Pas periudhës së pandemisë të Covid-it, shumë njerëz kanë planifikuar dhe rezervuar udhëtimin e tyre të jetës, sepse nëse pandemia na mësoi diçka, ajo është fakti se jeta është shumë e shkurtër.
Të gjithë ëndërrojnë një udhëtim për në SHBA, ndoshta një muaj duke eksploruar Azinë Juglindore, mbase duke u larë në lagunën blu në Islandë ose duke kaluar nëpër vendet e ndryshme të Europës.
Dhe, nëse tashmë jeni duke menduar dhe duke kërkuar për një udhëtim mbresëlënës për vitin 2023, pse të mos shikoni për diçka më ndryshe?
Stasher ka bërë kërkime anembanë globit për të zbuluar destinacionet e fshehta për pushime.
Në vijim do të gjeni shtatë destinacione kryesore që nuk do të dëshironit t’i humbisnit kur planifikoni udhëtimin tuaj të radhës jashtë vendit tuaj.
Shqipëria – për peizazhet e paprekura të Europës
Shqipëria, një enigmë e vërtetë e Europës Jugore, është një thesar i fshehur mbresëlënës për historinë dhe kulturën e saj. Nëse ju pëlqen Kroacia, por jo çmimet e saj, Shqipëria mund të jetë destinacioni i duhur për ju.
Vende të tilla si Kalaja e Rozafës shfaqin monumente të shumta nga e kaluara.
E vendosur lart në një kodër me pamje nga dy lumenj, ajo ishte fillimisht një kështjellë për ilirët, një fis indo-europian i kohëve të lashta.
Alpet shqiptare që ndodhen fare pranë kalasë, u ofrojnë alpinistëve të zellshëm një sfidë të vërtetë në terrenin malor që sigurisht, do të detyronte çdo vizitor të ishte i kujdesshëm.
Kamboxhia – për diellin e dimrit
Vera e Kamboxhias përkon me dimrin në Europë, duke e bërë këtë vend një destinacion të përsosur për të shijuar pak diell. Me një temperaturë të butë prej 30 gradë celcius që nga muaji nëntor e deri në prill, Kamboxhia ofron atraksione për të gjitha llojet e turistëve.
Gjeni kohën për të pushuar në një nga plazhet e shumta me rërë të bardhë në Koh Rong, ose, nëse po kërkoni të eksploroni historinë dhe kulturën ikonë të vendit, shkoni në Angkor Wat.
Grenada – për një parajsë ishullore
I quajtur “Ishulli i Erëzave”, Grenada është perfekte për ata që kërkojnë disa pushime të largëta në një ishull.
Me një peizazh malor plot gjelbërim, me plazhet me rërë të bardhë e të butë dhe me ujëvarat e mëdha, Grenada është parajsa ishullore e Karaibeve, e cila është ruajtur në fshehtësi për kaq shumë kohë.
Grenada njihet edhe për çokollatën e saj organike. Në këtë ishull të vogël ndodhen pesë fabrika të cilat mund t’i vizitoni gjatë një turi, duke degustuar çokollatat e tyre.
Jordania – për vendet historike
Për shumë njerëz të cilit zgjedhin të vizitojnë Lindjen e Mesme, Jordania ka shumë potencial për turistët që duan të përjetojnë mrekullitë më të mëdha natyrore në botë, me një buxhet të përballueshëm.
Nga sërfi në dunat e rërës në Wadi Rum, noti në ujin e pastër të Detit të Vdekur dhe eksplorimi i qytetërimeve të lashta në qytetin e Petrës, mundësitë janë të pafundme për të gjitha llojet e aventurave.
Uruguai – për natyrën mahnitëse
Uruguai, i cili ndodhet mes Brazilit dhe Argjentinës, dy prej destinacioneve më të zakonshme për turistët që vizitojnë Amerikën e Jugut, shpesh anashkalohet nga vizitorët. Pavarësisht se është më pak i njohur, Uruguai është një vend magjepsës që ka një natyrë të veçantë e cila duhet eksploruar.
Peizazhi është i ndërthurur me ligatina, me lloje të ndryshme të pyjeve vendase dhe me disa zona ujore, duke përfshirë lagunat bregdetare.
Hapësirat e gjera dhe dendësia e ulët e popullsisë bëjnë që Uruguai të jetë një vend i përsosur për vizitorët që dëshirojnë të eksplorojnë sipas dëshirave të tyre, duke u përfshirë në eksperiencën e ofruar nga peizazhet mahnitëse të natyrës.
Macau – për dritat e ndritshme të qytetit
I njohur si Las Vegasi i Lindjes, Macau është një destinacion për t’u eksploruar për shkak të shkrirjes kulturore të ndikimit aziatik dhe atij europian.
Vizitorët do të mahniten nga karakteristikat unike të këtij qyteti, qoftë nga kazinotë dhe qendrat tregtare gjigante që ndodhen në brendësi të qytetit, qoftë nga përzierja e arkitekturës portugeze me atë kantoneze.
Seychelles – për jetën detare
Për ata që duan të përjetojnë jetën detare më ekzotike në planet, nuk keni nevojë të shkoni më larg se Seychelles.
I rrethuar nga një mori shkëmbinjsh nënujorë koralorë, me plazhe dhe parqe të shumta natyrore, ky destinacion ofron një mori pasurish të jetës bimore dhe shtazore, të cilat presin për t’u eksploruar nga ju.
Mes zbulimit të specieve të reja dhe magjepsëse, vizitorët mund të shijojnë rrezet e diellit në një nga resortet e shumta të plazhit mahnitës të Seychelles. / Euronews