Ekspertët Arben Malaj, Ardian Civici, Selami Xhepa, Arian Kadareja, Zef Preçi, Artan Gjergji, Ilia Kristo, Oltion Rrumbullaku, shtruan disa teza se si mund të minimizohen efektet negative që po krijon kursi i këmbimit tek konkurrueshmëria e ekonomisë
Përshpejtimi i nënçmimit të euros ndaj lekut me gati 5% në harkun e pesë muajve të parë të vitit dhe 8% që nga fillimi i 2016-s i ka bërë të “pafuqishme” institucionet financiare dhe grupet e ekspertëve për të gjetur faktet reale për zhvillimet në kursin e këmbimit, e për rrjedhojë “recetat” që mund të frenojnë rënien e mëtejshme të monedhës europiane për shkaqe të tregut të brendshëm po bëhen gjithnjë e më të vështira.
Banka e Shqipërisë dhe ekspertë të çështjeve makroekonomike në vend, ditët e fundit janë përfshirë në një debat për arsyet e forcimit të monedhës vendase dhe efektet që kanë ato te sektori i manifakturës. Profesorët Arben Malaj, Ardian Civici, Selami Xhepa, Arian Kadareja, Artan Gjergji, Ilia Kristo, Oltion Rrumbullaku shtruan disa teza se si mund të minimizohen efektet negative që krijon kursi te konkurrueshmëria e ekonomisë vendase. Pothuajse të gjithë ndajnë mendimin se forcimi i pazakontë i euros po vjen nga sektori informal dhe disa prej tyre mendojnë se ka ardhur koha që të merret në konsideratë adoptimi i njëanshëm i euros si monedhë kombëtare.
Si mund të menaxhohen efektet
Presidenti i UET, Ardian Civici, thotë se mbiçmimi i lekut dëmton në mënyrë të veçantë njësitë prodhuese, duke i bërë mallrat e tyre më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare, por ai thotë se në kushtet e regjimit të lirë të kursit të këmbimit, qeveria duhet të aplikojë politikat e subvencionit dhe mbështetjes për sektorët që preken.
Profesor Arben Malaj pohon se produktiviteti i ekonomisë, shkalla e lartë e konkurrencës reduktim i deficitit tregtar, reduktimi i deficiti të llogarisë korente, duke rritur të ardhurat nga eksportet e mallrave dhe të shërbime, duke rritur investimet e huaja direkte, reduktimi i kredidhënies në euro vetëm për atë pjesë që i ka të ardhurat në lekë janë kolonat kryesore të reduktimit të riskut të kursit të këmbimit
Eksperti Selami Xhepa thotë se Banka e Shqipërisë duhet të krijojë besim për ruajtjen e vlerës së lekut në afat të gjatë. Nëse qytetarët do të shikojnë se ekonomia po rritet shëndetshëm dhe disbalancat që krijohen menaxhohen në mënyrë “smooth”, besimi tek leku në afat të gjatë do të rikthehet. Kjo është rruga e vetme për të ndikuar në afat të gjatë. Në afat të shkurtër, rregullimi i veprimtarisë së bankave në operacionet e tyre me euro duhet të relaksohet, duke u krijuar atyre më shumë hapësira të ndërmjetësimit të euros.
Nga ana tjetër, rreziku i “currency mismatch”, që ekziston për shkak se aktiviteti i firmave realizohet në lek, ndërsa kredia shlyhet në euro, kërkon që të zhvillohen instrumente të mbrojtjes nga rreziku i kurseve të këmbimit. Pra, zhvillimi i tregut të kapitaleve duhet të marrë një stimul më të madh.
Të njëjtin mendim ndan edhe Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, i cili shprehet se, bankat e nivelit të dytë duhet të nxiten drejt ofrimit të Produkteve Derivativë që ofrojnë Mbrojtje (hedging) nga Risku i Kursit të Këmbimit. Ai shprehet se praktikat më të mira ndërkombëtare tregojnë se agjentët ekonomikë, që kanë transaksione të shumta në valutë të huaj, nënshkruajnë kontrata derivative (future, forwards, options, swaps) që kanë efekt mbrojtës (hedging) me qëllim reduktimin në maksimum të ekspozimit ndaj riskut të luhatjes së këmbimit valutor.
Zef Preçi propozon që vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet së shpejti të ndërtojnë një strategji të posaçme të ngjashme për zëvendësimin e monedhave të tyre kombëtare (përveç Malit të Zi dhe Kosovës që tashmë e kanë hedhur këtë hap), ta përfshijnë atë në idetë ofruara konverguese të procesit të anëtarësimit ne BE dhe t’i japin mbështetje politike këtij procesi shumë të rëndësishëm për përshpejtimin e rritjes ekonomike në të gjithë rajonin. Edhe Z.Xhepa është një mbështetës i zëvendësimit monetar, pra që vendi të kalojë në përdorimin zyrtar të euros si monedhë kombëtare.
Arian Kadareja, profesor në Universitetin e New York, thotë se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë duhet të synojnë neutralizimin e zhvlerësimit të euros të shkaktuar nga faktorë si hyrjet e parave të ekonomisë së zezë dhe spekulimi. Natyrisht, ndërhyrja duhet bazuar fort në vlerësimin sasior të faktorëve ekonomikë dhe jo ekonomikë.
Ilia Kristo, profesor i Ekonomisë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, thotë se masa e parë është të përcaktohen faktorët që kanë nënçmuar euron dhe në bazë të tyre, institucionet duke filluar nga Banka e Shqipërisë dhe të tjerat publike të evidentojnë ndërhyrjet, që do të vlerësonin lekun kundrejt euros.
Më herët, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, zv/guvernatorja Elisbeta Gjoni shpjegoi se, Banka e Shqipërisë nuk influencon, apo përpiqet të influencojë, ecurinë e kursit të këmbimit kur kjo lëvizje është në përputhje me fondamentet. Megjithatë, ajo shton se në rast se kursi i këmbimit do të frenojë kthimin e inflacionit në objektiv, përtej parashikimeve, atëherë, “Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë, nëpërmjet instrumenteve konvencionale në dispozicion dhe në përputhje me regjimin e politikës monetare”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.