Euro i rikthehet rënies

29/03/2018 1:16 PM 0 komente

Monedha e përbashkët europiane ka humbur pikë ndaj lekut gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbyer sot me 131.13 lekë, rreth 0.35 pikë më shumë se një ditë më parë. Euro kishte filluar të rikuperonte pikë në tregun vendas pasi shënoi nivelin më të ulët që prej gushtit 2009, duke u këmbyer me  129.05 lekë.

Në luhatjet e forta të ditëve të fundit, ku euro zbriti në 129 lekë dhe më pas u rrit menjëherë në 132 lekë kanë ndikuar dhe transaksionet e shit-blerjes së bankave. Monitor ka mësuar se së fundi është bërë pagesa për blerjen e NBG, për rreth 25 milionë euro.

Ekspertët nuk parashikojnë që euro të ketë rritje të fortë, sidomos me afrimin e sezonit të verës, ku tradicionalisht ka një ofertë të shtuar nga emigrantët dhe turistët. Këtë vit pritet një fluks i shtuar i turistëve dhe hotelet i kanë marrë që në dimër parapagimet, një faktor që ka ndikuar në shtimin e ofertës për valutë.

Rënia e euros vjen pas deklaratës së Ministrit të Financave në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se monedha e përbashkët pritet që të forcohet në ditët në vijim.

Sipas ministrit Ahmetaj, forcimin i  lekut, është ndikuar kryesisht nga rritja e ofertës për valutë, që kanë pasur burim kryesisht remitancat dhe turizmi. Por, ministri nuk përjashtoi as mundësinë e forcimit për shkak të arsyeve artificiale. Ministri bëri me dije se ka pasur komunikimet e tij me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit euro do të forcohet në ditët në vijim.  http://www.monitor.al/ahmetaj-euro-te-forcohet-ne-ditet-ne-vijim-monedha-e-perbashket-rritet-ndjeshem/

Megjithatë sipas ekspertëve të kursit të këmbimit, ky forcim i lekut po vjen si rezultat i qarkullimit të dobët të tij në ekonomi dhe ofertës së lartë të valutës në tregun vendas.

Ndërkohë dollari amerikan ka vijuar që të rikuperojë në tregun vendas. Sot ai është këmbyer me 106.48 lekë, 0.39 pikë më shumë se një ditë më parë.

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of