duke shuar të gjitha shpresat për shmangie të recesionit nga rajoni i monedhës së përbashkët. Në ekonominë më të shëndetshme të Eurozonës,
Gjermani, ekonomia regjistroi rritje, por në një normë më të ulët, ndërsa Franca kaloi në stanjacion. Indeksi i përbërë menaxherial i “Markit” për Eurozonën,
që mat aktivitetin e sektorit të shërbimeve dhe të prodhimit ra në 49.3 pikë për muajin shkurt kundrejt 50.4 në muajin janar.
“Në këtë fazë, vlerësimi më optimist për ekonominë e Eurozonës në këtë tremujor është rënia me 0.1%”, tha Chris Williamson, kreu i analistëve të “Markit”.
Ndërkohë analistët në tregje kanë parashikuar që Eurozona të bjerë me 0.2% në këtë tremujor të parë për të zhytur rajonin në recesionin e dytë në 3 vitet e fundit.
Sipas të dhënave të publikuara, sektori i shërbimeve në Spanjë u përkeqësua ndjeshëm në muajin shkurt, ndërsa shërbimet në Itali regjistruan muajin e nëntë në radhë të rënies me asnjë shpresë për rritje në terma afatshkurtër.
Subindeksi për punësimin ra në 49.1 kundrejt 49.4 në janar, duke sugjeruar se papunësia do të jetë më e lartë se 10.7% që shënoi Eurozona në janar. Për rajonin e monedhës së përbashkët,
indeksi menaxherial për sektorin e shërbimeve ra në 48.8 për shkurtin kundrejt 50.4 në janar. Sektori i shërbimeve përfaqëson pjesën më të madhe të ekonomisë së Eurozonës dhe kontraktimi i saj garanton recesionin.
Indeksi për bizneset e reja të shërbimeve u rrit në 49.0 kundrejt 48.7 në janar.
Spanjë, drejt kursimit drastik
Demonstratat në Spanjë kundër masave të kursimit nuk po ndalen, por qeveria në Madrid qëndron e pamposhtur, sepse ky vend problematik i Eurozonës ka krijuar më shumë borxhe nga ç’ishte menduar.
Nuk ka më shumë se dy muaj që Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, është në detyrë dhe politika e tij ndesh në rezistencë të ashpër. Këto të gjitha janë shenja, që ankthi i rënies ekonomike
dhe sociale ka përfshirë pjesë të tëra të popullatës dhe që “reforma jashtëzakonisht agresive”, siç e cilësoi hapur ministri i Ekonomisë Luis de Guindos, e ka vënë paqen sociale para një sfide të vështirë.
De Guindos shpalli programin e reformave në radhë të parë, duke vënë në dukje, se duhen hapur vende pune për të rinjtë. Por pikërisht të rinjtë, ashtu si studentët, janë ata që rebelohen kundër këtyre planeve.
Faktet janë shqetësuese. Qeveria ka konfirmuar se borxhi i ri për vitin 2011 ishte më i lartë se sa parashikimet më negative, ku deficiti arriti 8.5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Por përballë Bashkimit Europian,
Spanja u detyrua të kufizojë deficitin në vitin 2011 deri në 6%. Tani duket e pamundur, që objektivi i planifikuar të arrihet në vitin 2012, që borxhet e reja të kufizohen në 4.4% të produktit ekonomik.
Rajoy deklaroi se Spanja do ta ulë deficitin gjatë këtij viti, sa më shumë të jetë e mundur, por në përputhje me masat për të krijuar vende pune. Qeveria duhet medoemos t’i përmbahet programit të kursimit.
Kështu mendojnë shumë ekspertë të ekonomisë, sepse ndryshe ajo do të rrezikonte kredibilitetin përballë BE-së dhe tregjeve financiare.
Para disa vitesh, Spanja përjetoi një bum të madh ndërtimesh, por pas krizës imobilare edhe ekonomia u dobësua. Nga kjo goditje vendi nuk ka mundur ta marrë veten.
Ai ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, ku kanë falimentuar me mijëra firma. Me një gjendje rekord prej 23% të papunë (5.3 milionë vetë) mbretëria ka papunësinë më të lartë në BE.
Te të rinjtë nën moshën 25-vjeçare, rreth 50% janë të papunë dhe tendenca është në rritje. Vetëm në vitin 2012, Spanja duhet të kursejë së paku 40 miliardë euro. Për shkak të kësaj janë rritur edhe taksat.
Thelbi i programit ekonomik të reformave janë ndryshimet e mëdha në tregun e punës. Në arsim dhe në shëndetësi janë shkurtuar gjithashtu vende pune, si dhe në ndërmarrjet publike.
Pas reformave, punonjësit në rast pushimi nga puna marrin rrogë vetëm për 33 ditë për secilin vit pune dhe jo më 45. Sipërmarrjet e dobësuara shumë marrin vetëm 20 ditë për çdo vit.
Janë parashikuar lehtësime fiskale për sipërmarrje dhe një vit prove prej një viti, në të cilin punëtorët mund të pushohen pa kompensim. Sindikatat e cilësojnë këtë veprim si “sulm ndaj paqes sociale”.
Por tani qeveria spanjolle shpreson të gjejë mirëkuptim në BE. Ajo ka bërë kërkesë në Komisionin e BE-së, nëse është i lejueshëm një deficit më i lartë për vitin 2012.
Madridi vuri në dukje, se vendi në këtë vit ndodhet para një recesioni ekonomik, që nuk ka qenë i parashikueshëm, kur u vendos kufiri i deficitit.
Por ndërkohë, në Madrid, gjithnjë e më shumë politikanët pyesin nëse reformat e kërkuara nga BE janë me të vërtetë rruga më e mirë që duhet ndjekur.