Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy tha se 27 liderët ranë dakord në një samit të Brukselit, që të përshtasin një kuadër ligjor deri në fund të këtij viti, duke i dhënë Bankës Qendrore Europiane përgjegjësinë totale për mbikëqyrjen bankare.
“Në momentin që do të bihet dakord për këtë, mekanizimi i mbikëqyrjes së vetme ka të ngjarë që të bëhet operativ gjatë 2013,” tha ai në një konferencë për shtyp, pas më shumë se 10 orë bisedimesh.
Zyrtarët francezë dhe ata të BE-së thanë se të gjitha 6000 bankat në zonën e monedhës së vetme mund të kalonin gradualisht nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore Europiane (ECB) deri në 2014, duke filluar me bankat që marrin ndihmë shtetërore dhe më pas institucionet e mëdha ndër kufitare. Pjesa më e madhe e mbikëqyrjes ditore do t’u delegohej institucioneve kombëtare.
Krijimi i një unioni efektiv bankar shihet nga FMN dhe ekonomistët e tregut si një element kyç në tejkalimin e krizës tre vjeçare të borxheve të eurozonës.
“Sot kam konfirmimin se më e keqja ka kaluar. Nëse samiti i dhjetorit konfirmon vendimet që morëm, nëse Greqia gjen një zgjidhje afatgjatë, nëse Spanja vë në punë mekanizmin e financimit, ne do të kemi një situatë që do të ndikojë pozitivisht në tregje dhe besimin e eurozonës,” tha presidenti francez, Francois Hollande.
Marrëveshja erdhi pasi liderët e Francës dhe Gjermanisë, fuqitë qendrore të Europës, zhvilluan një takim privat, pasi ishin përplasur në publik lidhur me kontrollin më të madh të buxheteve kombëtare nga Bashkimi Europian.
Merkel më parë kishte kërkuar autoritet më të fortë për drejtuesit e Komisionit Europian që të kishin veto mbi buxhetet kombëtare që shkelnin rregullat e BE-së.
Për një herë të vetme, samiti nuk u zhvillua nën presionin e ashpër nga tregjet financiare, që janë qetësuar që kur ECB u angazhua muajin e kaluar për të ndërhyrë me vendosmëri në treg nëse do të ishte e nevojshme për të blerë obligacionet e shteteve me probleme të eurozonës, për të ruajtur euron.