Facebook do të investojë në Europë, duke krijuar 10 mijë vende të reja pune në pesë vitet e ardhshme, të gjitha kushtuar platformës teknologjike të së ardhmes, metaverse, një tërësi përvojash që përfshijnë botën dixhitale dhe atë fizike.
“Metaverse ka potencialin për të ndihmuar në zhvillimin e mundësive të reja krijuese, sociale dhe ekonomie” – shpjegojnë Nick Clegg, zv.president i Global Affairs, dhe Javier Olivan, zv.president i Central Product Services në njoftimin e kompanisë.
Në rajon, kyç për kolosin e rrjeteve sociale, prej kohësh ka nisur një debat institucional për konkurrencën dhe privatësinë.
“Ky investim është një votë besimi në forcën e industrisë teknologjike europiane dhe potencialin e talentit teknologjik europian. Europa është shumë e rëndësishme për Facebook” – theksojnë Clegg dhe Olivan, duke sjellë ndër mend investimet e bëra tashmë nga kompania si “laboratori europian për kërkimet mbi Inteligjencën Artificiale në Francë dhe selinë e Facebook Reality Labs në Cork”
“Një nga përparësitë më urgjente është gjetja e inxhinierëve të specializuar. Një fushatë rekrutimi do të nisë në të gjithë rajonin” – shtojnë ata.
Termi metaverse u përdor për herë të parë nga Neal Stephenson në romanin “Snow Crash”, një klasik i zhanrit cyberpunk, i publikuar në vitin 1992. Ai u konsiderua si kufiri i ri i internetit, një botë e re e madhe virtuale, ku përdoruesit, nëpërmjet avatarëve të tyre, përjetojnë përvoja interaktive multimediale. Një lloj evolucioni i fenomenit Second Life, në të cilin kolosët e ‘gaming’ po investojnë.
Muaj më parë, Mark Zuckeberg pati thënë se dëshironte të investonte në këtë sektor i cili gërshetohet me investimet që po bën prej kohësh në realitetin virtual dhe në syzet e realitetit të shtuar. Një hap i parë i Facebook drejt metaverse mund të konsiderohet instrumenti Horizon Workrooms, i prezantuar disa muaj më parë, i cili ju lejon të punoni në një mjedis virtual të përbashkët, ku mund të ndërveproni me lëvizjen e duarve.
Metaverse mund të jetë një eldorado i ri dixhital, një hapësirë e madhe e përbashkët, siç është tashmë interneti, në të cilin kompani të ndryshme teknologjike do të ndërtojnë “shtëpitë”e tyre, ku do të lëvizin avatarët e përdoruesve, nëpërmjet smartphone apo pajisje të tjera. Dhe si të gjithë hapësirat dixhitale do të ketë rregulla. “Për të krijuar gjithë këtë do të jetë i nevojshëm bashkëpunimi midis kompanive, zhvilluesve, krijuesve dhe politikanëve” – vëren Facebook, duke iu drejtuar BE-së.
“BE ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në përcaktimin e rregullave të reja të internetit – thonë në fund Clegg e Olivan. – Politikanët europianë do të jenë në vijën e parë për të ndihmuar në përfshirjen e vlerave europiane si liria e fjalës, privatësia, transparenca dhe të drejtat e njerëzve, në funksionimin e përditshëm të internetit. Facebook ndan këto vlera dhe me kalimin e viteve kemi ndërmarrë veprime të rëndësishme për t’i mbështetur. Ne shpresojmë në përfundimin e Tregut Unik dixhital për të mbështetur më tej pikat tona të forta aktuale në Europë”.
Por disa kritikë thonë se njoftimi i fundit synon të rindërtojë reputacionin e shoqërisë dhe të largojë vëmendjen pas një sërë skandalesh në muajt e fundit. / ANSA