së shumti efektin bazë.
Indeksi i qirasë së banesave shënoi rritje të vogël prej rreth 0.5% në tremujorin e katërt, pas normës dyshifrore të rritjes prej 10.3% në tremujorin e tretë. Sjellja historike e këtij treguesi karakterizohet nga një luhatshmëri e lartë, e cila sinjalizon për një treg të pastabilizuar të çmimeve të qirave në qytetin e Tiranës.
Zhvillimet e mësipërme kanë ndikuar në rritjen e raportit të çmimit ndaj qirasë së banesave.
Ky raport është 7.5% më i lartë se një vit më parë dhe 58.9% mbi mesataren historike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.