Euroizimi i tregut të sigurimeve është rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 6-mujorin 2022 pesha e primeve të shkruara bruto në Euro kundrejt totalit u rrit në 37%, nga 30% që kishte qenë në fund të vitit 2021.
Ky është niveli më i lartë i këtij treguesi të paktën qysh prej vitit 2017, kur AMF nisi të raportojë periodikisht nivelin e euroizimit të tregjeve nën mbikëqyrje. Ky raportim kryhet në kuadër të memorandumit të nënshkruar me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave, për rritjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonomi.
Zgjerimi i Euroizimit në tregun e sigurimeve, në një masë të madhe, mund të shpjegohet me rritjen e ndjeshme atyre produkteve që përgjithësisht shiten në Euro, të lidhura kryesisht me turizmin dhe lëvizjet ndërkufitare të njerëzve dhe automjeteve.
AMF evidenton se, përveç produkteve të detyrueshme të Kartonit Jeshil dhe Sigurimit Kufitar, ka edhe disa produkte vullnetare që rezultojnë me të ardhura pothuajse 100% të realizuara
në Euro, siç është Sigurimi i Kombinuar i Aksidenteve Personale dhe Shëndetit, Sigurimi i Jetës në Udhëtim dhe Sigurimi i Jetës së Studentit.
Produktet të tjera që shfaqin një përqindje të lartë të primeve të shkruara në Euro janë: Sigurimi Kasko, Sigurimi i Aksidenteve dhe Shëndetit, Sigurimi i të Gjitha Risqeve në Ndërtim në aktivitetin e sigurimit Jo-Jetë dhe Sigurimi i Jetës me Kursim, Sigurimi i jetës dhe shëndetit në udhëtim dhe “Flexi Plan” për Sigurimin e Jetës.
Ndërkohë, produktet si Sigurimi i Mallit në Transport apo Sigurimet Inxhinierike paraqesin një
nivel të lartë Euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, interes i cili vlerësohet kryesisht në Euro në rastet e import-eksporteve dhe sigurimeve inxhinierike që përfshijnë vepra madhore të infrastrukturës, përfshirë ato me shoqëri ndërkombëtare.
Pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit për aktivitetin e Sigurimit Jo-Jetë ka shënuar rritje me rreth 4.4% krahasuar me fundvitin 2021, duke shkuar në 34.1% nga 27.4%.
Klasat që kanë shfaqur rritjen më të theksuar të primeve të shkruara në Euro në krahasim me vitin e kaluar, janë Sigurimi i Përgjegjësisë Civile me rritje me 18.9% (nga 45.9% në 64.8%), Sigurimet e Mallit në Transport me rritje të peshës me 9.4% (nga 54.4% në 63.8%), Sigurimet Inxhinierike me rritje 8.4% (nga 66.7% në 75.1%), Sigurimet Motorike me rritje të peshës me 2.7% (nga 21.6% në 24.3%), pasuar nga Sigurimet e Pronës me rritje të peshës me 2% (nga 53.7% në 55.7%).
Ndërsa pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt primeve të shkruara bruto në total për aktivitetin e Jetës ka shënuar një rritje të lehtë me rreth 3.5 pikë përqindje, duke arritur në 37.1%, nga rreth 33.6% që ka qenë në fund të vitit 2021.
Rritje e konsiderueshme e peshës së Euroizimit është shënuar për Sigurimin e kombinuar të Jetës, me rritje me 35.5% (nga 31.3% në 66.8%) dhe Sigurimin e Jetës në grup, me rritje të peshës me 11.4% (nga 2.4% në 13.8%).
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë nënshkruan në muajin Prill 2017 një Memorandum Bashkëpunimi “Për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. Tre institucionet u angazhuan të ndërmarrin veprime për të ulur nivelin e përdorimit të monedhave të huaja në ekonomi, sipas sektorëvë të cilët mbikëqyrin apo monitorojnë. Megjithatë, deri tani vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa konkrete në shërbim të këtij qëllimi.
Megjithëse Euroizimi paraqitet në rritje të ndjeshme edhe në tregun e sigurimeve, AMF në raportin e fundit vlerëson se pesha e vlerës së aseteve që administrohen prej subjekteve të mbikëqyrura prej saj është në nivele përgjithësisht të ulëta dhe i diktuar nga profili i veprimtarisë së institucioneve të mbikëqyrura, duke lenë të kuptohet se nuk sheh arsye për të ndërhyrë me masa që do të ndikonin në drejtim të uljes së Euroizimit.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.