Europa është në një ‘pikë vendimtare’ në valën e saj të dytë të virusit

24/09/2020 3:29 PM 0 komente

Europa është në një pikë “vendimtare” në trajtimin e valës së dytë të koronavirusit, paralajmëroi komisionerja për Shëndetësinë në Bashkimin Europian, duke shtuar se veprimet që do të ndjekin njerëzit tani do të përcaktojnë ashpërsinë e kufizimeve të nevojshme në muajt e ardhshëm.

“Zonja dhe zotërinj, ne jemi në një moment vendimtar,” tha komisionerja Stella Kyriakides.

“Sot ne jemi këtu për t’i bërë thirrje të gjithëve që të veprojnë me vendosmëri. Mund të jetë shansi ynë i fundit për të parandaluar një përsëritje të asaj që kaluam në pranverë”.

Kyriakides shtoi se vjeshta dhe dimri janë stinë ku shfaqen më së shumti sëmundjet e frymëmarrjes, përfshirë edhe gripin sezonal.

“Për të parandaluar atë që mund të jetë potencialisht një “binjakëzim vdekjeprurës i Covid-19 dhe gripit”, i cili mund të mbingarkojë sistemet tona shëndetësore dhe të çojë në më shumë humbje jete, ne duhet të rrisim mbulimin e niveleve të vaksinimit,” shtoi ajo.

Gjithashtu njerëzit nuk duhet të ulin vigjilencën e tyre sepse “kriza nuk është pas nesh”.

“Ne duhet të parandalojmë një situatë ku qeveritë të mos kenë zgjidhje tjetër përveçse të forcojnë masat bllokuese”.

“Bllokime të tilla do të jenë të dëmshme, të dëmshme për shëndetin tonë mendor, të dëmshme për ekonomitë tona, të dëmshme për mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve tanë, të dëmshme për punën tonë dhe jetën e përditshme. Ne duhet të marrim masa që do t’i mbrojmë ata përreth nesh, qofshin ata prindër apo gjyshër apo ata të pambrojtur në shoqëritë tona “.

Deklarata e komisioneres vjen në kohën kur ekspertët globalë të shëndetit paralajmërojnë se ardhja e sezonit të gripit është një “shqetësim i madh” për shkak të barrës së mundshme të shërbimeve shëndetësore.

Ekspertët thanë se Europa edhe një herë duhet të “rrafshojë kurbën” përmes distancimit social dhe higjienës personale, si dhe testimit të fuqishëm dhe gjurmimit të kontakteve ndërsa rastet rriten dhe qeveritë propozojnë masa të reja në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit./CNN

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of