Të vonuarit e Ballkanit ‘fshehin’ shpresa të reja për të hyrë në BE
Që nga fundi i luftërave ballkanike në vitin 1999, pyetja më e rëndësishme në rajon ka qenë kur dhe si të bashkohen me Bashkimin Europian, shkruan The Economist. Sllovenia e shtroi një pyetje të tillë në vitin 2004 dhe Kroacia e ndoqi në vitin 2013. Për pjesën tjetër, megjithatë, objektivi mbetet ende i largët. Perspektivat e Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – të gjithë në faza të ndryshme të integrimit drejt BE-së – kanë mbetur ‘në vendnumëro’ për një periudhë.
Por muajt e fundit kanë sjellë progres, kryesisht pa u vënë re në pjesën tjetër të Europës së ‘mbërthyer’ nga kriza.
Më 25 gusht, Kosova dhe Serbia nënshkruan disa marrëveshje të ndihmuara nga BE-ja, përfshirë një e cila i jep më shumë të drejta komunave të dominuara nga serbët në Kosovë. BE-ja ndërmjetësoi edhe një marrëveshje që çon në zgjedhje të reja në Maqedoni, ku kriza politike ka arritur një pikë kritike. Është hequr dorë nga politika jofunksionale e BE-së, e cila bllokonte përparimin e Bosnjës.
Ndryshimi i vetëm më i madh, thotë Remzi Lani, analist shqiptar, është se liderët e Ballkanit Perëndimor aktualisht marrin sugjerime nga Berlini, jo Brukseli. “Është momenti gjerman”,- thotë ai. Ndryshimi u shfaq në një samit rajonal në Vjenë më 27 gusht. Krerët e qeverisë u takuan në kuadër të asaj që është bërë i njohur si “procesi i Berlinit”, drejtuar nga Angela Merkel, kancelarja gjermane, e cila vizitoi Shqipërinë, Bosnjën dhe Serbinë në korrik.
Këtë herë, diplomatët gjermanë po luajnë një rol edhe më të madh. Komisioni Europian nuk bën asgjë në Ballkan tani, thotë një diplomat i lartë ‘pa një dritë jeshile nga Gjermania’. Një tjetër lojtar i madh është kthyer në mënyrë diskrete në lojë. Amerika, e cila pas vitit 1999 u zhduk gradualisht nga Ballkani, tani është tepër aktiv përsëri, shpesh duke ndihmuar BE me ‘forca’ të përshtatshme diplomatike. Zyrtarët amerikanë luajtën rol kryesor në nxitjen e Kosovës për miratimin e ligjit të 3 gushtit për të krijuar një gjykatë të krimeve të luftës mbështetur nga BE. Ata gjithashtu ndihmuan në sigurimin e marrëveshjes, për t’i dhënë fund krizës maqedonase në korrik.
Ka disa arsye se pse Ballkani po tërheq më shumë vëmendje në kryeqytetet perëndimore. Korrupsioni, nacionalizmi dhe ekstremizmi janë të gjithë në rritje. Ka myslimanë që shkojnë në Siri për të luftuar për Shtetin Islamik. Simpatia për Rusinë është në rritje në disa vende.
Planet e Serbisë për të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake ruse u përballën me kritika të ashpra publike nga Perëndimi.
Bekim Çollaku, ministri i Kosovës për integrimin në BE, thotë: “Nga pikëpamja strategjike BE-ja duhet të përshpejtojë procesin”. Zgjerimi mund të mos ketë aspak mbështetje popullore në shumë shtete anëtare, por kostoja e vonesës sa vjen e rritet.