Zëra nga Brukseli kanë filluar t’u bien daulleve se protesta e opozitës në kryeqytet është imazhi i keq për vendin dhe që mund të pengojë integrimin. Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, u shpreh javën e kaluar se “qytetari i thjeshtë (europian) që shikon pamjet e transmetuara, e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend (Shqipëria)na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE”, duke nënvizuar “se pamjaflet më shumë se një mijë fjalë”.
Por, ne kemi një pyetje të thjeshtë sot. A ka qenë imazhi i Shqipërisë kriter për hapjen e negociatave? Siç na ka treguar me rreptësi BE, edhe atëherë kur nuk e meritonim, integrimi i Shqipërisë përparon kur plotësohen standardet e një demokracie dhe të një shteti të së drejtës që funksionon. Gjatë këtij procesi, asnjëherë Shqipëria nuk e ka “merituar”integrimin, le të themi p.sh., se ka mbjellë më shumë lule apo ka lyer fasadat, paçka se pushteti i ka treguar dhe investuar me zell tek to.
Mirëpo mesazhi se protestat prishin imazhin nga televizori po i japin pushtetit alibinë që të gjejë fajin e ngecjes së procesit tek të tjerët dhe po kontribuon për t’i ndarë shqiptarët mes atyre që bëjnë zhurmë e po pengojnë integrimin dhe atyre që heshtin se duan integrimin. Por ky tamtam i daulles që po dëgjohet, më shpesh stonon me muzikën e popujve të Europës.
As nuk e çuan nëpër mend se Franca do të duhet të dalë nga Unioni se jelekëverdhët e shkundën Parisin, kryeqytetin kur ra monarkia. As Greqinë e përfshirë nga flakët nuk e lanë të dilte nga BE, kur shpërtheu kriza e rëndë. Përkundrazi, grekët shembën kastën e politikanëve që i kishin gënjyer për kaq shumë vite me muzikën e ëmbël të mbështetjes financiare nga BE. Edhe Berluskonin, Europa e vendosi në qoshe kur çedoi rëndë me financat publike,por Italia i dha euros fytyrën e saj.
Integrimi, si një aspiratë e madhe për shqiptarët, nuk mund të tjetërsohet në “gogol” që tremb nëse nuk qëndrojmë urtë, sepse po bëhet shkaktare dhe për rilindjen edhe të një lloji tjetër censure, e cila gjykon mbi formën dhe jo përmbajtjen. Ky model që po imponohet është duke na bërë ne shqiptarët më kritikë të vetes, se sa të tjerët dhe më të paaftë për të reaguar në kohë dhe në formë më të moderuar.
Në gjysmëfinalen e Eurovision-it, përfaqësuesja e Shqipërisë arriti të kualifikohet me sukses. Ajo do të konkurrojë me dinjitet dhe profesionalizëm përkrah vendeve më shumë të votuara në skenën e finales së madhe të Europës. Imazh dhe arritje më të mirë gjatë këtyre javëve nuk ka. Por,çfarë ndodhi në Shqipëri?
Publiku i ngeshëm i rrjeteve sociale,por edhe pa ekspertizë,u kufizuan te kritikat mediokre për fjalën “fasadë” të shqiptuar anglisht, jo në mënyrë korrekte nga këngëtarja shqiptare. U bënë më kritikë sesa ata që e kanë anglishten gjuhën e tyre. Asnjë fjalë shqip dhe as anglisht nuk u tha nga institucionet shqiptare në mbështetje të Shqipërisë në Eurovision.
Ky është një element që në një kontekst tjetër, ndoshta nuk zë peshë. Por tashmë në mjedisin e ri shqiptar, ku fasada ka më shumë rëndësi se brendia dhe që për shkak të këtij modeli ambiciet dhe kriteret tona për të vlerësuar arritjet janë denatyralizuar, atëherë ne duhet të shqetësohemi seriozisht. Protestat e këtyre kohëve janë kundër vjedhjes së votës, krimit në pushtet dhe kundër korrupsionit, siç edhe BE është kundër…
Por nëse duam të fitojmë e të përparojmë drejt skenës së madhe europiane nuk duhet të shqetësohemi për fasadën dhe daullet, por për përmbajtjen dhe muzikalitetin e “Odës së gëzimit” (titulli i Himnit të BE-së) çka popujt europianë dhe institucionet e tyre historike dinë ta diferencojnë e ta vlerësojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.