Fabrikat e prodhimit të këpucëve në vend hynë në vitin e dytë të tkurrjes së të ardhurave. Pas rënies me 2,7% të eksporteve më 2019, tendenca është thelluar me 27%, ose me rreth 65 milionë euro në 6-mujorin e parë 2020, në raport me një vit më parë. Sipas aktorëve të mëdhenj të tregut, porositë do të tkurren me 30% këtë vit, për shkak të stoqeve të larta të veshjeve të verës që nuk u përdorën. Pandemia ka ndikuar për keq konsumin, kurse orientimi i ri favorizon këpucët sportive të përditshmëri. Mundësitë për rimëkëmbje dhe cikli i ri i fabrikave shqiptare
Blerina Hoxha
Rreth 240 fabrika të prodhimit të këpucës për eksport pritet të përballen këtë vit me rënie të porosive me 30%, për shkak të krizës që ka krijuar pandemia COVID-19 në të gjithë zinxhirin e tregut, duke nisur nga prodhimi, shpërndarja dhe shitja.
Industria e këpucës dhe lëkurës, edhe para krizës, kishte hyrë në një cikël të ri, për shkak të stoqeve të mëdha të krijuara nga një super prodhim në vitin 2017. Ndryshimi i stilit të jetesës vitet e fundit ka orientuar shpenzimet gjithnjë e më shumë drejt argëtimit, duke ndikuar në rritjen e kërkesës për këpucë sportive dhe më pak për këpucë luksi.
Fabrikat shqiptare, të cilat ishin në proces ristrukturimi, për shkak të kërkesës së re, tani u duhet të përballen me ndryshimet radikale që ka sjellë pandemia. Eva Laro, e cila drejton një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucës në vend me destinacion tregun gjerman, tha se efektet e krizës në prodhim do të ndihen fort në shtator, kur pritet të ketë rënie të porosive me të paktën 30%. Laro tha se, rënia e porosive do të ndikohet nga stoqet e pashitura të këpucëve të verës. Në vjeshtë, fabrikat e këpucëve nisin të punojnë për prodhimin e veshjeve të këmbës për periudhën e verës 2021.
Të njëjtin shqetësim shpehu edhe Skënder Pashaj nga fabrika Fital. Edhe z. Pashaj pret një tkurrje të porosive me rreth 30% si rrjedhojë e mbifurnizimeve në treg dhe mendon se situata do të qartësohet në pranverën e 2021, nëse burimet e furnizimit do të transferohen nga Azia.
Për shkak të zhvillimeve negative që solli pandemia, fabrikat e këpucës do të përballen me mbijetesë këtë vit, teksa pritet që prodhuesit më të vegjël të falimentojnë. Aktorët kryesorë të tregut e shohin perspektivën nga ndryshimet gjeopolitike, për shkak të pandemisë. Sektori i shitjes së këpucës në Europë do të kërkojë siguri në furnizime dhe për këtë arsye do të transferojë prodhimin nga jashtë kontinentit në shtëpi, tha z. Pashaj.
Shumë fabrika po prodhojnë veshje mjekësore duke iu përshtatur kërkesës së re. Znj. Laro nga ProDyn tha se përshtati një pjesë të fabrikës për të prodhuar veshje mjekësore, për të mbajtur kontrollin mbi të ardhurat.
Fabrikat arkëtojnë 65 mln euro në janar-qershor 2020
Eksportet e veshjeve të këmbës pësuan rënie me 27% në 6-mujorin e parë të vitit 2020 në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e masave bllokuese në ekonomi nga pandemia, të cilat ndikuan në rënien e shitjeve dhe porosive. Për periudhën në analizë, eksportet e këpucëve “Made in Albania” shënuan rënie me 27% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2019.
Të ardhurat nga eksportet shënuan rënie me 8 miliardë lekë, ose 65 milionë euro. Ky trend në rënie pritet të vijojë edhe me hapjen e ekonomisë deri në fund të vitit. Fabrikat presin që të ardhurat nga eksportet të pësojnë rënie në më shumë se 120 milionë euro këtë vit. Ato e konsiderojnë të vështirë edhe periudhën e dimrit 2020-2021, për shkak se pandemia mund të kufizojë lëvizjet e për rrjedhojë, edhe kërkesën për këpucë.
Me zhvillimet e fundit, fabrikat e prodhimit të këpucës do të futen në një cikël rënës, pasi humbjet në të ardhura kanë nisur që vitin e kaluar. Në vitin 2019, të ardhurat nga eksportet shënuan rënie me 30 milionë euro në raport me vitin 2018, që mund të konsiderohet viti i artë i dekadës, kur të ardhurat ishin 60 miliardë lekë, ose 484 milionë euro.
Këpucët përbëjnë grupin më të madh në totalin e eksporteve jashtë vendit, me 23% të peshës në 6-mujorin e parë, duke pësuar rënie me 2 pikë përqindje në raport me 6-mujorin e vitit 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019 numëroheshin zyrtarisht 240 fabrika të prodhimit të këpucëve, me një total të punësuarish prej më 25 mijë e 600 personash, ose rreth 6% të totalit të punësimit në vend.
Z. Pashaj, sipërmarrës në Fital, tha se kërkesa në tregun ndërkombëtar në vitin 2019 hyri në një cikël të ri, duke shkaktuar një lloj tranzicioni në sektorin e prodhimit. Kjo situatë e ndërthurur me humbjet nga nënvlerësimi i euros në tregun vendas të këmbimit sollën rënie të të ardhurave vitin e kaluar.
Ndikimi i pandemisë tkurr sektorin e këpucës me 30%
Zinxhiri i tregut të veshjeve të këmbës në rang global u tkurr në tërësinë e tij me rreth 30%, si rrjedhojë e efekteve negative që dha bllokimi i ekonomisë kudo në botë në 3-mujorin e dytë të vitit. Të dhënat nga Global Footwear, një portal global dedikuar sektorit të këpucës, japin një perspektivë të zymtë. Anketa globale zbuloi së fundmi se, 61% e tregtarëve të këpucës kudo në botë presin rënie të shitjeve, e cila do të reflektohet edhe në prodhim. Znj. Laro, e cila drejton fabrikën ProDyn, pohoi se rënia e porosive ka goditur në të njëjtën përqindje edhe tregun vendas.
Anketat nëpër botë tregojnë se tregtarët e këpucëve në Europë janë më pesimistë se ata të Azisë dhe Amerikës që parashikojë një rënie më të butë shitjeve. Anketimi i Global Footwear ka vërejtur se shumica e aktorëve në treg besojnë se në gjashtë muajt e ardhshëm, sasia e këpucëve të shitura do të ulet dhe po ashtu, edhe çmimet. Perspektivat janë kudo negative, por veçanërisht në Europë, ku 9 nga çdo 10 të anketuar presin që sasia e këpucëve të shitura të zvogëlohet. Gjysma e bizneseve që merren me veshjet e këmbës kudo në botë pohuan se janë në vështirësi financiare.
Ekspertët e Global Footwear kanë parë ulje të biznesit të këpucës edhe para pandemisë. Statistikat për tregtinë e këpucëve në vitin 2019 shfaqin një panoramë të përzier. Importet në tregun e SHBA, më i madhi në botë, u rritën 2.4% në vitin e kaluar. Në Azi, importet u rritën më shumë se 20% në Kinë, por importet ranë me 2% në Japoni, ndërsa në Europë, rënia ishte rreth 1%. Në Britaninë e Madhe, importet ranë me 10% më 2019. Por sidoqoftë, pandemia COVID-19 ka përkeqësuar perspektivat.
Çmimet në rënie lajmërojnë më pak fitime për fabrikat
Z. Pashaj pohon se paniku i krijuar nga kriza ka rritur spekulimin me çmimet. Duke qenë se rënia e konsumit solli presion në rënien e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, shpeshherë ushtrohet presion te fabrikat për të blerë stoqet me çmime shumë poshtë kostos. Anketat në Europë tregojnë se 62% e tregtarëve presin ulje të çmimeve në 6 muajt e ardhshëm, për shkak të pasojave negative të pandemisë.
Europa mbetet më pesimistja, teksa në kontinentet e tjera, përqindja e tregtarëve që besojnë se çmimet do të ulen është më e vogël. Në qershor, çmimet këpucëve në Europë shënuan rënie mesatare me 3% në raport me qershorin e vitit 2019, sipas Eurostat. Ekspertët pohojnë se çmimet do të jenë nën presion edhe në periudhën në vijim, për shkak të goditjeve të forta nga krahu i kërkesës, të cilat po nxiten nga mungesa e të ardhurave dhe ndryshimi i stilit të jetesës nga pandemia që po nxit punën online nga shtëpia.
Zhbalancohet kërkesa, trendi post-COVID për atlete
Pandemia e COVID-19 ka krijuar një dinamikë të re në tregun e këpucëve që kishte nisur edhe para saj. Tani kërkesa po zhvendoset gjithnjë e më shumë për atlete. Anketa globale për veshjet e këmbës tregon se 60% e aktorëve të tregut presin rritje të kërkesës për atlete të përditshmërisë. Gjithashtu, gati gjysma e aktorëve presin rritje të këpucëve sportive. Përgjigjet peshuan nga balancat negative për veshjet e këpucëve të lëkurës për gra dhe burra, për të cilat kërkesa do të shënojë rënie përkatësisht me 17 dhe 31%.
Pandemia ka ndryshuar stilin e jetesës kryekëput. Tani, konsumatorët po kërkojnë veshje të përditshmërisë, duke braktisur këpucët për daljet festive dhe ambientet e zyrave. Puna në shtëpi e ka theksuar këtë trend që nisi vitet e fundit. Z. Pashaj nga fabrika Fital, tha se, kërkesa për veshje sportive, sidomos atlete, shënoi rritje të fortë vitet e fundit.
Ndryshimi i stilit të jetës dhe tendencat e modës kanë nxitur përdorimin në masë të atleteve. Vitet e fundit, atletet gjetën një përdorim të gjerë edhe në profesione dhe ambiente, të cilat ishin tabu më parë. Të prirë gjithnjë e më shumë drejt argëtimit në natyrë dhe udhëtime, njerëzit kanë ndryshuar zgjedhjet, nga këpucët tek atletet. Tendenca është theksuar gjatë pandemisë, tha ai.
Gjithnjë e më shumë, profesionistët po punojnë nga shtëpia. Braktisja e zyrave duket se do të kthehet në tendencë, edhe pasi të ketë përfunduar pandemia. Me këto ndryshime, fabrikat shqiptare do të duhet të përshtasin prodhimin, pasi kërkesa tani bazohet në një shumëllojshmëri këpucësh dhe atletesh si kurrë më parë ndonjëherë.
Shpresa, tek afrimi i prodhimit në Europë
Afrimi i prodhimit nga vendet aziatike në Europë për të shmangur bllokimin e furnizimeve, një leksion që e dha pandemia, rrit shpresën për fabrikat shqiptare se do të kanë më shumë kërkesë në të ardhmen. Ky është një opsion, sipas z. Pashaj. Bllokimi i tregjeve për shkak të pandemisë vështirësoi furnizimin me mallra nga Azia në Europë. Kjo ishte e vlefshme edhe për këpucët.
Në afat të mesëm, mundësitë për të rritur vlerën e shportës së eksporteve dhe shërbimeve mbeten të larta, duke shfrytëzuar orientimin e kërkesës së re brenda kontinentit europian dhe avantazhin konkurrues nga kostot e ulëta të punës.
Zhvendosja e linjave të prodhimit të këpucëve në Europë do të sjellë rritje të porosive në Shqipëri, për shkak se infrastruktura e fabrikave është në rritje dhe kostot e punës janë ende më të lirat në Europë. Por znj. Laro nga fabrika ProDyn tha, se përfitimet nga transferimi i prodhimit nuk janë të qarta. Kur pandemia të marrë fund, kostot dhe çmimet më të ulëta do të orientojnë prodhimin dhe në këtë aspekt konkurrueshmëria nga Azia është e lartë.
A do përfitojë Shqipëria nga ndryshimi i zinxhirit të furnizimit?!
Zhvendosja e linjave të prodhimit të këpucëve në Europë do të sjellë rritje të porosive në Shqipëri, për shkak se infrastruktura e fabrikave është në rritje dhe kostot e punës janë ende më të lirat në Europë. Por znj. Laro nga fabrika ProDyn tha, se përfitimet nga transferimi i prodhimit nuk janë të qarta. Kur pandemia të marrë fund, kostot dhe çmimet më të ulëta do të orientojnë prodhimin dhe në këtë aspekt konkurrueshmëria nga Azia është e lartë.
Diversifikimi i prodhimit, një mundësi tjetër
Sektori fason është para një shansi për të rritur fitimet nga kërkesa e re që imponohet në këtë dekadë, por edhe në vijim. Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve, tha se aktualisht Europa, por edhe mbarë globi, kanë deficite të larta për maska, veshje mjekësore dhe për spitalet. Nga njëra anë, magazinat dhe stoqet janë boshatisur ndërsa në anën tjetër, kërkesa e re është shumëfishuar për shkak të pandemisë.
Situata ka nxitur përshtatjen e disa fabrikave në vendin tonë për të prodhuar artikuj të veshjeve spitalore. Ai tha se shumë klientë italianë dhe gjermanë, të cilët furnizoheshin me veshje pune në Shqipëri, kanë nisur të porosisin edhe maska pune. Por Zekja tha se për të përshtatur industrinë shqiptare me kërkesën e re duhen certifikime. Maskat dhe çarçafët për përdorim spitalor duhet të kenë disa certifikime specifike, që kërkojnë kohë dhe procedura.
Aktualisht Ministria e Sipërmarrjes dhe ajo e Shëndetësisë po koordinohen për të ndihmuar në certifikime, por në afat të mesëm, industrisë fason i duhen investime të mëdha në përshtatjen e teknologjisë. Aktualisht, më shumë se 50% e industrisë fasone dominohet nga prodhimi i këpucëve. Përshtatja e një fabrike këpucësh për të prodhuar maska dhe veshje mjekësore kërkon investime gati trefish më të mëdha në makineri dhe ambiente, pasi duhen plotësuar disa standarde të reja në drejtim të sterilizimit.
Në dekadat e ardhshme, Europa do të përballet me një kërkesë të fortë për mjete dhe shërbime shëndetësore, për shkak të plakjes së popullsisë. Aktualisht mbi 23% e popullsisë së Europës është mbi 60 vjeç. Europa ka popullsi relativisht të moshuar. Ky është rezultat i jetëgjatësisë më të madhe dhe uljes së niveleve të lindjes dhe vdekshmërisë.
Eva Laro, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të këpucëve ProDyn, thotë se, gjatë periudhës së izolimit, prodhimi vijoi normalisht për shkak të inventarëve të lartë të lëndës së parë, por nga shtatori në muajin mars, ajo tha se pret një rënie të kërkesës me 30%. Znj. Laro tha se po operon me një plan B, pasi ka përshtatur një sektor të fabrikës për të prodhuar veshje mjekësore për tregun gjerman. Pandemia mund të sjellë rritje për sektorin e fabrikave shqiptare, nëse mbetemi konkurrues në çmime – pohoi ajo.
Deri në vitin 2030, më shumë se 25% e popullsisë në Europë do të jetë 60 vjeç ose më e vjetër. Sipas të dhënave nga kompania “Johnson & Johnson”, njerëzit mbi moshën 65 vjeç përdorin afërsisht shtatë herë më shumë produkte dhe shërbime të lidhura me kujdesin shëndetësor sesa të rinjtë. Kjo kërkesë e lartë për veshje dhe pajisje mjekësore do të nxitet nga realiteti i ri gjeopolitik, që ka krijuar pandemia COVID-19. Furnizimet nga Kina do të tentojnë të diversifikohen dhe në këtë këndvështrim, Shqipëria do të jetë përfituese.
Eksportet e këpucëve, duhet ulur varësia nga Italia
Shqipëria ka një varësi të lartë nga Italia për eksportet me 78% të totalit të tekstile e këpucë, por kjo është më e dukshme për këpucët. Në 6-mujorin e parë të vitit, 85% eksporteve të këpucës “Made in Albania” kishin destinacion tregun italian, nga 86% në të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Ky përqendrim i lartë i eksportit drejt Italisë është një rrezik i dyfishtë për Shqipërinë, në rast se vendi fqinjë përfshihet në krizë. Dobësia e eksporteve të shqiptare me destinacion tregun italian ka marrë kritika edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, që rekomandojnë diversifikim të eksportit nga prodhuesit shqiptarë.
Fabrika ProDyn prej dy vitesh po rritet me ritme të shpejta në treg sesa kolegët, pasi destinacioni i saj është Gjermania. Vitin e kaluar, eksportet e këpucëve drejt Gjermanisë kapën vlerën e 1.2 miliardë lekëve, rreth 10 milionë euro, me një rritje 166% në raport me vitin e kaluar.
Znj. Laro, e cila ka destinacion Gjermaninë, nuk e ka ndier krizën që vjen nga kërkesa në tregun europian. Ajo tha se Rumania dhe Bullgaria janë aktualisht më pak konkurruese se Shqipëria, ndaj Gjermania ka zhvendosur prodhimin nga këto vende në tjera, me kosto të ulët. “Punoj me kompani të forta gjermane si ‘Josef Seibel’, që nuk kanë probleme me likuiditetin. Pagesat janë korrekte dhe të mirëpërcaktuara dhe të njëjtën korrektësi, e reflektojmë me punonjësit tanë”, – tha zonja Laro.
Sipas të dhënave nga INSTAT, pas Italisë, destinacioni kryesor i këpucës “Made in Albania” është Gjermania, me rreth 980 milionë lekë eksporte ose 4% e totalit. Pjesa tjetër ndahet mes Spanjës, Hungarisë etj.
Industria në cikël të ri para krizës COVID-19
Përvoja gati 30-vjeçare i kishte vënë fabrikat e prodhimit të këpucës në një cikël të ri biznesi edhe para pandemisë. Tkurrja e krahut të punës, nga njëra anë, dhe rritja e aftësive nga ana tjetër, së bashku me një kërkesë elastike në tregun europian, çoi në strukturime të prodhimit në fabrika më 2019.
Fabrika po synon rritjen e produktivitetit në të njëjtën kohë, duke ulur kostot. Donika Mici, e cila zotëron fabrikën Donianna, tha se tashmë Shqipëria ka një fuqi punëtore të specializuar, e gatshme për të ofruar një produkt me cilësi të lartë. Në një proces që më parë angazhoheshin 7 persona, tani e bën vetëm një punonjës, thotë ajo. Kjo qasje e re kërkon investime në teknologji, që për fabrikën e saj kushtojnë të paktën 3 milionë euro.
Në aspektin e tregjeve globale, Shqipëria ka shanse të kthehet në përfituese, pasi i shkon për shtat më së miri kërkesës së re, me furnizime të vogla dhe të shpejta, për të cilat tregjet aziatike nuk janë atraktive. Prodhuesit kërkojnë që i gjithë ky proces të shoqërohet me lehtësi mbështetëse nga qeveria, ose të paktën politikat e brendshme të mos bëhen pengesë. Vonesat në rimbursimin e TVSH-së e vunë në vështirësi industrinë vitin e kaluar, gjithashtu nënçmimi i euros uli me 6% fitimet e kompanive.
Rimëkëmbja deri më 2021
Fabrikat shqiptare të prodhimit, sidomos në sektorin fason, presin të përmbyllin rikuperimin në dy vitet në vijim. Eva Laro, e cila zotëron ProDyn, thotë se, pasojat e pandemisë nuk janë reflektuar tërësisht gjatë pandemisë.
Ajo shprehet se nga vjeshta në pranverë 2021, pritet të ketë rënie të porosive, si pasojë e efekteve që do të japë konsumi në kërkesën për prodhime.
Znj. Laro parashikon kthim në normalitet në gjysmën e dytë të vitit 2021. Por gjithsesi, ecuria e kërkesës globale do të varet nga ecuria e pandemisë. Ekspertët e tregut pohojnë se pandemia do të rrisë kujdesin për shëndetin si dhe aktivitetin fizik. Mundësi e artë për tregun e këpucës tani janë prodhimet për uljen e “stresit dhe dhimbjeve” në këmbë nga aktivitetet sportive.
Një person me aktivitet mesatar mund të bëjë 8,000 hapa në një ditë të vetme. Lëvizja e paqëndrueshme mund të çojë në një numër të madh të problemeve muskulore me intensitet të ndryshëm për secilën këmbë. Këpucët medikale (rikuperuese) ndihmojnë në stabilizimin e këmbës.
Tregu i këpucëve rikuperuese mund të lehtësojë menjëherë dhimbjet, sidomos në nyje. Këto produkte janë gjithashtu të papërshkueshme nga uji e bakteret rezistente dhe pastrohen shumë shpejt. Tregu tani vuan nga kjo lloj këpuce dhe hapësirat për fitime janë të mëdha. Aktualisht disa nga lojtarët kryesorë të tregut të këpucës rikuperuese janë Under Armor, Nike, Superfeet, dhe Adidas, Birkenstock, Montrail, OOFOS, Amuri, PR Soles, Mizuno, Telic dhe AWP Sports.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.