Një vendim që ndryshon letrat në tryezë dhe hap fronte të reja në botën komplekse juridike të rrjeteve sociale. Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi dje, më 3 tetor, që Vende të caktuara mund të detyrojnë Facebook të eliminojnë përmbajtje të paligjshme, duke përfshirë edhe ato që nxisin urrejtje, si brenda Bashkimit Europian, edhe në të gjithë botën.
Vendimi u mor, pasi një përfaqësuese austriake e Partisë së Gjelbër, Eva Glawischnig Piesczek, ngriti padi kundër rrjetit social të Mark Zuckerberg në Gjykatën e Lartë të Austrisë, duke kërkuar heqjen e një sërë komentesh shpifëse për të në nivel botëror. Kështu, Gjykata e Lartë e Austrisë iu drejtua Gjykatës Europiane, dhe kjo e fundit iu përgjigj se në të drejtën e BE-së nuk ka asgjë që mund t’ua ndalojë gjykatave kombëtare t’i kërkojnë Facebook të eliminojë publikime me përmbajtje të paligjshme. Dhe, të tilla masa, duhet të zbatohen në të gjithë botën.
Në disa aspekte, kjo seancë, është historike. Kjo shkon ndesh me mendimin e atyre që pohojnë se një Vend nuk duhet të ketë të drejtë të kufizojë shprehjen e lirisë në Vende të tjera, me rregulla të ndryshme. Në lidhje me këtë, Eline Chivot, analist në Center for Data Innovation, u shpreh për “Financial Times” që vendimi rrezikon të hapë “kutinë e Pandorës”, me aktvendime të Gjykatës Europiane që mund të zbatohen në Vende që nuk kanë të njëjtat ligje në lidhje me shpifjet dhe urrejtjen.
“Ajo që është e ndaluar në një vend mund të mos jetë në një tjetër, edhe brenda BE-së dhe vendeve të saj anëtare” – u shpreh Chivot. Kufizimi në përmbajtje në të gjithë botën, do të minojë të drejtën e përdoruesve në internet të kenë akses në informacione dhe lirinë e shprehjes në Vende të tjera. Ky precedent do të nxisë Vende të tjera, përfshirë edhe ato me pak respekt për lirinë e fjalës, të bëjnë kërkesa të ngjashme”.
Vendimi i Gjykatës Europiane ka rëndësi të madhe në lidhje me diskutimin polemik se sa shoqëritë teknologjike duhet të jenë përgjegjëse për përmbajtjet e përdoruesve të tyre. Disa Shtete anëtare kanë marrë masa. Gjermania, për shembull, ka miratuar disa ligje shumë të ashpra në lidhje me përmbajtje që nxisin urrejtje dhe do të ndëshkojë platformat teknologjike me gjoba të rënda nëse nuk janë në gjendje të monitorojnë siç duhet.
Sidoqoftë, për Gjykatën Europiane, skenari aktual nuk i ndalon platformat që të monitorojnë në mënyrë aktive. Dhe për këtë arsye, sipas gjykatësve, urdhrat e heqjes duhet të zbatohen në të gjithë botën, për sa kohë ajo nuk dhunon “ligjin përkatës kombëtar”.
Burimi: Il Sole 24 Ore