Bëhet fjalë për një sanksion prej 500 mijë sterlinash, që një ent rregullator në Mbretërinë e Bashkuar i kishte vënë një vit më parë, kundër të cilit, kompania kishte vendosur të apelonte
Facebook ka pranuar të paguajë një gjobë prej 500 mijë sterlinash, rreth 580 mijë euro, të cilën ia kishte vënë Information Commissioner’s Office britanik në korrik të vitit 2018, për rastin e Cambridge Analytica.
Zyra e Mbretërisë së Bashkuar, e cila merret me privatësinë dixhitale, kishte vendosur një sanksion për Facebook, pasi besonte se nuk kishte mbrojtur të dhënat e përdoruesve dhe nuk kishte penguar që ato të përdoreshin në mënyrë të gabuar.
Deri tani, Facebook kishte refuzuar gjithnjë ta paguante këtë shifër dhe e kishte apeluar vendimin. Por, në orët e fundit, ka arritur një marrëveshje me ICO, që do t’i mundësojë, ndër të tjera, të ketë akses te një sërë dokumentesh mbi këtë rast – pa marrë përsipër asnjë përgjegjësi ligjore.
Skandali i Cambridge Analytica
Historia për të cilën ICO kishte vendosur ta gjobiste Facebook daton në vitin 2015, por u zbulua 2-3 vjet më pas, nga disa prej mediave më me ndikim në botë. Kjo është një nga arsyet kryesore se pse kompania e Mark Zuckerberg është nën vëzhgim të veçantë.
Skandali lidhet me një aplikacion të Facebook, i shkarkuar nga 270 mijë persona në botë, “This is your digital life”, që premtonte se do të krijonte një profil psikologjik të përdoruesit. Aplikacioni ishte falas, por sapo përdoruesi regjistrohej duke përdorur të dhënat e tij në Facebook, zhvilluesi do të kishte akses te një sërë informacionesh mbi të dhe “miqve” të tij në rrjetin social, pa dijeninë e tyre. Në këtë mënyrë, “This is your digital life” ka mbledhur të dhënat e miliona përdoruesve.
Këto informacione u ndanë më pas me Cambridge Analytica, një shoqëri britanike këshillimi për marketingun online. Kjo, teorikisht nuk do të ishte e mundur, pasi rrjeti social ua ndalon menaxhuesve të aplikacioneve t’ua shesin të dhënat kompanive të treta.
Për një periudhë kohe, Facebook, edhe pse e dinte se çfarë po ndodhte, siç deklaroi vetë Zuckerberg në Senatin amerikan – nuk bëri asgjë dhe këto të dhëna u përdorën për të ndikuar dhe për të kushtëzuar votën e zgjedhësve britanikë dhe amerikanë, përkatësisht në favor të Brexit (përpara, në vitin 2016) dhe Donald Trump (më pas, në vitin 2017).
Çfarë do të ndodhë tani
Siç thekson Reuters, gjoba nuk do të peshojë në llogaritë e kompanisë, që vlen 540 miliardë dollarë, por kjo ishte shuma maksimale që Enti i Rregullimit mund t’i vendoste dhe vjen pas dy sanksioneve të tjera të rëndësishme: ajo prej 1 milion eurosh, e vendosur nga enti që mbron privatësinë në Itali dhe ajo prej 5 miliardë dollarësh, nga Federal Trade Association, agjencia e qeverisë amerikane që merret me mbrojtjen e konsumatorëve dhe privatësisë.
James Dipple-Johnstone, komisioner i deleguar i ICO, tha se mbrojtja e informacioneve personale dhe privatësisë është thelbësore dhe është i lumtur që Facebook po përpiqet t’i përmbushë këto detyrime.
“Ne presim që Facebook të bëjë hapa para dhe të mësojë nga ky rast”.
Burimi: Wired