Fabrikat e përpunimit përgjysmuan zgjerimin në 11-mujor, shkak nënçmimi i euros

30/12/2019 11:00 AM 0 komente

Sektori më vital i ekonomisë shqiptare, fabrikat e përpunimit kanë ulur ritmet e zgjerimit gjatë 9 mujorit 2019. Sipas të dhënave të INSTAT sektori i përpunimit, i përfaqësuar nga fabrikat, kryesisht sektori fason, është zgjeruar gjatë 9 mujorit 2019 me 13.7%. Një vit më parë në të njëjtën periudhë sektori i industrisë përpunuese u rrit me 20.3 %, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2017 rritja ishte 23 për qind.

Industria e përpunimit kryesisht sektori fason u zgjerua më shpejtësi dekadën e fundit për shkak të ndryshimeve të koniukturës globale, duke rritur kërkesën për punë në Shqipëri. Kriza e vitit 2008 i gjeti në një moment të mirë fabrikat shqiptare, të cilat ofronin çmime të lira për një cilësi pune të admirueshme.

Rritja e porosive drejt Shqipërisë solli një periudhë të artë për industrinë fason dhe nga ana tjetër fabrikat e agropërpunimit njohen zhvillime pozitive sidomos në përpunimin e peshkut dhe mishit.

Por duket se kësaj epoke i ka ardhur fundi teksa shihet se fabrikat me destinacion eksportin po hasin vështirësi për shkak të humbjeve që po vijnë nga nënçmimi i euros.

Nënçmimi i euros i dha një goditje fabrikave në Shqipëri sidomos njësive të vogla dhe të mesme teksa ka stopuar disi zgjerimin në fabrikat e mëdha.

Kjo situatë u reflektua edhe në rënien e eksporteve gjatë këtij viti. Në 11-mujorin e vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 277 mld lekë, duke u ulur me 4,1 %, krahasuar me një vit.

Në veçanti eksportet e tekstileve e këpucëve, grupi më i madh në vend, për 11 mujorin, arritën në 110,2 miliardë lekë, me një tkurrje prej 3,9% me bazë vjetore. Ky grup zë 40% të totalit të eksporteve.  Përfaqësues të industrisë fason thanë se janë disa faktorë që të kombinuar së bashku kanë çuar në tkurrjen e sektorit. Arsyeja kryesore lidhet me nënçmimin e euros problematika me forcën punëtore, e cila ka një qarkullim të lartë. Ndërsa në fund listohet klima politike, e cila po krijon një mjedis biznesi jo të favorshëm. Fasonistët shpjegojnë se shumë sipërmarrës të huaj stepen për të investuar në Shqipëri për shkak të paqëndrueshmërisë politike.

Por nënçmimi i euros në dy vitet e fundit, me gjithë akumulimet e kostove nga rritja e taksave, produktiviteti i ulët, duket seika vënë kapakun vështirësive që po kalojnë fabrikat.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of