Euro vendos tjetër rekord, zbret në nivelin më të ulët në 11 vjet, çfarë po ndodh!

21/05/2019 12:58 PM 1 koment

Monedha e përbashkët ka humbur sërish pikë në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 122.61 lekë, duke rënë me 0.23 lekë në raport me ditën e mëparshëm, duke u këmbyer në nivelin më të ulët nga dhjetori 2008.

Ekspertët e këmbimit valutor shpjegojnë ka disa arsye për nënçmimin e monedhës së përbashkët në tregun vendas.

Tendenca rënëse euros e javëve të fundit po ndikohet nga kushtet atmosferike, të cilat kanë ulur qarkullimin e biznesit, por edhe nga kriza politike ku është zhytur vendi, e cila është reflektuar te rënia e konsumit. Rënia e parasë në qarkullim dhe oferta e lartë në valutë ka bërë që euro të shënojë rekorde të njëpasnjëshme të ulëta.

Ndër të tjera, ekspertët shtojnë në dy ditët e fundit, njëra nga bankat e nivelit të dytë po shet euro në treg poshtë nivelit të kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

 

Niveli më i ulët në 11 vjet

Ky është një tjetër rekord i ri minimal, teksa euro ka zbritur sot në nivelin më të ulët në 11 vjet, që prej dhjetorit të vitit 2008, kur këmbehej me 122.5 lekë, për t’u forcuar më pas ndjeshëm, duke u ngjitur në nivele rekord prej gati 143 lekësh në qershor 2011.

Më pas, euro është dobësuar gradualisht, por nënçmimi i monedhës së përbashkët u përshpejtua vitet e fundit. Që nga mesi i vitit 2016, euro ka humbur vazhdimisht pikë, duke u nënçmuar me gati 16 lekë, ose 11.3%.

Oferta e shtuar në euro në njërin kah, ndërsa në kahun tjetër ka një ngadalësim të qarkullimit të monedhës vendase është arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë afatgjatë nënçmuese të euros. Kjo tendencë përkon me rritjen e aktivitetit informal të kultivimit të kanabisit në vend, që më pas u shoqërua me tregtinë e drogave më të forta, çka solli shtim të valutës në vend, e kanalizuar kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme.  https://www.monitor.al/ne-ndjekje-te-parase-nga-po-financohet-bumi-i-ndertimit/

 

Të gjitha valutat me rënie

Gjatë ditës së sotme, rënia e euros tërhoqi të gjitha valutat e tjera. Në tregun vendas dollari amerikan u këmbye me 109.93 lekë, rreth 0.09 pikë më pak se dje. Po ashtu, edhe paundi, është nënçmuar ndaj lekut me 0.73 pikë, duke u këmbyer në nivelin e 139.5 lekësh.

Referuar kursit mesatar ditor të Bankës së Shqipërisë, franga zvicerane u këmbye me 108.86 lekë, rreth 0.21 pikë më pak se një ditë më parë.

Dhe në tregjet ndërkombëtare, monedha e përbashkët europiane ka humbur pikë përballë dollarit. Politika ka qenë një ndër faktorët kryesore që i kanë dhënë goditje euros gjatë javës së shkuar. Komentet e Kryeministrit italian dhe zgjedhjet në Parlamentin Europian tkurrën kërkesën për euro.  Megjithatë nënçmimi i euros në tregjet ndërkombëtare ka një ndikim të ulët në tregun vendas, duke qenë se niveli i këmbimit në Shqipëri i përgjigjet kryesisht faktorëve të brendshëm.  Aktualisht monedha e përbashkët europiane po këmbehet poshtë nivelit të 1.12 dollarëve, ndërsa është nënçmuar në 12 muajt e fundit me më shumë se 5.4%.

Edhe paundi britanik nuk po kalon një periudhë të mirë, për shkak të daljes së Britanisë nga BE-ja. Sterlina preku nivelin më të ulët që prej muajit janar duke u këmbyer me 1.27 dollarë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
someone Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
someone
Guest
someone

Po afrojne zgjedhjet, kjo po ndodh. Duan cunat ca euro per pare xhepi…