Eurostat: Shqipëria, me çmimet më të larta në rajon për ushqime, veshje, pajisje elektronike “konkurrojmë” Europën

19/06/2020 1:28 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Shqipëria, më e varfra e Europës për të ardhurat, është vendi që ka çmimet më të larta në rajon për disa kategori, si “ushqime e pije joalkoolike”, dhe sidomos për veshje e pajisje elektronike, duke u krahasuar me mesataren europiane.

Ndërsa kanë më pak të ardhura se të gjithë (31% e mesatares europiane), familjet shqiptare përballen dhe me çmime të larta të ushqimeve, çka i bën ata edhe më të varfër. https://www.monitor.al/me-te-varfrit-e-europes-shqiperia-serish-me-konsumin-dhe-te-ardhurat-me-te-uleta-per-fryme-ne-2019-n/

Eurostat ka publikuar sot të dhënat e krahasueshme mbi nivelin e Indeksit të Çmimit të konsumit për mallrat dhe shërbimet, i cili mat diferencat në çmime mes vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë dhe rajonin.

Në përgjithësi, në Shqipëri, çmimet janë sa 57% e mesatares së BE-së (nga 54% në 2018-n), më të lartat në rajon, së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi. Më e lira është Maqedonia, sa 50% e mesatares së BE-së dhe më pas Bosnja, me 55% (të dhënat për Kosovën mungojnë).

Për disa kategori, Shqipëria është më e shtrenjta. Për ushqime dhe pije joalkoolike, çmimet janë sa 82% e mesatares europiane, ndërsa Mali i Zi, me të ardhura më të larta e ka 79%, Serbia (78%), Bosnjë-Hercegovina (76%), ndërsa më të lira, ushqimet janë në Maqedoninë e Veriut (61%). Maqedonia e Veriut është vendi ku ushqimi kushton më lirë se në çdo vend tjetër të Europës.

Shqipëria mban rekord dhe për peshën e lartë të shpenzimeve për ushqime, ku familjet harxhojnë mesatarisht 44% të totalit për të përmbushur nevojat për t’u ushqyer (mesatarja e BE-së është 12%)

Më të shtrenjtat në rajon janë dhe veshjet, që janë pothuajse të barabarta me mesataren europiane (97%). Në Mal të Zi janë sa 88%, Serbi (94%), Maqedoninë e Veriut (76%). Veshjet më të lira në Europë i gjeni në Turqi (45%) dhe më të shtrenjtat në Danimarkë, sa 132% e mesatares europiane.

Mbi mesataren europiane janë çmimet e pajisjeve elektronike (103%), ku më e shtrenjtë se ne është vetëm Serbia (113%).

Shqipëria dhe Maqedonia kanë restorantet më të lira në Europë, mesatarisht 46 dhe 45%, ndërsa më i shtrenjti është Mali i Zi (57%).

Për çmimet totale, vendi më i lirë në Europë është Turqia, me 47% të mesatares europiane dhe më i shtrenjti Zvicra (162%). Ushqimet janë më të shtrenjtat në Zvicër (163%), më të lirat në Maqedoninë e Veriut (61%). Pajisjet elektronike janë më të lirat në Poloni (91%) dhe më të shtrenjta në Islandë (131%). Për restorantet kryeson Islanda (176%), ndërsa më të lirat i ka Maqedonia e më pas Shqipëria.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of