Prodhuesit në dy ekonomitë më të mëdha të Azisë po performojnë shumë ndryshe pas pandemisë.
Aktiviteti i fabrikave në Kinë u zgjerua muajin e kaluar, me ritmin më të shpejtë në më shumë se një dekadë, tregojnë shifrat zyrtare.
Megjithatë, në Japoni aktiviteti prodhues u tkurr në muajin shkurt, me ritmin më të shpejtë të rënies në më shumë se dy vjet.
Firmat në mbarë botën po mundohen të ekuilibrojnë rihapjen ndërkohë që kufizimet e Covid po lehtësohen, kundrejt rritjes së kostove të gjithçkaje, nga energjia deri te pagat e punëtorëve.
Indeksi i menaxherëve të blerjeve të prodhimit të Kinës (purchasing managers’ index, PMI), u rrit në 52.6 nga 50.1 në janar, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës. Ishte vlera më e lartë mujore që nga prilli 2012.
PMI-të janë një masë matëse e tendencave ekonomike që u ofrojnë bizneseve, bankave qendrore, qeverive dhe investitorëve informacion të rëndësishëm për kushtet aktuale dhe të ardhshme të biznesit.
PMI shprehet si numër nga 0 në 100. Një lexim mbi 50 tregon zgjerim të aktivitetit në krahasim me muajin e kaluar. Një vlerë nën 50 tregon tkurrje. Sa më larg nga 50 të jetë shifra, aq më i madhe është ndryshimi.
Performanca shumë më e mirë se sa pritej e Kinës erdhi pasi masat e rrepta të koronavirusit në ekonominë e dytë më të madhe në botë, u lehtësuan në fund të vitit të kaluar.
Vendi pa një nga vitet e tij më të këqija në gati gjysmë shekulli në vitin 2022, për shkak të kufizimeve gjithëpërfshirëse dhe shpërthimeve të Covid-19.
Ndërkohë, në Japoni, PMI e prodhimit privat ra në 47.7 në muajin shkurt, nga vlera 48.9 e muajit janar, duke shënuar rënien më të shpejtë që nga shtatori 2020.
Të dhënat nënvizuan problemet kryesore me të cilat përballen bizneset në vend, ekonomia e tretë më e madhe në botë, duke përfshirë ngadalësimin botëror ekonomik, koston në rritje të lëndëve të para dhe thirrjet që firmat të rrisin pagat për punëtorët e tyre, për të ndihmuar në lehtësimin e krizës së kostos së jetesës.
Shifrat u afishuan një ditë pasi të dhënat e qeverisë japoneze treguan se fabrikat e vendit, veçanërisht prodhuesit e makinave dhe prodhuesit e çipave kompjuterikë, ulën prodhimin në janar me ritmin më të shpejtë në tetë muaj. / BBC