2019-a shënoi një rritje të indekseve të kapitalit neto, duke qëndruar në nivele të larta pothuajse gjatë gjithë kësaj periudhe.
Indeksi Eurostoxx 50, që është një indeks i aksioneve europiane, shërben si një vlerësues i performancës për 50 kompanitë më të mëdha me qendër në Eurozonë.
Ky indeks mbizotërohet kryesisht nga korporata që operojnë në tregjet e zhvilluara me kapitalin e tyre të tregut në një vlerë mbi 10 miliardë euro. Performanca e tij për vitin 2019 ishte 29.36%, ku tre kontribuuesit kryesorë pozitivë ishin ASML me një performancë prej 95.28%, LVMH me një performancë prej 63,15% dhe Adidas me një performancë prej 60,99%.
Ndërkohë, performancën më të dobët të kapitalit e shënoi Nokia OYJ, e cila humbi 33%, Telefonica e cila shënoi një kthim negativ prej 10.21% dhe Orange që humbi 2.64%.
Duke parë performancën e indekseve vjetore të këtyre kompanive, vit pas viti, 2019-a rezulton të jetë me ecurinë më të mirë në dy dekadat e fundit.
Kishte vetëm tre muaj negativë për vitin 2019, ku muaji maj 2019 shënoi performancën më të dobët, me një kthim negativ neto në total prej 5.53%. Nga ana tjetër, gjatë pesë muajve të 2019-s u shënua një kthim mujor pozitiv mbi 4%. Gjithashtu, ecuria e tregut të kapitalit në të gjithë Europën ofron mundësi të habitshme për investitorët kryesorë.
Europa pa që Rusia regjistroi performancën më të mirë të indeksit me një kthim total të kapitalit në 56.50%. Kjo u pasua nga Indeksi i Athinës në Greqi që shënoi një kthim total të kapitalit prej 52.50%. Ndërsa Indeksi i Bukureshtit në Rumani shënoi një kthim të kapitalit me 46,90%. Në mënyrë krahasuese, kthimet për këto indekse janë shumë më të larta se Indeksi i Eurostoxx 50. Por cila është arsyeja e një rritjeje të tillë?
Duke supozuar se nuk ka faktorë endogjenë që ndikojnë performancën ekonomike të një vendi, ekonomitë në zhvillim kanë tendencë të kenë një rritje mbi mesataren krahasuar me homologët e tregut të zhvilluar. Në mënyrë të natyrshme, tregjet në zhvillim janë të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh, duke pasur parasysh statusin e zhvillimit i cili është një bekim në një mjedis ekonomik global pozitiv, por një mallkim në periudha të një ngadalësimi global. Në fakt, mesatarisht, ekonomitë në zhvillim kanë tendencë të kenë një performancë më të mirë sesa ekonomitë e zhvilluara, për sa kohë që rritja globale është pozitive. Kjo mbështetet nga korporatat që bëjnë pjesë në këto ekonomi, të cilat arrijnë fitime mbi normale, pikërisht në këto lloje mjedisesh.
Për më tepër, duke qenë se investitorët tolerojnë një nivel më të lartë rreziku, kjo sjellje i shtyn ata që të vendosin norma më të ulëta zbritjeje për ekonomitë në zhvillim, gjë kjo që ia rrit këtyre të fundit vlerën.
Indeksi i Rusisë tregon se kthimi i kapitalit (ROE) mesatarisht ishte rreth 15% dhe indeksi i Rumanisë afërsisht në 14%. Në krahasim, rentabiliteti për 1 euro të kapitalit të investuar për ndërmarrjet Eurostoxx 50, është aktualisht në 9%. Kthimet më të larta të kapitalit shpjegojnë një mjedis me rritje më të lartë brenda këtyre vendeve.