Teksa Greqia dhe kreditorët ndërkombëtarë nuk po e gjejnë gjuhën e përbashkët, Athina po shkon drejt mospagimit të 1.6 miliardë euro kësti të borxhit që ka ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtare në 30 qershor, në rast se nuk do të marrë fonde të reja deri atëhere, duke e bërë të mundshëm një dalje nga zona euro.
Kjo mund të fillojë në rast se qeverisë do t’i duhet të vendosë kontrolle mbi kapitalin për të ndaluar largimin e depozitave nga bankat dhe do të detyrohet të paguajë pagat, pensionet dhe furnitorët me letra që njohin detyrimin e borxhit (IOU) për shkak të mungesës së eurove.
Ligjvënësit në partinë konservative të Merkel dhe partnerët e koalicionit të qendrës së majtë ishin më të zymtë sesa kancelarja në paralajmërimin se një dalje e Greqisë nga eurozona është tashmë në lojë.
“Në rast se nuk paraqitet një platformë e qëndrueshme reformash, atëherë një ‘Grexit’ do të duhet të pranohet si një domosdoshmëri,” tha Michael Grosse-Broemer, një ligjvënës i lartë i kristiandemokratëve të Merkel. “Unë nuk jam më i sigurt nëse qeveria greke është realisht e interesuar në shmangien e dëmit për popullin grek.”
Kryeministri finlandez Juha Sipila, tha se do të duhej një mrekulli të arrihej një marrëveshje javën e ardhshme, por kjo ishte ende në qëllimin e gjithsecilit.
Zëvendës presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, tha publikisht se anëtarët e eurozonës po diskutojnë se çfarë mund të ndodhë, në rast se Greqia nuk arrin një marrëveshje me huadhënësit.
Blloku nuk ka bazë legale për të detyruar vendin të dalë, por Athina mund të përfundojë duke emetuar një monedhë paralele duke shtruar rrugën për një dalje formale nga euro.
Megjithëse të gjitha palët – Athina dhe Komisioni Europian, banka Qendrore Europiane dhe FMN – duan të shmangin një skenar të tillë, secili po fajëson tjetrin për dështimin e bisedimeve fundjavën e kaluar.
Kishte pak shenja të panikut publik në Athinë, por lideret pro-euro të opozitës po i bëjnë thirrje kryeministrit Tsipras të arrijë shpejt një marrëveshje dhe të shmangë kolapsin ekonomik. http://www.monitor.al/zyrtaret-e-eurozones-diskutojne-samitin-e-emergjences-per-greqine/