Facebook kapërcen pritshmëritë, të ardhurat rriten 33%. Por 2021, i paqartë

28/01/2021 3:20 PM 0 komente
© Reuters

Pavarësisht tremujorit rekord, grupi i rrjeteve sociale i frikësohet kërcënimit nga Apple

 

Ashtu si shumë kompani të mëdha teknologjike (Big Tech), Facebook e mbylli tremujorin e fundit të 2020 me shifra rekord, duke kapërcyer pritshmëritë e analistëve, me rritje dyshifrore.

Të ardhurat arritën në 28.072 miliardë dollarë, në rritje me 33%, ndërsa fitimi neto në 11.219 miliardë (+53%), ose 3.88 dollarë për aksion. Ekspertët vlerësonin se fitimi për aksion do të ishte në 3.19 dollarë dhe të ardhurat në 26.34 miliardë dollarë. Në këtë rritje ndikoi blerjet online gjatë festave të fundvitit dhe përdorimi i rritjes së platformës, me pandeminë e cila u përkthye në një hap vendimtar përpara për reklamat.

“Ne shënuam një rritje të fortë në fundvit, ndërkohë që njerëzit dhe kompanitë vazhduan të përdorin shërbimet tona në këto kohëra të vështira” – komentoi themeluesi dhe CEO i Facebook, Mark Zuckerberg. “Jam entuziast për ecurinë tonë në vitin 2021, ndërsa ndërtojmë mënyra të reja dhe kuptimplota për të krijuar mundësi ekonomike, një komunitet dhe për të ndihmuar njerëzit të argëtohen.”

Megjithatë, entuziazmi i Zuckerberg rrezikon të zbehet shpejt. Rezultatet rekord të Facebook rrezikojnë të tërheqin sërish vëmendjen e kritikëve të grupit, si një element i prekshëm i fuqisë së tij të tepruar në treg. Rrjeti social është në qendër të vëmendjes së autoriteteve europiane dhe atyre amerikane, ku Federal Trade Commission dhe 46 Shtete kanë hapur një hetim antitrust kundër shoqërisë, e akuzuar për mbytje të konkurrencës.

Por telashet e Facebook mund të vijnë edhe nga një Uashington i gjithi demokratik dhe vullneti i shumë ligjvënësve për t’u vënë fre rrjeteve sociale. Vendimi i Facebook për të pezulluar faqen e Donald Trump pas sulmit në Kongres ka hapur një debat të ashpër mbi fuqinë e tepërt të rrjeteve sociale. Shumë kritikë mbështesin idenë se ndalimi i ish-presidentit – edhe në Twitter, Google dhe Amazon – ishte një sulm i lirisë së shprehjes nga një grup i vogël i miliarderëve liberalë të Silicon Valley.

Ndër të tjera, platforma parashikon një situatë kritike gjatë vitit 2021, për shkak të ndryshimeve të mundshme në rregulloren e të dhënave personale. Facebook i frikësohet në veçanti një shtrëngimi në Europë, por mbi të gjitha një transparence më të madhe në mbledhjen e informacioneve personale te pajisjet e Apple.
“Apple mund të thotë se po e bën këtë për të ndihmuar njerëzit. Por lëvizjet e tyre, ndjekin, në mënyrë të qartë, interesin e tyre konkurrues” – tha Zuckerberg të mërkurën, në një videocall me analistët.

“Apple zotëron gjithë instrumentet për të përdorur pozicionin e tyre dominues në platformë për të ndërhyrë në mënyrën se si funksionojnë aplikacionet tona dhe aplikacionet e tjera, të cilat ato i bëjnë rregullisht për të zgjedhur të tyren” – tha Zuckerberg, duke shtuar se shoqëria po bëhet gjithnjë e më shumë “një ndër konkurrentët tanë më të mëdhenj”.

Burimi: Financial Times

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of