Ndikimi i popullsisë polake do të jetë gjithnjë i pranishëm në vend, shkruan The Economist. Europianët do të mbeten një nga trashëgimitë më të prekshme të 47 viteve të Britanisë në klubin europian
Nëse flisni me një nga 4 milionë europianët që jetojnë në Britani, ata ndoshta do t’ju tregojnë të njëjtën histori. Se fillimisht dëshironin të qëndronin vetëm për një vit apo më shumë – aq kohë sa për të studiuar, për të përmirësuar nivelin e anglishtes apo për të mbledhur para për të jetuar një jetë më të mirë në atdhe.
Dhe pastaj, një vit u bë dy, derisa arriti në 20. Maria Torrent-March erdhi nga Spanja me programin Erasmus, si pjesë e diplomës 5-vjeçare. Në fakultet, ajo takoi një student anglez dhe nisën të dilnin së bashku. Ajo mendoi “Të kthehem në Spanjë, apo t’i jap djalit një shans?” Zgjodhi djalin.
Pasi Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian, shumë komentues parashikuan një “Brexodus”. Meqenëse Brexit do t’i jepte fund lëvizjes së lirë, do të ulte edhe arsyet ekonomike për të qëndruar në Britani, nxitur edhe nga ndjenjat anti-emigrante. A mundeshin shumë europianë të largoheshin po aq lehtë sa kishin ardhur?
Në pjesën më të madhe, kjo nuk ka ndodhur. Megjithëse ritmi i daljeve është përshpejtuar shumë që nga referendumi (shih grafikun), të paktën deri në fund të vitit 2019 – pasi Covid-19 çrregulloi të dhënat e migracionit – më shumë njerëz po mbërrinin në Britani sesa po largoheshin. Numri i shtetasve europianë që jetojnë në Britani, u rrit nga 3.2 milionë në vitin 2015, në 3.6 milionë në vitin 2019.
Skema qeveritare e qëndrimit për shtetasit e BE-së, ka marrë 4.4 milionë aplikime, përfshirë një nga zonja Torrent-March, e cila u martua me “djalin”; ata tani kanë dy vajza. Megjithëse disa aplikime janë kryer nga migrantë që janë larguar, ose si një politikë sigurimi nga europianët pa ndonjë plan aktual për të jetuar në Britani, numrat nuk duket se tregojnë një Brexodus.
Europianët nuk duket se do të largohen së shpejti, nëse parashikimet janë të sakta. Sa më gjatë që një emigrant qëndron në një vend, aq më pak gjasa ka që të largohet, tregon Madeleine Sumption nga Observatori i Migracionit të Universitetit të Oksfordit. Deri në vitin 2019, pak më shumë se gjysma e shtetasve të BE-së kishin jetuar në Britani për një dekadë ose më shumë.
Ata mund të kenë ardhur pa ndonjë qëllim për qëndrim afatgjatë, por me kalimin e kohës gjërat kanë ndryshuar. Në ato dhjetë vjet, disa do të kenë gjetur punë të mira, të tjerë do të kenë fituar kualifikime britanike, do të jenë martuar ose do të kenë lindur fëmijë – të gjitha këto kanë forcuar lidhjet e tyre me Britaninë. “Mendoj se shumica e këtyre njerëzve do të qëndrojnë këtu përgjithmonë”, thotë zonja Sumption.
Kjo tregon se europianët do të mbeten një nga trashëgimitë më të prekshme të 47 viteve të Britanisë në klubin europian, ashtu si disa breza britanikësh me origjinë Karaibe ose Aziatike, përfaqësojnë kujtimet e një perandorie të vdekur prej kohësh dhe periudhën e shkurtër të emigracionit të pakufizuar që lulëzoi në fund të saj. Me kalimin e kohës, mund të shfaqet një identitet komod europiano-britanik, thotë Sunder Katwala nga British Future, një think-tank.
Shkollat janë mësuar tashmë të regjistrojnë fëmijë me të paktën një prind europian; rreth 730,000 kanë lindur nga nëna europiane në Angli dhe Uells në vitet 2008-‘19. Lindjet janë ngadalësuar që nga referendumi. Në brezin e ardhshëm, fëmijët me dy prindër të lindur në Britani, mund të flasin për një gjysh polak në të njëjtën mënyrë siç shumë janë krenarë për trashëgiminë e tyre irlandeze.
Kjo nuk do të jetë e vërtetë vetëm për qytetet e mëdha, por edhe për qytetet e vogla dhe zonat rurale, megjithëse në një masë më të vogël. Çdo autoritet lokal në Britani është renditur si vendbanim në të paktën disa dhjetëra aplikime për qëndrim. Edhe Ishujt e Scilly janë përfshirë në kërkesa nga një grup polakësh dhe hungarezësh. Polakët janë veçanërisht të shpërndarë: ata përbënin më shumë se 500 aplikime në 298 nga 379 autoritetet lokale, krahasuar me 58 autoritete që morën rreth 500 aplikime franceze.
Marrim për shembull Corby, një qytet në Northamptonshire, dikur sinonim i papunësisë pas mbylljes së fabrikave të tij të çelikut. Më shumë se 3,000 polakë janë regjistruar për të qëndruar në këtë zonë, nga popullsia totale e qytetit prej 72,000. Corby tani është një shtëpi e njohur për firmat logjistike, të cilat e favorizojnë atë për vendndodhjen qendrore dhe furnizimin me fuqi punëtore. Zonja Torrent-Mars drejton operacionet në Europa, një nga firmat me një depo të madhe në qytet. Nga 199 punonjësit e saj, 113 janë europianë, një pjesë që nuk është ulur që nga referendumi. Emigrantët nga BE përbëjnë 24% të popullsisë së qytetit – përqindja më e madhe në Britani.
Në qytet tani është hapur një praktikë private mjekësore polake, e menaxhuar nga Maciej Kuzma dhe partnerja e tij, Anna. Ata punuan të dy në një depo kur u transferuan në Britani, shtatë vjet më parë. Por së shpejti gjetën punë më fitimprurëse dhe kursyen mjaftueshëm për të blerë operacionin në vitin 2017, pa u penguar nga rezultati i referendumit.
“Informacioni në lidhje me Brexit ishte befasues, por nuk ishte diçka që do të na ndalonte të realizonim planet tona, ëndrrat tona”, thotë zoti Kuzma. “Historia polake është shumë e pasur. Ne kemi pasur një të kaluar jashtëzakonisht të vështirë. Ndoshta sepse jemi mësuar të detyrohemi të përshtatemi”. Ata tani kanë 13,000 pacientë dhe hapën praktikën e dytë vitin e kaluar.
Por Londra vazhdon të ketë numrin më të madh të europianëve. Zonat e pasura në Kensington dhe Chelsea ishin renditur në më shumë se 5,000 kërkesa nga shtetas francezë dhe italianë. Lycée Français Charles de Gaulle mbetet i njohur për prindërit francezë.
Caroline le Luel u zhvendos nga Parisi në vitin 2005 me vajzën 4-vjeçare dhe djalin dy vjeç; me kalimin e kohës, ajo i regjistroi të dy në Lycée. Djali i saj tani është në vitin e fundit dhe vajza, në universitet. Edhe pse ishin arsimuar në një shkollë franceze, “ata ndihen paksa të huaj kur ndodhen në Francë. Nuk mendoj se do të shpërngulen atje në të ardhmen”.
Kjo ndihmon për të shpjeguar pse familja aplikoi për shtetësi pas Brexit, pavarësisht se vota ishte “shumë emocionuese”. “Ne jemi jashtë Europës, por njerëzit e kanë ndërtuar tashmë jetën e tyre këtu”, thotë ajo. “Ne nuk e shohim Mbretërinë e Bashkuar aq tërheqëse sa dikur, por ende duam të qëndrojmë këtu. Kjo është shtëpia jonë”.