Europa u dallua si i vetmi rajon i madh në mbarë botën, që raportoi një rritje të rasteve dhe vdekjeve nga Covid-19 gjatë javës së kaluar, me një rritje dyshifrore në përqindje, si të rasteve dhe vdekjeve, tha OBSH.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se rastet e reja me COVID-19 në rajonin europian prej 53 vendesh, i cili shtrihet deri në lindje duke përfshirë ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore, regjistruan një rritje prej 18% gjatë javës së fundit.
Në raportin javor epidemiologjik të OBSH-së për COVID-19, Europa gjithashtu shënoi një rritje prej 14% të numrit të vdekjeve për shkak të virusit. Kjo shifër arriti në më shumë se 1.6 milion raste të reja dhe mbi 21,000 vdekje të reja.
Shtetet e Bashkuara shënuan numrin më të madh të rasteve të reja gjatë shtatë ditëve të fundit – gati 513,000 raste të reja, megjithëse kjo ishte një rënie prej 12% krahasuar me një javë më parë – dhe mbi 11,600 vdekje, pothuajse i njëjti numër si javën e kaluar.
Britania ishte e dyta me më shumë se 330,000 raste të reja. Rusia, e cila ka shënuar një sërë rekordesh ditore kombëtare për infeksionet dhe vdekjet nga COVID-19 ditët e fundit, shënoi gati një çerek milion raste të reja gjatë javës së fundit.
Zyrtarët e OBSH-së kanë vënë në dukje një sërë faktorësh për problemet e virusit në Europë, duke përfshirë normat relativisht të ulëta të vaksinimit në disa vende në Europën Lindore, përfshirë Ukrainën, Rumaninë, Bullgarinë, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, të cilat kishin disa nga normat më të larta të infeksionit për 100,000 njerëz, në javën e fundit.
Në përgjithësi, rajoni i gjerë i Amerikës – i cili ka shënuar numrin më të madh të vdekjeve nga pandemia se çdo rajon tjetër (me më shumë se 2.7 milion) shënoi një rritje prej 1% të vdekjeve gjatë javës së fundit, edhe pse rastet ranë me 9%.
Rastet në rajonin e Azisë Juglindore, i cili përfshin vende të populluara si India dhe Indonezia, ranë me 8% edhe pse vdekjet u rritën me 13% gjatë javës së fundit./AP