Shteti luan rolin e rregullatorit, kurse kompanitë private përmbushin detyrimet për shërbime më korrekte dhe sa më afër konkurrencës. Janë ato që vlerësojnë se cili do të jetë ekuilibri i duhur në treg, kurse çdo ndërhyrje e shtetit te përcaktimi i kostove, penalizon jo vetëm firmën, por edhe konsumatorin. Kështu ndodh me çmimin e dritave, të ujit, me atë të ndërtimit, etj., ku vlerat referencë dhe tarifat e vendosura nga shteti diktojnë sjelljen e tregut. Kështu po ndodh edhe me licencën e shërbimit të avancuar 3G. Tenderi i fundit, i zhvilluar më 10 tetor (i katërti në këto tri vjet) dëshmoi se vlerat në tender, caktuar nga AKEP-i, nuk përputhen me realitetin.
Kur shumë vende janë duke përjetuar avantazhet e shërbimit të avancuar të komunikimit 3G, madje disa aplikojnë edhe 4G-në, Shqipëria vijon të mbetet prapa. Vetëm 7 për qind e përdoruesve kanë shërbim 3G, të tjerët nuk pranojnë, për shkak të kostove. Tregu ka potencial, por mbetet i cunguar, pasi mungon konkurrenca reale.
Në tenderin e fundit, dy kompanitë e mbetura në treg pa shërbimin 3G ofruan vlerësimin e tyre për marrjen e licencës. “Eagle Mobile” ofroi vetëm 355 euro më tepër nga çmimi dysheme i vendosur nga AKEP, kurse PLUS gjykoi të jepte çmimin simbolik 1 euro. Pavarësisht diferencave, duket qartë se për dy kompanitë, vlera e vendosur nga shteti për shitjen e licencës ishte e padrejtë dhe aq e gjykuan në planin e tyre të biznesit.
Klienti, pastaj shteti
Kompania PLUS ofroi çmimin 1 euro për licencën e shërbimit 3G. Për kompaninë me kapital tërësisht shqiptar, çmimi i ofruar dëshmon se tashmë licenca nuk vlen të shitet sipas tarifës së vendosur nga qeveria. Në interesin e PLUS ishin investimet, aty ku ishte bazuar e gjithë oferta, duke vendosur në plan të parë konsumatorin për cilësinë e produktit dhe jo paratë për buxhetin e shtetit.
Tashmë, tregut i mungon konkurrenca dhe AKEP duhet të dëshmonte vullnet për liberalizimin e licencës së mbetur, por nevoja për para e shtyu qeverinë të merrte një vendim kundër konsumatorit. PLUS ka hartuar planin e biznesit dhe strategjia e ndjekur prej saj lidhej me teknologjinë, pra tek investimi, se sa të blinte shtrenjtë licencën dhe më pas të penalizonte klientët e saj me tarifat e larta.
“Monitor” analizoi para disa kohësh rastet e ndjekura në tregjet e huaja, me dështimet kur licencat shiteshin shtrenjtë dhe avantazhet kur konkurrenca mes firmave bazohej te shërbimi, pra gara në tender vlerësohej teknikisht. Nga vëzhgimi doli se shumë analistë i gjykonin “flluskë” ofertat e larta për licencat 3G, pasi kompanitë nuk përfitonin më asgjë. Duke e blerë shtrenjtë, shërbimi për rrjedhojë shitej po shtrenjtë dhe ku konsumatorët ishin më të kujdesshëm për ta pasur. Këtu, as firma dhe as konsumatori nuk përfitonin.
AKEP-it pak i intereson tregu, edhe pse ligjërisht rolin e “mbrojtësit” të konsumatorëve duhet të kishte. PLUS ofroi më shumë në planin e investimeve, nga sa kërkonte AKEP në tender, shenjë kjo serioziteti dhe respekti ndaj konsumatorëve, por barrierat e vendosura nga Ministria e Teknologjisë dhe Inovacionit ndikuan në mungesën e konkurrencës.
Tenderi i fundit
Hapja e ofertave për tenderin e datës 10 tetor tregoi se për kompanitë, çmimi i vendosur nga AKEP nuk ishte i drejtë. Kompania “Eagle Mobile” ka ofruar për të marrë këtë licencë shumën prej 4 milionë e 355 eurosh, ndërsa PLUS ka ofruar shumën prej vetëm 1 euro. Sakaq, anëtarët e Komisionit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) deklaruan se në ditët në vazhdim do të vlerësojnë ofertat.
Aktualisht, shërbimi i avancuar i komunikimit 3G ofrohet nga dy kompani celulare, të blera fillimisht rreth tre vjet më parë nga “Vodafone” për afro 31 milionë euro dhe një vit më pas nga AMC, për gati 14 milionë euro, kur çmimi dysheme i vendosur nga AKEP ishte në të dyja rastet 12.5 milionë euro. Pasi përpjekja e tretë për të shitur licencën me të njëjtin çmim dështoi (kompanitë e vlerësuan, respektivisht PLUS 2.2 milionë euro dhe “Eagle” 3.4 milionë euro), Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në korrik të këtij viti vendosi të përsërisë sërish tenderin e radhës më 10 tetor, duke ofruar njëkohësisht për shitje dy licencat e mbetura, me çmim minimal prej 4 milionë eurosh.
Procesi u kundërshtua sërish nga operatorët, pasi konsiderohet që një licencë e tillë, e dhënë në një fazë kaq të vonshme, është e pavlerë. “AKEP vendosi një çmim afërsisht dy herë më të lartë se oferta e dhënë gjatë konsultimeve publike, si dhe larg logjikës ekonomike të përdorur në vende të tjera perëndimore. Mbetet edhe më shqetësues fakti, që kjo situatë mban në fuqi status quo-në e vendosur nga një duopol, që i ka dëmtuar tashmë konsumatorët shqiptarë për vite me radhë”, pohoi në atë kohë, Julien Coustaury, Drejtori Ekzekutiv i PLUS.
Tregu, jo i barabartë
Licenca e parë për shërbimin 3G u dha në muajin tetor 2010, me obligimin e AKEP-it se të tjerat do t’i ofronte gradualisht, çdo gjashtë muaj. Ky ishte edhe detyrim i MSA-së, për një treg jo monopol dhe tërësisht konkurrent, sipas marrëveshjes së firmosur me qeverinë shqiptare para disa vitesh.
Por çfarë ndodhi? AKEP vendosi barriera dhe lejoi një treg aspak konkurrent në favor të konsumatorit. Një vit më pas, licencën e mori një tjetër kompani, kur në garë ishin tre. Tashmë jemi në të njëjtën situatë, treg me 5 milionë përdorues celulari, me 2 kompani që ofrojnë shërbimin 3G dhe ku vetëm 7 për qind e kanë aksesin, sipas të dhënave të AKEP (rreth 300 mijë).
Që në fillimet e procesit, rreth tre vjet më parë, autoriteti u kritikua nga kompanitë për formulën e dhënies së autorizimeve, duke i shitur shtrenjtë dhe në faza të ndryshme dhe jo njëherësh me kosto më të ulët, në mënyrë që të përfitonin pa diskriminim të gjithë përdoruesit e telefonisë mobile.
Kompania “Vodafone” e mbajti për një vit gjatë 2011-s të drejtën ekskluzive të shërbimit 3G, avantazh ky tepër i madh në një kohë që tregu i “voice” po maturohet dhe të gjithë operatorët po shikonin tregun e të dhënave (data) si burimin e ri të të ardhurave. AMC e fitoi tenderin në tetor 2011, duke ofruar rreth 14 milionë euro dhe këtë shërbim e ofroi pak muaj më vonë. Të dhënat zyrtare të AKEP-it dëshmojnë qartë se në 2011-n tregu i telefonisë u tkurr me 4 për qind dhe se dy kompanitë, AMC dhe “Eagle Mobile” pësuan rënie të xhiros përkatësisht me 19 për qind dhe 8.5 për qind, në një kohë kur “Vodafone” arriti ta shfrytëzojë këtë avantazh, duke pasur të ardhura prej 20.2 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel në raport me 2010-n, ndërkohë që fitimi u reduktua nga 8.5 miliardë lekë në 5 miliardë lekë.
Licencat
Tetor 2010
Kompania “Vodafone” e bleu licencën e shërbimit 3G për rreth 31.4 milionë euro
Shtator 2011
Kompania tjetër AMC e mori licencën e dytë 3G me vlerë afro 15 milionë euro
Shkurt 2012
AKEP hap tenderin e tretë, duke mbajtur të njëjtin çmim dysheme, 12.5 milionë euro
Gusht 2012
AKEP hap tender tjetër, pasi PLUS ofroi 2.2 milionë euro dhe “Eagle” 3.5 milionë euro
Shtator 2012
AKEP vendos një çmim dysheme më të ulët për licencën e 3G-së, 4 milionë euro
Tetor 2012
PLUS ofroi 1 euro, kurse “Eagle” vetëm 355 euro më shumë nga çmimi dysheme i AKEP-it
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.