Europa mund të shkojë drejt një recesioni nëse ndërprerjet e furnizimeve me gaz nga Rusia vijojnë të zgjerohen, kanë sugjeruar ekonomistët pasi Gazprom ndërpreu furnizimet e gazit drejt Polonisë dhe Bullgarisë.
Gjigandi shtetëror i energjisë njoftoi të mërkurën se furnizimet me gaz për dy vendet e Europës Lindore ishin ndërprerë pasi ato refuzuan kërkesën e Moskës për të paguar për gazin në rubla. Gazprom tha se furnizimet do të rifillonin sapo të kryheshin këto pagesa, duke nxitur kështu akuzat për “shantazh” nga kryeministri bullgar, Kiril Petkov.
Duke qenë se në javët e ardhshme përfundon afati i vendosur për pagesat nga një sërë vendesh të tjera europiane që nuk kanë gjasa të pajtohen me kërkesat e Kremlinit për kryerjen e pagesave në rubla, janë rikthyer shqetësimet lidhur me kërcënimet e mëparshme të Presidentit Vladimir Putin për një ndërprerje të gjerë të furnizimeve me gaz për vendet “jomiqësore”.
Në një studim të publikuar të mërkurën, kryeekonomisti i Berenberg, Holger Schmieding, dhe ekonomisti Kallum Pickering thanë se ndërprerja e furnizimeve ndaj Bullgarisë dhe Polonisë dukej se ishte një paralajmërim nga Moska që ajo mund t’i përmbahet kërcënimit që ka bërë.
Gazi përbën rreth një të katërtën e gjenerimit të energjisë së Bashkimit Europian dhe Rusia zakonisht furnizon rreth 40% të importeve të gazit natyror të bllokut.
Europa po përballet njëkohësisht me disa goditje ekonomike nga lufta në Ukrainë, duke përfshirë rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë që u përkeqësuan akoma më tepër nga ky konflikt. Kjo situatë ka shtuar shqetësimet për “stagflacionin” – një gjendje me rritje të ulët ekonomike dhe me inflacion të lartë.
Berenberg tha se problemet aktuale ka të ngjarë të vazhdojnë të ushtrojnë presionet stagflacioniste edhe në tremujorin e dytë të vitit 2022.
“Ndërprerja e papritur e furnizimeve me gaz nga Rusia mund ta bënte Europën që të shkonte drejt një recesioni. Është e vështirë të parashikohet ndikimi i saktë i një embargoje të tillë të menjëhershme të gazit”, thanë Schmieding dhe Pickering.
“Llogaritë se kjo do të sillte uljen e nivelit të PBB-së së eurozonës në vitin 2023 me 3 pikë përqindjeje në krahasim me shifrat e referencës… duken se janë tepër pesimiste, sipas këndvështrimit tonë, por sigurisht që një gjë e tillë do të sillte një goditje të madhe për aktivitetin ekonomik deri në në pranverën e vitit 2023.”
Megjithatë, një masë e tillë do të ishte gjithashtu e kushtueshme për Rusinë dhe tepër e ndërlikuar për t’u zbatuar në praktikë. Megjithëse vendimi për të ndaluar dërgesat e gazit në Poloni dhe Bullgari mund të forcojë vendosmërinë e BE-së për t’i dhënë fund varësisë së saj nga gazi rus, shumë vende anëtare janë kundër një embargoje të menjëhershme të importeve.
Polonia kishte bërë publike planet e saj për të eliminuar gradualisht të gjitha importet e karburanteve ruse deri në fund të këtij viti, ndërsa BE-ja planifikon të reduktojë në mënyrë drastike blerjet e gazit deri në fund të vitit 2022, ndërkohë që po punon për shkëputjen totale nga furnizimet me gaz rus deri në vitin 2030.
Kështu, rasti bazë i Berenberg është se BE-ja do të reduktojë importet e gazit sa më shpejt që të jetë e mundur, por duke u kujdesur që të mos shkaktojë mungesa në tregun e saj. Kjo ka të ngjarë të sjellë ndërprerjen e importeve në vitin 2024.
“Në një rast të tillë, çmimet e energjisë do të mbeteshin të larta, por me shumë mundësi nuk do të rriteshin më tepër. Europa mund ta tejkalojë gradualisht goditjen që vjen nga çmimi i energjisë dhe gjasat janë që të rikthehet një rritje e konsiderueshme ekonomike gjatë verës, përveç skenarit kur izolimet e Kinës si pasojë e COVID-19 dhe mungesat e furnizimeve do të përkeqësoheshin shumë përtej tremujorit të dytë,” shtuan ekonomistët.
Megjithatë, ata vunë në dukje se ndërprerja e furnizimeve me gaz nga Rusia mbetet një rrezik që ndoshta do të detyronte disa vende europiane që të racionojnë furnizimet me gaz në fusha të caktuara të industrisë në fund të vitit 2022 ose në fillim të vitit 2023.
Inflacioni i eurozonës arriti një nivel rekord prej 7.5% në mars, pasi lufta në Ukrainë dhe sanksionet e mëvonshme kundër Rusisë rritën çmimet e energjisë. Lëvizja e fundit e Rusisë shton rreziqet për rritjen akoma më të madhe të inflacionit, por ekonomisti i Capital Economics, Edward Gardner, vuri në dukje të enjten se çdo rritje tjetër e tij do të ishte më e vogël në krahasim me ato që kanë ndodhur tashmë që nga fillimi i luftës.
“Aktualisht ne parashikojmë që inflacioni i eurozonës do të jetë 7% këtë vit dhe 3% vitin e ardhshëm. Nëse çmimet e gazit natyror në Europë do të rriteshin deri në 150 euro për MWh dhe do të mbeteshin në këtë nivel, në vend që të bien në 75 euro deri në fund të vitit të ardhshëm siç janë parashikimet aktuale, inflacioni total do të ishte 0.2 pikë përqindjeje më i lartë se në parashikimet tona,” tha Gardner.
Ai shtoi se njoftimi i së mërkurës nga Gazprom shton rrezikun e ndërprerjeve të menjëhershme të gazit, gjë e cila do të “përkeqësonte recesionin” që po projekton Capital Economics për eurozonën në vitin 2022.
“Nëse Rusia do të ndërpresë eksportet e gazit drejt Gjermanisë, qeveria ndoshta do të racionojë konsumin e gazit. Familjet do të ishin më të mbrojtura, kështu që industria (veçanërisht ajo kimike dhe metalurgjike) do të ishte më e goditura, duke shkaktuar një recesion të thellë,” tha Gardner./ CNBC