Monedha e përbashkët zbriti sot nën nivelin e 124 lëkevë për herë të parë në gati dy muaj.
Sipas të dhënave zyrtare, një euro u këmbye sot me 123.83 lekë, duke shënuar rënie për të katërtën ditë radhazi. Ky është niveli më i ulët që nga data 22 maj.
Aktorët e tregut pohojnë se ndonëse fundi i korrikut dhe gushti sezonalisht shoqërohen me rënie të euros, për shkak të efekteve sezonale, si ardhja e turistëve dhe e emigrantëve, këtë vit këta faktorë janë të vakët. Numri i turistëve, për shkak të pandemisë është i kufizuar, dhe në korrik po vijnë vetëm chartera nga Ukraina, Polonia dhe Bjellorusia. Edhe emigrantët hezitojnë të vijnë në vend, për shkak të kërkesave për karantinim, kur të kthehen në shtetet ku ata jetojnë.
Nga ana tjetër, edhe transporti ajror i valutës është i bllokuar, pasi Austria (shteti përmes të cilit bankat bëjnë transportin e valutës) ka ndërprerë fluturimet me Shqipërinë deri në fund të korrikut.
Megjithatë, euro po bie ditët e fundit. Aktorët e tregut pohojnë se më shumë se me efektet sezonale, kjo rënie mund të shpjegohet edhe me hyrjet jo formale të valutës, pasi rrugët e transportit tokësor e detar janë tashmë të hapura. Kjo fryrje me valutë po ul euron, por edhe kërkesa për valutë është e dobët për shkak të qarkullimit të ulët.
Nga fillimi i vitit deri tani, euro është këmbyer mesatarisht me 123.7 lekë, nga 123 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar.
Niveli më i lartë u arrit në fund të muajit mars, ku euro për disa ditë u ngjit deri në 131 lekë, për shkak të alomalizë që u krijua me kërkesë ofertën pas karantinimit të ekonomisë dhe mbylljes së rrugëve të transportit. Më pas euro u nënçmua, duke u stabilizuar në nivelet e rreth 124 lekëve.
Në bursat ndërkombëtar, euro u këmbye sot me rreth 1.14 dollarë, duke shënuar një rënie prej 0.08% në raport me një ditë më parë, pas pasigurive lidhur me shpejtësinë e rimëkëmbjes së ekonomisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.