Europa e pa vaksinuar plotësisht, OBSH-ja: Varianti Delta do të jetë mbizotërues deri në gusht

02/07/2021 2:33 PM 0 komente

Europa do të preket kryesisht nga infektimet e variantit Delta por nuk do të jetë e vaksinuar plotësisht deri në gusht, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të enjten.

Varianti Delta, i cili është më i transmetueshëm se variantet e tjera Covid-19, është shkaktari i një rritje të infeksioneve në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht niveleve të larta të vaksinimit në këtë shtet.

Hans Kluge, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, tha se rastet Covid-19 tani po rriteshin për herë të parë në 10 javë në rajonin evropian që përfshin disa vende të Azisë Qendrore.

“Javën e kaluar numri i rasteve u rrit me 10 për qind, si pasojë e udhëtimeve, grumbullimeve dhe lehtësimit të kufizimeve sociale”, tha Kluge në një konferencë për shtyp, duke shtuar se varianti Delta tashmë po tejkalon variante të tjera në rajon.

“Deri në gusht, rajoni evropian i OBSH-së do të jetë i dominuar nga varianti Delta, por deri në Gusht, rajoni nuk do të jetë i vaksinuar plotësisht. 63 për qind e njerëzve janë ende duke pritur dozën e tyre të pare të vaksinimit”, tha Kluge.

Vaksina është efektive kundër variantit Delta vetëm pas dy dozave, prandaj autoritetet po i nxisin njerëzit që të marrin një dozë të dytë vaksine.

Me shumë mundësi, vala e re e virusit do të ndodhë para vjeshtës

Kluge paralajmëroi se do të kishte një valë të re virusi në rajon nëse njerëzit nuk disiplinohen dhe vaksinat nuk rriten.

“Tre kushtet që një valë e re e shtrimeve në spital dhe vdekjeve shtesë para vjeshtës të ndodhë janë plotësuar: variantet e reja, njerëzit që nuk vaksinohen dhe grumbullimet sociale”, tha z. Kluge të enjten.

Z. Kluge shtoi se situata dukej e ngjashme me atë të vitit të kaluar, ku transmetimi dhe grumbullimet sociale çuan në valën e mëdha të infektimeve nga virusi në vjeshtë dhe dimër.

“Tani është momenti i duhur për të vepruar,” tha ai, duke shpjeguar se për sa kohë që virusi është në qarkullim, do të ketë më shumë variante.

Dr Catherine Smallëood nga programi i urgjencave shëndetësore të OBSH-së shtoi se rritja e infektimeve mund të ndodhë edhe më herët se vjeshta.

“Nëse kemi grupe të mëdha të popullatave që nuk kanë marrë dy doza të vaksinës COVID-19, rritja e rasteve që ne tashmë po shohim në disa vende në të gjithë rajonin do të vazhdojë dhe do të përkojë me shtrimet në spital dhe rritjen e vdekjeve”, tha ajo.

“Pra, shqetësimi siç kemi thënë për muaj me radhë për një valë të re në vjeshtë ekziston, por frika është se mos kjo valë ndodh edhe përpara vjeshtës”./ Euronews

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of