Eurostat: Ekonomia shqiptare humbi 400 mln euro në tremujorin e parë

05/08/2020 11:00 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Ekonomia shqiptare rezulton të ketë humbur rreth 400 milionë euro që në tremujorin e parë të këtij viti, si rrjedhojë e tërmetit dhe pandemisë që detyroi një mbyllje të ekonomisë nga mesi i muajit mars.

Shifra u publikua në statistikat e përditësuara të Eurostat, për vendet anëtare, ku përfshihen dhe shtetet e rajonit. Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime tregu për Shqipërinë zbriti në 3 miliardë euro, nga 3.4 miliardë euro në tremujorin e mëparshëm, duke arritur në nivelin më të ulët që nga tremujori i parë 2018.

Më herët, INSTAT raportoi se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e parë të vitit 2020 vlerësohet me rënie prej 2,52%, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2019. Tërmeti ne fund të vitit të kaluar, që frenoi sektorin e ndërtimit dhe mbyllja e ekonomisë në gjysmën e dytë të muajit mars, e kanë çuar ekonominë në territor negativ në tremujorin e parë të vitit. Dy sektorët që kanë ndikuar më negativisht në rritjen ekonomike janë ndërtimi, me -1.29 pikë përqindje, i cili u frenua pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ndërkohë bllokimi i ekonomisë, pas datës 10 mars, me shfaqjen e rasteve të para me Covid-19 ka ndikuar në aktivitetet e tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor, gjë që ka ndikuar negativisht me 0.58 pikë përqindje, si dhe në aktivitetet profesionale dhe administrative, me -0.55%. Këto grupe pritet të ketë shënuar rënie më të madhe në tremujorin e dytë, ku për dy muaj pothuajse gjithçka ishte e mbyllur, ndërsa ndërtimi ka qenë aktiv edhe gjatë periudhës së Covid-19.

I vetmi sektor me rritje ishte bujqësia, që ndikoi pozitivisht me 0.71 pikë përqindje. Covid-19 ka ndikuar negativisht dhe në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese (-0.45%), informacionin dhe komunikacionin (-0.15%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (-0.16%).

Qeveria shqiptare ka parashikuar në buxhetin e rishikuar se ekonomia pritet të humbë rreth 1.8 miliardë euro nga pandemia që ka mbërthyer vendin dhe botën.

Në tabelat e buxhetit të rishikuar 2020, financat rishikuan në ulje Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, (që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare që prodhohen nga ekonomia në një periudhë të caktuar), në 1.58 trilionë lekë, ose 12.7 miliardë euro.

Në krahasim me pritshmërinë në fund të 2019-s, kur Prodhimi i Brendshëm Bruto për këtë vit parashikohej në 1.79 trilionë lekë (14.5 miliardë euro), rënia është rreth 1.8 miliardë euro. Kjo është dhe shuma që ekonomia pritet që të humbë nga izolimi pothuajse total dy mujor dhe pasojat afatgjatë që ai la në zinxhirin e furnizimit, industri, bizneset e vogla, konsum, punësim etj.

Qeveria pret një rënie ekonomike prej 4.3% në 2020-n.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of