Facebook i përgjigjet skandalit të Cambridge Analytica duke publikuar në një postim ndryshimet në instrumentet e privatësisë.
Shfaqja e qartë dhe e dukshme në vetëm një vend të platformës e gjithë instrumenteve për të kontrolluar privatësinë; mundësia për të fshirë përfundimisht postimet e vjetra nga rrjeti social, procesi i download të gjithë historisë suaj në Facebook bëhet më i shpejtë dhe përzgjedhës. Këto janë risitë që Facebook vë në dispozicion të përdoruesve pas skandalit të Cambridge Analytica.
“Në javët e ardhshme do të kemi gjëra të tjera për të ndarë” – shpjegon kompania Facebook.
Risitë përfshijnë lehtësi më të madhe në aksesin në një menu të vetme që quhet “Privacy shortcut” ndaj instrumenteve të privatësisë, aktualisht të “shpërndara në 20 vende të ndryshme”. Po ashtu, është një instrument i ri që quhet “Access your information”, një “mënyrë e sigurt për të hyrë dhe për të kontrolluar informacionet, si për shembull postimet, reagimet, komentet dhe kërkime që nuk dëshironi t’i keni më në Facebook”, duke i shtuar mundësinë për ta fshirë përfundimisht gjithë këtë informacion nga serveri i platformës. Kjo mundësi nuk ekzistonte më parë. Ndër të tjera, Facebook përmirëson download e plotë të të dhënave, duke e bërë procesin më përzgjedhës. Të gjithë këto risi do të shtrihen në gjithë botën.
Ngjarjet e fundit “kanë treguar se sa punë duhet të bëjmë për të forcuar politikat tona, në javët e ardhshme do të azhurnojmë edhe kushtet e shërbimit dhe politikat tona të të dhënave, për të saktësuar se cilat mblidhen dhe si përdoren ato”, shpjegojnë drejtuesit Erin Egan dhe Ashlie Beringer nga kompania Facebook.
“Përditësimet e reja lidhen me transparencën, dhe jo për të fituar të drejta të reja për të mbledhur, për të përdorur apo për të ndarë informacionin”, – thanë Egan dhe Beringer.
“Shumica e këtyre azhurnimeve kanë qenë në funksion prej kohësh, por ngjarjet e ditëve të fundit theksojnë rëndësinë e tyre. Këto funksione do të jenë të disponueshme për gjithë përdoruesit, jo vetëm në vendet ku zbatohet rregullorja e përgjithshme e Bashkimit Europian (RNL) për mbrojtjen e të dhënave, që do të hyjë në fuqi më 25 maj”.