Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë preku një rekord të ri në fund të muajit nëntor 2021.
Statistikat tregojnë se rezerva arriti shumën e pothuajse pesë miliardë eurove, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë. Vetëm gjatë muajit nëntor, rezerva valutore u zmadhua me gati 780 milionë euro.
Ndikimin kryesor e ka dhënë Eurobondi prej 650 milionë eurosh i emetuar në muajin nëntor në Bursën e Londrës. Eurobondi ishte faktor kryesor në rritjen me pothuajse 19% të rezervës valutore në një muaj. Megjithatë, efekti i Eurobondit pritet të jetë i përkohshëm, sepse, sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, pjesa dërrmuese e fondeve do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të borxhit të jashtëm të maturuar.
Një rritje e ngjashme e lartë e rezervës valutore erdhi edhe në qershor 2020, sërish si rezultat i Eurobondit të emetuar në atë kohë.
Me përjashtim të faktorëve me ndikim jo të zakonshëm, siç është emetimi i Eurobondeve, zmadhimi i rezervës valutore bëhet kryesisht nëpërmjet ankandeve të blerjes së valutës në tregun vendas. Mbështetur në të dhënat e mbledhura nga “Monitor” vitin e kaluar Banka e Shqipërisë bleu rreth 117 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Por, madhësia e rezervës valutore ndikohet edhe nga ecuria e vlerës së tregut të instrumenteve në të cilat është investuar pjesërisht rezerva valutore, si, për shembull, obligacionet apo metalet e çmuara (kryesisht ari).
Në pjesën dërrmuese, rezerva valutore mbahet në depozita dhe obligacione që në fund të nëntorit 2021 përbënin mbi 90% të vlerës së rezervës valutore. Pjesa e mbetur konsiston kryesisht në të drejta tërheqjeje (SDR) në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në rezerva të arit.
Sipas valutave, struktura e rezervës valutore dominohet nga euroja, që përbën më shumë se 65% të vlerës totale të saj. Në vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka diversifikuar më tej përbërjen e rezervës sipas valutave të ndryshme. Që nga viti 2020, banka qendrore ka përfshirë në rezervën valutore edhe monedhën kineze dhe atë australiane, përveç euros, dollarit amerikan dhe jenit japonez. Duke qenë se në vitet e fundit kthimet nga investimet në euro kanë qenë në nivele shumë të ulëta ose negative, diversifikimi i rezervës sipas valutave ka qenë i nevojshëm edhe për të përmirësuar kthimet nga investimi.
Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të çregullimit të kursit të këmbimit ose në funksion të objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar. Madhësia e rezervës valutore vlerësohet mëse e mjaftueshme në raport me objektivat kryesorë të saj, një nga të cilët është mbulimi i katër muajve importe. Për 11 muajt e vitit 2021, vlera mesatare mujore e importeve ishte rreth 535 milionë euro. Vlera e rezervës valutore në fund të muajit nëntor do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar rreth 9.3 muaj importe./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.