Eurowings hap bazë në Kosovë

20/06/2019 2:49 PM 0 komente

Të mërkurën më 19 qershor, kompania e njohur gjermane e aviacionit, Eurowings, vendosi një avion Airbus A319 në Prishtinë, Kosovë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës do të jetë baza e dytë e kompanisë Eurowings jashtë Gjermanisë dhe Austrisë, si dhe e para pas bazës së hapur në Palma de Mallorca, shkruan Uebsajti Simple Flying.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm për një vend që kërkon të përmirësojë lidhjen e tij ajrore si një mënyrë për të përforcuar lidhjet me diasporën e madhe të saj, shkruan ky medium i huaj.

Ka disa arsye pse Eurowings zgjodhi të krijonte bazë në Kosovë para se të bënte këtë në aeroportet ku ka një prani më të rëndësishme. Arsyeja kryesore që nxiti këtë është falimentimi i kompanisë gjermane të fluturimeve “Germania”.

Vetë kompania “Germania”, e cila falimentoi në muajin maj, kishte planifikuar të hapte një bazë në Prishtinë në mars të këtij viti. Linja ajrore nuk u realizua vetëm një muaj para kësaj.

Megjithatë avioni i vendosur nga kompania e falimentuar “Germania” në Kosovë, mbijetoi dhe u ble nga operatori turistik kosovar, Air Prishtina. Ky zhvillim ndikoi drejtpërdrejtë në të gjitha vendimet e Eurowings lidhur me hapjen e bazës në Prishtinë, shkruan mediumi Simplyflying.com.

Lajmi se kompania e njohur gjermane Eurowings do të investojë në Kosovë u përhap edhe dje, pas një takimi që kryeministri Ramush Haradinaj pati me drejtues të lartë të kompanisë gjermane.

“Si Qeveri jemi të fokusuar që investimet e huaja të jenë sa më të pranishme dhe në këtë drejtim kemi punuar që investitorëve t’u ofrojmë kushtet më të mira për investim, me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, thuhej në njoftimin e Qeverisë. /Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of