Eurobank bleu rrjetin e degëve në Bullgari të Alpha bank, që ishte me humbje, për 1 euro të premten, një lëvizje që do t’i mundësojë Alpha-s të rrisë likuiditetin e saj në Greqi dhe mund të ndihmojë gjithashtu që të izolojë Bullgarinë nga kriza greke e borxheve, njofton Reuters.
Bankat greke, të cilat kanë qenë të mbyllura për disa javë pasi vendi afër falimentimit negocioi një marrëveshje ndihme me kreditorët ndërkombëtarë, përballen me probleme likuiditeti dhe po përgatiten për një rishikim të thellë, duke përfshirë mbyllje apo shkrirje.
Ata ndoshta do të hapen sërish javën e ardhshme, të ndihmuara nga financimi emergjent nga Banka Qendrore Evropiane, që u njoftua të enjten.
Si pjesë e një marrëveshjeje të mëparshme të shpëtimit, huadhënësit grekë ishin angazhuar për ristrukturimin e operacioneve të tyre, duke shitur pasuritë e mbajtura në Ballkan dhe duke u fokusuar në tregun e tyre të brendshëm.
Si pjesë e marrëveshjes së premtes, Alpha do të lejohen të riatdhesojë rreth 100 milionë euro të fondeve nga Bullgaria, thanë zyrtarët e bankës.
Ndryshe nga bankat e tjera me pronësi greke në Bullgari, që janë filial nën mbikëqyrjen e bankës qendrore bullgare, Alpha vepron si një degë, duke nënkuptuar që banka qendrore e Sofjes nuk mund të ushtrojë kontroll të plotë mbi huadhënësin.
Eurobank ka një filial në Bullgari, të njohur si Postbank, ndërsa Alpha ka një rrjet degësh, që janë të kontrolluara nga Athina, të cilat u lejuan të qëndronin të hapura, pavarësisht kontrolleve të kapitalit dhe mbylljes së bankave në Greqi.
Bullgaria është e brishtë ndaj krizës së borxheve të fqinjit, pasi më shumë se një e pesta e aseteve të bankave bullgare janë në pronësi të huadhënësve grekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.