Ministria e Financave, edhe pse nuk gjeti konsulent për Eurobondin në dy procedura tenderimi të hapura njëra pas tjetrës, ka vendosur të vijojë paralel me një hallkë të re, që është ajo e gjetjes së bankave menaxhere (Joint Lead Manager).
Detyra e bankave menaxhuese është që të udhëheqin qeverinë në procesin e emetimit. Konkretisht, në kërkesën e saj, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sqaron se eurobondi që do të emetohet është 600 milionë euro dhe do të synohet një afat maturimi 7-10 vjet, detaje këto që Ministria i ka dhënë edhe gjatë kërkesës së saj për konsulentin. Mbetet ende e paqartë sesi do të veprojë qeveria, lidhur me konsulentin, një hallkë që nuk gjeti zgjidhje duke qenë se interesi i shfaqur ishte i ulët me pjesëmarrjen e vetëm një kompanie, çka nga Financat u argumentua se nuk përmbushte kushtin e konkurrencës që duhet në prokurime.
Bankat menaxhere të Eurobondit kanë si detyrë sigurimin e procesit të emetimit në emër të qeverisë shqiptare. Shërbimet për të cilat ato kanë detyrim direkt janë përgatitja e rekomandimeve të transaksionit e cila ka në thelb karakteristikat e emetimit në euro, përgatitjen e afateve të saktë të transaksionit në 2020, informacion në kohë reale mbi kushtet e tregut, organizmi dhe pjesëmarrja në Due Dilligence, rishikimi i prospektit, asistimi në përzgjedhjen e agjentit fiskal, atij të pagesës dhe listimit.
Një tjetër shërbim që duhet të ofrojnë bankat menaxhere është ai për strategjinë e marketingut, me fokus identifikimin e investitorëve kyçë në transaksion, organizmi i i road show-ve, përgatitja dhe prezantimi i materialit që bëhet në road show, vendosja e bondeve tek investitorët, koordinimi dhe shërbimet formale që garantojnë sukses të transaksionit.
Bankat menaxhere të interesuara duhet që të përfshijnë në ofertën e tyre dy aspekte ku, së pari, ofertën teknike dhe së dyti, atë financiare. Aplikimet duhet të dorëzohen brenda orës 16:00 të datës 4 mars, ndërkohë që hapja e tyre do të bëhet në 16:15.
Ekspertët vlerësojnë se nëse qeveria emeton me sukses Eurobondin e katërt në shumën e deklaruar prej 600 milionë euro shuma totale e borxhit të huaj në formën e Eurobondit do të shkonte nga 750 milionë Euro, në 1.15 miliardë Euro.
Për herë të fundit, Shqipëria doli në tregjet e kapitalit në vitin 2018 kur u emetuan 500 milionë euro me një kupon fiks prej 3.55% dhe afat maturimi 7-vjeçar. Në Eurobonin e tretë, bankat menaxhuese ishin Banca IMI, Citi (B&D), Societe Generale.
Në vitin 2010, kur Shqipëria shënoi daljen e saj të parë në tregjet e kapitalit për të marrë një Eurobond me vlerë 300 milionë euro, arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe një afat maturimi 5-vjeçar.
Sigurisht ky është një interes i lartë nëse e shohim në raport me sot, por për të qenë realistë duhet të sjellim në vëmendje që në atë kohë, Shqipëria testoi veten për herë të parë në këto ujëra, ndërkohë që situata e përgjithshme nuk ishte e favorshme. Jemi pothuajse në vitet kur kriza ekonomike ishte ende evidente dhe tregjet e kapitalit ishin ndikuar në mënyrë direkte.
Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015 për 450 milionë euro. Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75% me 5 vjet maturim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.