Facebook nis të fshehë numrin e like-ve

30/09/2019 11:59 AM 0 komente

Facebook ndjek Instagram, eksperimenton fshehjen e pëlqimeve në një postim

 

Facebook ka nisur zyrtarisht të fshehë numrin e pëlqimeve në një postim. Ashtu siç ndodhi më parë me Instagram, funksionaliteti, i zbuluar disa javë më parë nga eksperti Jane Manchun Wong, do të fshehë numrin e like-ve dhe reagimeve për të gjithë, përveç autorit të postimit, i cili do të jetë ende në gjendje të shohë numrin e saktë të personave që kanë shprehur vlerësimin e tyre. Testi ka nisur në Australi, në një numër të kufizuar përdoruesish dhe më pas do të shtrihet edhe në vende të tjera.

Zgjedhja vjen për shkak të një tendence të fortë të përdoruesve për autocensurë. Kjo sjellje i shtyn shumë përdorues, veçanërisht të rinjtë, ta përjetojnë negativisht përvojën në rrjetin social për shkak të kërkimit të vazhdueshëm të popullaritetit që lidhet me numrin e pëlqimeve.

“Jemi duke bërë një provë të kufizuar në të cilën, numri i pëlqimeve, reagimeve dhe shikimeve të videos bëhen personale në Facebook – komenton një zëdhënës i kompanisë. Nga reagimet do të kuptojmë nëse ky ndryshim do të përmirësojë përvojën e njerëzve”.

Qëllimi i Facebook është t’i bëjë përdoruesit të ndihen të qetë, duke u dhënë mundësinë të shprehen lirisht, pa frikën e vazhdueshme të një gjykimi në bazë të numrit të vlerësimeve. Ky eksperimentim, ashtu si me Instagram, do të analizojë reagimet e përdoruesve dhe në një moment të dytë, kompania do të vendosë nëse do ta bëjë fshehjen e pëlqimeve një karakteristikë të përhershme të rrjetit social, apo do të lejojë sërish shfaqjen e numrit të pëlqimeve.

Burimi: Wired

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of