Euro bie në nivelin më të ulët që prej muajit mars

22/12/2020 1:22 PM 0 komente

Leku fitoi përsëri pikë në kursin e këmbimit me euron ditën e martë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 123.24 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.22 pikë krahasuar me ditën e hënë.

Ky është niveli më i ulët i kursit të euros pas shpërthimit të krizës së Covid-19. Monedha europiane nuk kishte shënuar një kurs më të ulët ndaj lekut që nga data 19 mars e këtij viti.

Mbiçmimi i lekut ndaj euros ka qenë një tendencë e zakonshme sezonale në gjysmën e dytë të dhjetorit, e lidhur sidomos me rritjen e ofertës së monedhës europiane në treg.

Kjo ofertë e shtuar lidhet kryesisht me turizmin dhe kthimin e emigrantëve për festat e fundvitit. Megjithëse këtë vit turizmi dhe udhëtimet në përgjithësi janë reduktuar ndjeshëm, sërish duket se sezoni i fundvitit po e jep efektin e vet në kursin e këmbimit. Madje, në këtë periudhë euro ka rënë edhe më shumë nga sa ndodhi në sezonin veror, kur ishte edhe piku i sezonit turistik.

Kjo rënie është në vazhdimësi të pozitës së fortë të lekut ndaj euros në muajt e fundit. Euro po qëndron rregullisht poshtë nivelit të 124 lekëve që nga mesi i muajit tetor. Agjentët e këmbimit e shpjegojnë këtë tendencë me kërkesën e pakët për euro në tregun e brendshëm valutor dhe ofertën e lartë për të.

Një faktor me ndikim të konsiderueshëm në kursin e euros këtë vit ka qenë edhe qeveria shqiptare. Në pjesën më të madhe, deficiti buxhetor në tremujorët e tretë dhe të katërt të vitit është financuar me paratë e eurobondit të emetuar në muajin qershor. Duke qenë se shpenzimet e qeverisë janë në lekë, këto para janë konvertuar në monedhën vendase. Që nga muaji qershor e në vazhdim, qeveria shqiptare vlerësohet se ka shitur rreth 320 milionë euro nga fondet e saj në valutë për të mbuluar deficitin buxhetor.

Leku u forcua më tej edhe në kursin e këmbimit me dollarin amerikan, që të martën ra poshtë kufirit në 101 lekëve. Dollari amerikan u këmbye me 100.87 lekë, niveli më i ulët që prej majit të vitit 2014.

Ndryshe nga kursi i euros, ai i dollarit është më pak i ndikuar nga konjuktura e brendshme e tregut dhe reflekton kryesisht ecurinë e monedhës së gjelbër në tregjet financiare ndërkombëtare. Zhvlerësimi ndaj lekut reflekton një tendencë të ngjashme në kursin e dollarit me euron dhe me monedhat e tjera kryesore. Sot dollari këmbehej me 0.82 euro, duke qëndruar në nivelet më të ulëta të dy viteve të fundit.

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of