Spanja tani është vendi i dytë në botë, pas Italisë për numrin e vdekjeve, pasi ia tejkaloi edhe Kinës.
Këtë të mërkurë janë regjistruar 3.434 të vdekur, nga 3,285 vdekje që ka Kina. Italia, vendi më i prekur në botë, ka një numër zyrtar të vdekjeve prej 6.820.
E gjithë bota vazhdon të luftojë përhapjen e koronavirusit, e fundit që bashkohet në këtë luftë është India, e cila të martën mori vendimin për të mbyllur në shtëpi 1,3 miliardë njerëz.
Në Spanjë, hotelet janë shndërruar në spitale dhe një shesh patinazhi në Madrid është duke u përdorur si një morg, pasi numri i të prekurve dhe vdekjeve vijon të rritet.
Përpos numrit të vdekjeve, numri i të infektuarve u rrit me 20 për qind të mërkurën.
Italia – kombi më i goditur në botë – ka më shumë se 69,000 të prekur dhe 6.800 vdekje.
Spanja, Italia dhe vendet e tjera europiane, po shohin që sistemet e tyre të shëndetësisë janë duke u mposhtur, me spitalet që nuk kanë pajisjet e nevojshme për të trajtuar pacientët dhe për të mbajtur mjekët dhe infermierët e sigurt. Mjekët po vdesin në Itali dhe në Spanjë 14 për qind e të prekurve janë punonjës të kujdesit shëndetësor.